Aeroporti i Athinës

Athina. Foto: Shutterstock



Aeroporti i Athinës na shpërndan nëpër aeroporte. Luftëtari tha: ku të luftoj? Një shtatzënë i bërtiti: ku ta lind fëmijën tënd? Zyrtari tha: ku t’i investoj paratë e mia? Atëherë intelektuali tha: ç’punë kam me paratë e tua? Doganierët thanë: nga vini? Ne u përgjigjëm: nga deti. Ata thanë: ku doni të shkoni? Ne u përgjigjem: në det. Ata pyetën: po adresat tuaja? Një grua nga rrethi ynë u përgjigj: strajca ime është fshati im. Me vite të tëra kemi pritur në aeroportin e Athinës. Një djalë e mori një vashë për grua, por nuk gjetën dhomë për të kurorëzuar shpejt martesën. Ai pyeti veten: ku t’ia marrë virgjërinë? Ne qeshëm dhe i thamë: djalosh, kjo është pyetje e pavend. Analisti mes nesh tha: ata po vdesin për të mos vdekur. Po vdesin pahiri. Dhe shkrimtari tha: kampi ynë sigurisht do të bie. Çfarë duan nga ne? Dhe për çdo ditë aeroporti i Athinës ndërronte banorët. E ne, ne qëndruam këtu si banka mbi banka dhe kemi pritur detin, sa shumë vite, oh aeroport i Athinës!…

(Përktheu: Enver Robelli)