Aeroplani është një zog që ha mish kali

Mbi paraqitjet televizive të mendjendriturve të alesë së shpëtimtarëve të kombit.




Në gjuhën letrare «përraçkës» i thonë hobe. Fjalori i Gjuhës Shqipe kështu e shpjegon hobenë: Copë lëkure a diçka e thurur, me dy rripa të hollë ose me dy gjalma të lidhur në dy anët e saj, që përdoret për të gjuajtur me gurë të vegjël, duke e rrotulluar me forcë e duke lëshuar njërin rrip a njërin gjalmë.

Gjuajtje me hobe – këtij sporti i përngjajnë edhe shumë analiza të mendjendriturve të alesë së shpëtimtarëve të kombit. Flasin ditën e flasin natën, me ndonjë përjashtim që duhet lavdëruar shumica flasin gjepura, pallavra, përtypin thashetheme, të cilat i bartin nga kafehanet e Prishtinës në studio televizive, pastaj nga studiot televizive rrëfimi kthehet në tavolinat e kafehaneve. Teoritë e komplotit zëvendësojnë fabulat që as Ezopit nuk do t’i kujtoheshin, po të ishte i gjallë greku i gjorë.

(Sa i përket grekëve: në mediat shqiptare para ca ditësh u botua një analizë e një gazetari grek mbi raportet e shqiptarëve me Turqinë e Sulltan Erdoanit. Aty thuhej se në lidhje me skandalin e rrëmbimit të gjashtë shtetasve turq dhe dorëzimin e tyre në duart e agjentëve të shërbimit sekret të Ankarasë paskësh folur edhe peshkopi i «romeokatolikëve» të Kosovës Dodë Gjergji. Peshkopi, siç na tregon fjalori, është kryetari i një dioqeze ortodokse, dhespot. Dodë Gjergji është ipeshkëv i katolikëve të Kosovës. Pra, në Kosovë ka katolikë, por s’ka romoekatolikë, sepse po të kishte të tillë, atëherë do të duhej t’i gjenim edhe disa zhuljeta-katolikë të Kosovës dhe të zbulonim edhe një Shakespeare kosovar).

Ky vend nuk ka rënë në hall vetëm me përkthyes, por edhe me analistë që me hobe hyjnë në studio dhe flasin çfarë u bie ndërmend – ose thënë në gjuhën e kafehaneve: ia fusin kot. Kotfutja është shndërruar në stil të jetës së jo pak analistëve. Doni të dëgjoni diçka për rolin e Rusisë apo të Kinës apo të Turqisë apo të Arabisë në Ballkan, në Rumelinë e dikurshme? Përgjigjen e kanë të gatshme, hazërxhevap, analistët. Në librin e tij «Europeana» eseisti çek Patrik Ourednik shkruan: «Kur pushkatarët senegalezë panë për herë të parë një aeroplan, ata menduan se ishte një zog i zbutur. Njëri nga ushtarët senegalezë këputi një copë mishi nga një kalë i ngordhur dhe ia hodhi, në mënyrë që të mund ta joshte atë».

Për fat të keq avioni nuk zbriti në tokë për ta shijuar copën e mishit. Sa i përket fluturakeve: u tha – nga një analist – se dronin në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë e ka ngritur në qiell vetë Rusia, jo vëllai i Edi Ramës dhe jo një djalë nga Shqipëria veriore me nofkën «Ballisti». A ka fakte për këtë? Po kush pyet për fakte, aman. Me rëndësi që mileti të dëgjojë edhe një këngë me çifteli.

Nesër sërish armata e analistëve do të pushtojë televizionet. Kosova, ky vend i vogël, ky vend që renditët diku nga fundi i testit PISA, ka aq shumë mendjendritur që fishkëllejnë analiza para mikrofonave. Melodi me fyell. Dhe analiza me «përraçkë». S’ka rëndësi ku bie guri, s’ka rëndësi ku është muri.