Adami, Eva, Edeni dhe Molla e Lejuar

«Gishti që tregon hënën nuk është hëna vetë»: një kronikë mbi botën e përtejme, njeriun si krijesë kulmore në planetin tokë dhe religjionet që përdorin frikën kundër njerëzve.

Ilustrimi: Shutterstock



Duket se shoqëria jonë asnjëherë si tani nuk ka pasur presion kaq të madh nga të gjitha anët. Islami tani është super-aktiv në tentativat e tij të gjejë, më në fund, prehjen që s’mundi ta gjente asnjëherë deri tani tek shqiptarët, ndërsa katolicizmi ynë më i pakët në numër, është i përqendruar t’i ruajë dhe shtojë privilegjet nga Vatikani duke kërkuar më shumë vëmendje ndaj kësaj pakice.

Më herët e kemi trajtuar punën e religjioneve, por këtë herë po kuvendojmë për fillimin e tregimit. Ta fillojmë me zanafillën. Si nisi krejt ky muhabet sipas religjioneve në fjalë.

Zoti ka krijuar Edenin dhe ka vendosur Adamin në Eden. Shikoni Edenin këtu si një test laboratorik njëjtë sikurse ne sot bëjmë ambiente testimi për minjtë dhe kafshët tjera. Kafshët mund të zgjedhin opsionet e tyre, ndërsa shkencëtari bënë studimin e këtyre zgjedhjeve, përcaktimeve. Etj. A nuk duket Edeni një laborator eksperimentimi?

Adami ka qenë i vetmuar dhe është mërzitur shumë në Eden.  Zoti ka provuar me radhë krijesat e tij që i kishte krijuar më herët se cila nga to i përshtatet Adamit.  Asnjëra nuk i përshtatej dhe kështu Zoti vendosi t’i krijojë një shoqëruese Adamit dhe kështu u krijua Eva.   Si është bërë testimi i krijesave të tjera me Adamin dhe çka përshinë ajo provë? Këtu ka mjaft hapësirë për të spekuluar. Si i ka testuar Adami ato krijesa nuk e kam të qartë, por imagjinata ime më paraqet edhe fotografi të ngrohta. Adami nuk kishte asnjë telashe t’i përcjellë të gjitha udhëzimet dhe të gjitha testet i kalonte me sukses deri me ardhjen e Evës në Eden.

Pasi që Zoti krijoi njeriun si krijesën e fundit dhe me të përsosur, atëherë Eva është e fundit a jo Adami. Si rregull natyral dihet që krijimi dhe krijuesi (që është një) gjithmonë mundohet t’i përmirësoj gabimet e krijimit paraprak. Kjo i bie që femra të jetë më e sofistikuar.  Shqiptarët e tanishëm janë pasqyrë e mirë për këtë.

Dëshmia për këtë avancim në versionin e dytë njerëzor, me Evën, është bash ajo molla e përzgjedhur. Eva (femra) me kafshimin e mollës së lejuar ka përcaktuar rrugëtimin njerëzor shumë kreativ, por kjo ka ardhur me çmimin e jo-rehatisë shpirtërore në mes të mirës dhe të keqes të cilat janë si trashëgimi e asaj molle.

Vetë zoti në mes të laboratorit ka vendosur mollën, e cila përmbante fuqinë kreative të zotave me të dy anët e saja, të mirën dhe të keqen. Molla ishte deklaruar si e ndaluar, por fakti që ishte aty e vërteton pikën një më lartë.  Molla ka qenë më shumë test i vullnetit të lirë në përzgjedhje se sa të jetë ndaluar. Në Eden ishte dhe pema e përjetësisë. Pse nuk e zgjodhën përjetësinë në vend të dijes e kreativitetit?

Duke qëndruar në Eden, Adami dhe Eva i kishin të plotësuara të gjitha nevojat materiale për jetën e tyre të përditshme. Kishte ushqim pa fund dhe kishin shtëpinë parajsë që ishte Edeni. Nga kjo mund të konkludojmë që Eva dhe Adami nuk kishin lakmi për gjëra materiale sepse ende nuk kishin eksperiencë të tillë në Eden. Si rrjedhojë e kësaj gjendje në Eden, Eva dhe Adami kanë qenë të përqendruar të mësojnë sa më shumë të vërteta rreth çdo gjëje. Duke qenë të sigurt materialisht ata kishin lakmi për dije. Dija ishte interesimi primar dhe përtej jetës së përhershme. Përzgjedhja e mollës në vend të pemës së përjetësisë ka qenë vendimi më i mirë që njerëzimi ka ndërmarrë ndonjëherë. Çfarë i vyen përjetësia cilësdo krijese e cila nuk ka njohuri? Molla ishte e lejuar. Në të kundërtën nuk do ishte në mes të Edenit.

Më përzgjedhjen e tyre Eva dhe Adami kanë fituar fuqinë e krijimtarisë. Por çfarë nënkupton kjo? Krijimi është gjithçka çfarë është. E ajo çka është, nënkupton të gjitha që i dimë dhe ato që nuk i dimë, ajo që shohim e nuk shohim, ajo që dëgjojmë dhe ajo që nuk mund ta dëgjojmë, ajo që prekim dhe ajo që nuk e prekim dot, ato që i ndjejmë dhe ato tjerat që ende kërkojnë zhvillim për t’i ndjerë. Krijim ka po aq lartë sa ka poshtë, po aq majtas sa ka djathtas, po aq shumë sa edhe negacion të saj, po aq mirë sa edhe keq. Është asnjërës, gjithëpërfshirës, është gjithçka, është dije në formën dhe jo-formën e saj.

Fjalët edhe pse nuk janë të dizajnuara ta përshkruajnë krijimin e tillë, ato mund të na japin një shenjim që më shumë ndjehet se sa kuptohet. Por mos u habitni. Shenja nuk është caku. Ajo vetëm tregon cakun. «Gishti që tregon hënën nuk është hëna vetë».

Të gjitha këto atribute që i përmendëm, e përshkruajnë zotin i cili nuk mund të përshkruhet me fjalë. Zoti është gjithçka dhe gjithkund, thotë sinagoga dhe fraksionet e saja, xhamia e kisha. Pra, na del zoti të jetë vetë krijimi. Thjeshtë, zoti ka krijuar gjithçka, pra është vet krijimi.

Njeriu është krijesa kulmore në planetin tokë. Krijesë më të sofistikuar planeti tokë nuk përmban. Tani po ta përcjellim të njëjtën logjikë që thotë se zoti është gjithçka dhe gjithkund, kjo nënkupton që zoti është tek vet njeriu sepse njeriu është pjesë e çdo gjëje. Atëherë si ta kërkojmë zotin diku tjetër se sa në brendësinë tonë?    Pse njerëzimi duhet të shkojë në sinagogë, kishë apo xhami për ta gjetur zotin kur gjatë gjithë kohës zoti qëndron dhe është në qenësinë njerëzore.

E shihni si fjalët zbulojnë dhe mbulojnë të vërteta.  Fjalët vetë bartin një fuqi që ndjehet përmes energjisë që ato bartin. Kur dëgjon një fjalë, pas saj vjen energjia që ajo bartë, por siç thamë më lartë vetë fjala nuk është caku. Krijimi dhe ajo çfarë paraqet ka edhe të kundërtën e saj. Ajo është frika. Frika është negacioni i krijimit dhe si e tillë nuk e lejon krijimin të lulëzoj në hyjninë e saj.

Nuk ka përdorim më masiv të frikës se sa frika që religjionet janë munduar historikisht ta rrënjosin në psikologjinë njerëzore. Ka një repertuar të madh të shqetësimeve të ndryshme që religjionet i kanë zbuluar për hakmarrjen e zotit ndaj atyre që nuk i binden. Gjatë historisë gjithmonë ka pasur tendencë që një grup i vazhdueshëm ta përdorë zotin për futjen e frikës njerëzve tjerë për t’i kontrolluar dhe shfrytëzuar. Me futjen e frikës tek njerëzit bllokohet krijimi dhe del negacioni i saj. A nuk qe frika negacioni i krijimit! Krijimi na u dëshmua që është ajo çfarë paraqitet si zot, ndërsa negacioni i saj është frika ekuivalente me djallin i cili na paraqitet tek këto religjione. Ja si paraqitet nga vetë fjalët e mira dhe e keqja që janë brenda njeriut. Engjëlli dhe djalli. Në fakt kujt i shërbejnë këto religjione?  Gjuha zbulon dhe mbulon, varësisht si përdoret. Gjuha këtu nga zbulon vetë të vërtetën.

E shihni se çfarë mashtrimi të racës njerëzore kanë bërë religjionet? A nuk është frika ajo e cila është përdorë në vazhdimësi për ta kontrolluar njerëzimin. Përmes frikës, krijimit i bëhet e pamundur të veproj sepse krijimi nuk ekziston në fushën e frikës dhe as frika nuk mund të ekzistoj në fushën e krijimit. Është njëra apo tjetra dhe këto dyja s’mund ta tretin njëra tjetrën.

Ta lirojmë krijimin nga qenësia jonë, nga ajo pjesë ku vetë krijimi (zoti) qëndron. Lëreni dritën të hyjë në thellësi tuajën dhe kështu hyjnia e qenësisë tuaj del përmes mendjes njerëzore si krijim. A nuk na doli në pah kjo e vërtetë shumë e lehtë për ta parë? Sigurisht është kjo lehtësi që e bënë të vështirë të kuptohet sepse frika vështirëson proporcionalisht krijimin të dalë në dritën e kësaj bote.

T’i kthehemi prapë Edenit për pak, për ta shpjeguar si ka ecur ky muhabet sipas librave të moçme të këtij sistemi njerëzor të krijuar shumë herët, i cili u shpërnda në shumicën e planetit përmes judaizmit – krishterimit – islamit. Pas përzgjedhjes së krijimit me mollën e lejuar, Adami dhe Eva kanë përfunduar testimin dhe janë lënë të lirë të jetojnë në tokë. Shpejt u shtuan me pasardhës dhe filluan të shohin eksplorimet në krijimtari të fëmijëve të tyre. Kush ka zgjedhë të mirën e kush të keqen. Fuqia e krijimit posedon proporcionalisht fuqi shkatërrimi dhe kështu këto dyja janë eksploruar dhe ende vazhdon tek njerizimi e njëjta lojë.

Nuk shkoj gjatë dhe pasardhësit e Evës dhe Adamit u avancuan mjaftë shumë. Krijimi i tyre ishte shumë i madh dhe shpejt arritën ta ndërtonin atë që njihet si Kulla e Babilonit. Kullën e kishin ndërtuar me kopshte të mahnitshme dhe të lartë që të mbërrijnë lartësitë e zotit.  Zoti ishte hidhëruar kur ka parë këtë zhvillim dhe ka dënuar njerëzit duke shkatërruar kullën e lartë dhe duke i shpërndarë ata në katër anët e botës e duke ndarë gjuhët që të mos merreshin vesh mes vete si më parë kur flitnin dhe kuptonin të njëjtën gjuhë.

Kjo tablo me zotin dhe ekipin e tij na len shijen e një grupi super të avancuar me krijimtari të fuqishme gjenetike dhe njohuri për jetën të cilët vinë nga qielli sipas këtyre librave. Pra, kanë udhëtuar, kanë ardhur nga diku. Ndërsa zoti apo krijimi që e gjetëm më lartë nuk ka nevojë të vijë nga askund, sepse krijimi është gjithçka dhe gjithkund.

Pak më vonë, disa njerëz të tjerë në planetin tokë kanë përdorur kreativitetin e tyre për ta devijuar të vërtetën mbi krijimin dhe i kanë dhënë vetes fuqinë e ndërmjetësimit mes njeriut dhe hyjnores duke mbuluar, fshehur, kontrolluar dhe drejtuar njerëzimin për qëllimet fitimprurëse të tyre, të cilat ende sot e asaj dite vazhdojnë. Zgjohuni njerëz, jeni të lirë, lejoni krijimin tuaj të del lirshëm nga ju. Lirohuni nga secili sistem dhe nga secili religjion. Krijimi pret durueshëm njerëzimin të përzgjedhë me vetëdije të plotë krijimin në vend të frikës. Femra e ka nisë këtë muhabet dhe femra do bëjë betejën e fundit kundër frikës për ta liruar krijimin në plotfuqishmërinë e saj.

[Shkëlzen Dhomi, i lindur në Prishtinë, në vitet ‘90 ka studiuar pikturën në Akademinë e Arteve. Në vitet ‘2010 ka studiuar juridikun. Jeton në Kanada. Dikur samuraj i asfaltit të Prishtinës. Kërkues dhe dashamir i dijes].