Abrashi: «S’kemi frikë nga ekipet e mëdha» – Mavraj: «Duam t’ia japim një shpullë Francës»

Para ndeshjes kundër Francës lojtarët e Kombëtares tregojnë vetëbesim të madh. Francezët janë të traumatizuar nga «bijtë e shqipes». Trajneri Didier Deschamps thotë: «Në dy vitet e fundit dy herë kemi luajtur kundër tyre dhe nuk i kemi mposhtur».

Amir Abrashi është futbollist me përvojë në ligën e parë gjermane. Dhe ai është realist. Para ndeshjes me Francën të mërkurën Abrashi ka thënë se nëse shikohet në aspeketin psikologjik francezët kanë përparësi. «Franca luan në shtëpinë e vet dhe do të ketë presion nga fansat», deklaroi për agjencinë gjermane të lajmeve DPA lojtari i «SC Freiburg». Abrashi foli për DPA në Perros Guirec, një vendbanim në Bretagne, ku gjendet kampi i lojtarëve shqiptarë. Futbollisti i Kombëtares, megjithatë, ka treguar vetëbesim të madh, duke thënë se «kemi treguar se nuk kemi frikë nga ekipet e mëdha. Mendoj se mund të arrijmë rezultat pozitiv».

Mbrojtësi i Kombëtares Mërgim Mavraj, i cili luan për «FC Köln», është treguar edhe më i guximshëm. Ai ka thënë se lojtarët shqiptarë më së shumti mendojnë se si t’ia japin një shpullë Francës, nikoqirit të Kampionatit Europian.

Në dy vitet e fundit Shqipëria dy herë e ka sfiduar Francën: njëherë ka nxjerrë rezultat të barabartë, njëherë madje e ka mposhtur me rezultat 1:0. «Në dy vitet e fundit dy herë kemi luajtur kundër tyre dhe nuk i kemi mposhtur», tha trajneri Didier Deschamps. Ai shtoi se pret një kundërshtar kompakt dhe të organizuar mirë. (-lli)