Abrashi: I kemi zbuluar 710 raste kur persona të vdekur vazhdojnë të marrin pensione

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë me dije se institucioni që ai drejton, në bashkëpunim me MPB-në, kanë zbuluar deri më tani 710 raste të keqpërdorimit të pagesave të pensioneve.




Kjo për faktin se shumë familje nuk i kanë lajmëruar vdekjet e familjarëve të tyre dhe kanë vazhduar të pranojnë pagesat e pensioneve.

Sipas Abrashit, kjo gjë i ka kushtuar buxhetit të Kosovës së paku 1 milion euro në vit, ndërsa ka theksuar se ngritja e kapaciteteve të administratës pensionale, kursimet dhe reformat ligjore, hapin rrugë për ngritje të pensioneve dhe negociim të marrëveshjeve pensionale.

«Kohë më parë arritëm një marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim të sigurimit dhe shkëmbimin e informacioneve në mes të dy ministrive, për rastet e lajmërimit dhe konfirmimit të vdekjes së pensionistëve, me qëllim të parandalimit dhe eliminimit të gjitha pengesave dhe problemeve të mundshme për rastet kur keqpërdoren pagesat e pensioneve.
Këtë muaj kemi filluar të bëjmë krahasimin e listave te pensioneve me regjistrat e gjendjes civile të MPB-së, përkatësisht, Agjencisë së Regjistrimit Civil. Vetëm në punën fillestare kemi identifikuar 710 raste dhe indikacionet tjera japin shenja për një kursim prej së paku 1 milion euro në vit, vetëm me këtë marrëveshje», ka thënë Abrashi, raporton Koha.net.

«Ngritja e kapaciteteve të administratës pensionale, kursimet dhe reformat cilat do t’i shpalosim këtë muaj, hapin rrugë për ngritje të ndjeshme të pensioneve kontributive, fillimin e implementimit të dy skemave të reja pensionale, skemës së pensionit familjar dhe invalidor dhe forcojnë kredibilitetin tonë në raport me marrëveshjet eventuale ndërkombëtare në fushën e pensioneve», ka përfunduar Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi.