AAK thotë se Asociacioni instalon pushtetin e tretë në planifikimin hapësinor

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një analize të përmbajtjes së Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, thotë se ky do të jetë një pushtet i tretë në shtetin e ri të Kosovës.




Qeveria e Kosovës, përmes Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, po instalon pushtetin e tretë në fushën e planifikimit hapësinor, duke i dhënë kompetenca ekzekutive Asociacionit, në kundërshtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor Nr. 04/L- 174, transmeton Koha.net.

Planifikimi është fushë tematike multidiciplinare brenda të cilit përfshihen të gjithë sektorët e tjerë.

Planifikimi, si proces, përfshin katër faza të përgjithshme:

1. Hartimin e planeve,
2. Mbikëqyrjen/ monitorimin,
3. Vlerësimin e zhvillimeve,
4. Revidimin e planeve.

Sipas legjislacionit ne fuqi në Kosovë janë dy nivele të planifikimit:

1. Planifikimi i nivelit qendror për tërë territorin e Kosovës, me te cilin dhe zhvillohen këto dokumente:

– Plani hapësinor i Kosovës,
– Harta zonale e Kosovës,
– Planet hapësinore për zonat e veçanta.

2. Planifikimi i nivelit lokal për tërë territorin e komunave, me te cilin dhe zhvillohen këto dokumente:

– Plani zhvillimor komunal,
– Harta zonale e komunës,
– Planet rregulluese të hollësishme.

Subjektet përgjegjëse për zhvillimin e këtyre dokumenteve strategjike të planifikimit hapësinor janë të përcaktuara me Ligjin për planifikim hapësinor në neni 8, pika, 1 ku shihet qartë se në nivelin qendror përgjegjës janë këto subjekte: Kuvendi i Kosovës , Qeveria e Kosovës, dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa ne nivelin lokal janë: Kuvendi komunal dhe Drejtoritë komunale për planifikim hapësinor.

Pra sipas Ligjit për planifikimin hapësinorë nuk ekziston nivel dhe autoritet tjetër përgjegjës për fushën e PH-së, andaj shtrohet pyetja se çfarë kuptimi ka pika 4) e) në Marrëveshjen për Asociacionin ku thuhet se Asociacioni do “të ushtrojë mbikëqyrje të plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural”, kur me LPH kompetencat për zhvillimin e planeve lokale i kanë vetë autoritetet komunale.

Dhe pika 4) l) ku thuhet se ”kryen monitorimin siç kërkohet për implementimin e objektivave te saj“, përderisa faza e monitorimit është përgjegjësi e autoritetit komunal për planifikim dhe menaxhim hapësinore, sipas LPH neni 11, pika 1.10. ku thuhet se autoriteti komunal është përgjegjës për rishikimin dhe monitorimin e zbatimit të objektivave të parashtruara në dokumentet e planifikimit hapësinor në tërë territorin e komunës.

Sipas LPH, neni 11, pika 1.9., të gjitha komunat obligohen që të bëjnë dorëzimin dhe prezantimin e planit zhvillimor komunal dhe hartës zonale komunale të komunës në MMPH, për të verifikuar përputhshmërinë me Planin Hapësinor të Kosovës, Hartën Zonale të Kosove dhe normat teknike të planifikimit hapësinor.