AAK: Mbulimi i muraleve të Kuvendit, mohim i identitetit

Muralet në Kuvendin e Republikës, janë pjesë e historisë dhe identitetit të popullit të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe pjesë identitare e atij Kuvendi.




Prandaj, mbulimi sërish i tyre, është një akt i paprecedent dhe është përpjekje për të fshehur një pjesë të historisë dhe të identitetit tonë, thotë përmes kumtese Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, transmeton Koha.net.

Përmbajtja e këtyre muraleve është historia e parlamentarizmit tonë dhe nuk është e orientuar kundër asnjë grupi etnik, fetar ose politik.

AAK, vlerëson se partneriteti me grupet etnike, religjioze, politike apo edhe me Komunitetin Ndërkombëtar, nuk ndërtohet duke shkelur mbi identitetin që e kemi, po pikërisht duke e shpalosur atë.

Veprimi i kujtdo qoftë për fshehjen e tyre, është një veprim arbitrar dhe shpërfaq logjikën e një lloj vazaliteti, krejtësisht të pakuptimtë e të papranueshëm.

Ne mbetemi të vendosur për mbrojtjen e identitetit kombëtar e kulturor të secilit dhe njëkohësisht të palëkundur që identitetin tonë ta mbrojmë me çdo çmim! Muralet e mbuluara janë turpi dhe pafytyrësia e atij Kuvendi, përfundon kumtesa!