AAK mbajtja e seancës së Kuvendit e konsideron provokim

Shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës, që është nën dikatatin e Qeverisë dhe të kryeministrit, është përgjegjëse për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, thuhet në një komunikatë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të lëshuar pas ndërprerjes së seancës.




Përpjekja e tyre për ta zhvilluar seancën sikur gjithçka është normale, është një provokim i hapur për opozitën dhe një përpjekje për t’i shmangur dështimet e kësaj shumice.

Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se shfaqja e sotme në Kuvend nuk është zgjedhje e opozitës, por veprim i domosdoshëm.

Ne vazhdojmë të jemi të palëkundur në kundërshtimin e dy dështimeve historike të kësaj qeverie, siç janë demarkacioni dhe Asociacioni.

Prandaj e ftojmë shumicën parlamentare dhe liderët e tyre Mustafa e Thaçi, që t’i japin vendit zgjidhje dhe gjithçka të rikthehet në normalitet. Në të kundërtën ata do të jenë përgjegjës për eskalimin e mundshëm të situatës, thuhet në komunikatën e AAK-së.