AAK kërkon dorëheqjen e Hysenit dhe Maxhunit «pas skandalit të mbrëmshëm»

Ndalimi i mbrëmshëm i Albin Kurtit, mënyra se si është bërë ky ndalim, si dhe krejt ngjarjet e mëpastajme që rezultuan me dhjetëra qytetarë e policë të lënduar, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës janë krejtësisht të papranueshme.




AAK konsideron se marrja në polici e Albin Kurtit është në kundërshtim me parimet e demokracisë si dhe në kundërshtim me vetë Kushtetutën, nenin 75 të saj, ku thuhet se «deputetët nuk mund të ndalohen, apo të ndiqen e paraburgosen, për shkak të veprimtarisë së tyre në Kuvend».

«Skandali me Albin Kurtin ka qenë i menduar, i kalkuluar dhe është bërë me qëllim të eskalimit të situatës, në mënyrë që më pastaj të fajësohet opozita për veprime të dhunshme. Njëkohësisht e konsiderojmë përpjekje të pushtetit për të hequr vëmendjen e opinionit publik nga dy marrëveshjet antishtetërore të Demarkacionit dhe Asociacionit», thuhet në reagimin e AAK-së.

Kjo parti thotë se në gjithë këtë ngjarje, është e pashmangshme përgjegjësia e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Shpend Maxhuni dhe Ministrit të Brendshëm, Skender Hyseni.

«Hapi i parë i kapërcimit të kësaj ngjarjeje të papresedan është dorëheqja e tyre», theksohet në reagim.

AAK në fund njofton qytetarët se «opozita tashmë është edhe më e vendosur në kërkesat e saj të ligjshme, për pezullimin dhe korrigjimin e marrëveshjeve për Demarkacionin dhe Asociacionin».