AAK-ja me «asociacion» të vetin në Dukagjin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paraparë për nesër (21 shtator, e hëne, ora 17:00), të mbajë një takim të përbashkët të kuvendarëve të partisë së vet nga Komunat Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Suharekë Rahovec, Malishevë.




«Takimi organizohet me qëllim të rrjetëzimit të kuvendarëve nga Dukagjini si dhe shkëmbimin e përvojave të punës. Takimi mbahet në zyrat e AAK-së në Gjakovë», thuhet në njoftimin e kësaj parti dërguar medieve, e në të cilin këto të fundit i fton që ta përcjellin këtë aktivitet.

Analisti Halil Matoshi këtë po e sheh si një ndarje rajonale, që lë shije të hidhur.

«Është krejt në rregull që një parti politike të mbledh kuvendarët e saj për informim, rrjetëzim dhe çka do tjetër, porse ndarja në vija rajonale, në këtë rast që ka shumë përplasje në shoqërinë kosovare lë shije të hidhur», ka thënë Matoshi, për portalin Koha.net. «Përse ftohen vetëm kuvendarët e Dukagjinit, kur dihet se Kosova nuk është e ndarë në kantonte, distrikte e tribu. Republika e Kosovës është unike dhe e pandashme», ka thënë më tej Matoshi.

Albert Krasniqi nga KDI-ja, thotë se tubimi i paralajmëruar i asamblistëve të AAK-së nga rajoni i Dukagjinit, për shkak se nuk është regjistruar si organizatë për të përfaqësuar një interes të përbashkët, nuk mund të krahasohet me Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë serbe që pritet të krijohet.

«Megjithëkëtë, kjo Bashkësi/Asociacion do të krijojë precedent që edhe asociacionet tjera të kërkojnë kompetenca të ngjashme si dhe të krijohen asociacione rajonale», ka thënë Krasniqi, për Koha.net.. Krijimi i asociacioneve rajonale është e lejuar edhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, por jo të krijohen me dekret të qeverisë dhe të kenë kompetenca çfarë pritet të ketë ai i komunave me shumicë serbe», ka shtuar më tej ai.