AAK: Gjykata Kushtetuese e ka shpallur veten «NUL»

AAK, nuk është aspak e befasuar me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, që as të mos e pranojë për shqyrtim kërkesën e Opozitës për vlerësimin e ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë krijimin e Gjykatës Speciale.




«Ne nuk kemi pasur pretendime se vendimi i Gjykatës mund të jetë tjetër, por kemi shpresuar se kjo Gjykatë mund të ketë ndryshuar qasjen ndaj politikës, bile kur behët fjalë për atakimin e sistemit gjyqësor, siç ka ndodhur me amendamentin për Gjykatën Speciale», thuhet në reagimin e kësaj partie.

Por, AAK thotë se «duket se Gjykata Kushtetuese ka mbetur e infektuar deri në palcë nga politika».

«Konsiderojmë që me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, ky institucion e ka shpallur veten “NUL”, sepse Gjykata Speciale, nuk do ta njohë si autoritet gjyqësor as Gjykatën Kushtetuese të Kosovës», theksohet në këtë reagim.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, e cila për shkak të ndikimeve politike s’po mundet as të kompletohet me të gjithë gjyqtarët, sipas AAK-së, «është një shembull skandaloz për gjyqësinë kosovare».

«Do të dëshmohet se pasojat e kë tij vendimi do të jenë afatgjate», përfundon reagimi i AAK-së.