AAK e Pejës: Muhaxheri, në vend se të merret me dështimet e tij, shpif ndaj Haradinajt

Dega e AAK-së në Pejë, nëpërmes një konference për media, ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.




Zyrtarë të kësaj partie në Pejë thanë se para dy ditësh u publikua një deklaratë e kryetarit të Pejës i cili, siç thanë ata, «në stilin e tij të njohur të shpifjeve, tentoi të njollosë AAK-në, liderin Ramush Haradinaj por edhe luftëtarët e UÇK-së».

AAK e Pejës po e akuzon Muhaxherin se këto deklarata po i bën me porosi nga nivelet qeveritare që, siç thonë ata, «përmes shpifjeve të tentojnë të minimizojnë dëmin që i kanë bërë vendit me marrëveshjet për Asociacion e Demarkacion».

«Shpifjet e tilla po bëhen edhe për të mbuluar defektet që ka qeverisja lokale dhe rënia e besimit tek qytetarët e kanë shqetësuar dhe detyruar të përdorë këto metoda», citohet të jetë thënë në këtë konferencë.

AAK në Pejë thotë se Muhaxheri, në vend se të tregojë se:

-Pse i ka gënjyer qytetarët e Pejës me premtime elektorale që tashmë nuk mund të mbajë asnjë premtim të vetëm.

-Pse premtimet për investime në një vit i ka kthyer në realizim për tri vite si në Bujqësi e Rugovë;

– Pse janë zvogëluar investimet kapitale janë rritë shpenzime e qeveritarëve prej ardhjes në pushtet

– Si po i shpenzon paratë e qytetarëve duke dhënë tenderë me 3 oferta për më shumë se gjysmë milioni në vit, dhe si përfituesit e grandeve janë militantët partiak të partisë së tij;

– Se si me para të qytetarëve ja asfalton rrugën një individi të vetëm, ndërsa për mirëmbajtje të varrezave deklaron se nuk ka para;

– Se si po i gjejnë shkelje të ligjit Auditorët e Agjencionit Antikorrupcion që i ka anuluar shumë tender;

– Se pse në Komunë punësohen vetëm njerëzit që janë miq apo partiak të tij;

– Se pse nuk po ndihmohen klubet sportive por ato i ka lënë në mëshirë të fatit;

-Pse mbanë me kontrata në vepër më shumë se një vit militantët e ti j në poste të Drejtorëve të Institucioneve Komunale në Arsim e Shëndetësi;

– Për interes të kujt e humbi projektin dy milionëshe për rrugën hyrëse në Pejë nga Prishtina ;

– Pse e humbi pas asnjë arsye projektin prej dy milionësh për trajtim të mbeturinave

– Pse Peja po izolohet dhe në vend të zhvillimit po stagnon në secilën fushë të jetës.

«Me të gjitha këto e shumë e më shumë pyetje si këto do të duhej të merret Kryetari i Pejës ngase e garantojmë se me këto metoda të shpifjeve më nuk do të fiton zgjedhjet ngase tashmë të gjithë i kanë kuptuar këto metoda dhe në rastin e parë që do ju jepet, qytetarët do ta ndëshkojnë për të dyja edhe për mospunë edhe për këto faqe të zeza që po i bënë me shpifje», kanë thënë zyrtarë të AAK-së në Pejë.

Ata thanë se qyteti i Pejës nuk e meriton një Kryetar të tillë «shpifës, papunëtor e mashtrues».

«Qytetarët e Pejës gjithnjë janë treguar dhe do të tregohen mirënjohës dhe krenar për luftëtarët e saj dhe Komandantin Ramush Haradinaj. Jo 20 vjet, por kurrë nuk do të vijë koha e largimit të tyre ngase ata janë vetë vlera e kombit. Faqet e zeza që Kryetari i Komunës po mundohet të ja mëvesh të tjerëve në fund do t’i mbajë për vete», përfundon komunikata e degës së AAK-së në Pejë dërguar mediave.