AAK dhe Nisma reagojnë për bastisjen e zyrave të deputetëve në Kuvend

Dy subjektet opozitare AAK dhe Nisma kanë reaguar për bastisjen e zyrave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.




AAK i merr me shqetësim njoftimet se Policia e Kosovës, pas orarit të punës dhe pa praninë e deputetëve, i ka bastisur zyrat e Grupi Parlamentar të VV-së, në Kuvendin e Kosovës.

«Këtë veprim të policisë, e cilësojmë presion, politikisht të kalkuluar, mbi deputetët e Vetëvendosjes, të cilët tashmë janë pjesë e një fronti të përbashkët opozitar për kundërshtimin e Asociacionit dhe Demarkacionit», thuhet në reagimin e AAK-së, transmeton Koha.net.

Kurse Nisma për Kosovën konsideron se bastisja nga ana e policisë të zyrave të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës si dhe presioni policor ndaj deputetëve, duke i ftuar në intervistë dhe duke i kërcënuar me arrestim deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me veprimet e fundit të opozitës në Kuvend janë veprime pa precedent të pushtetit aktual, veprime këto që nuk kanë guxuar assesi që të ndodhin.