A po perëndon Perëndimi siç e njohim ne?

Uniteti perëndimor, frenimi bërthamor dhe ushtritë në gjendje gatishmërie na kanë dhuruar më shumë se gjysmëshekulli stabiliteti politik. Ndarja e hapësirës së përbashkët ekonomike ndihmoi që të kishte prosperitet dhe liri në Evropë dhe në Amerikën Veriore. Por këto gjëra, të gjithë ne i marrim si të shkruara, derisa nuk na rrëshqasin nga duart.

Pamje nga Londra. Foto: Shutterstock

Në vitet 1950, kur institucionet ishin të reja e të brishta, jam fort e sigurt se shumë njerëz druanin se kurrë nuk mund të kishte aleancë perëndimore. Mbase në vitet 1970, kur ishte epoka e Brigadave të Kuqe dhe Vietnamit, shumëkush druante se Perëndimi nuk do të mbijetonte. Por prej se jam pjekur, nuk mbaj mend të ketë pasur ndonjë moment më dramatik se ky: Tani kemi dy a tri palë zgjedhje të sikletshme para vetes prej fundit të NATO-s, fundit të Bashkimit Europian dhe mbase edhe fundit të rendit liberal të botës, siç e njohim ne.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përballemi me mundësinë e vërtetë të nominimit për president të republikanit Donald Trump, që do të thotë se duhet ta mendojmë seriozisht se së shpejti mund t’i drejtohemi me presidenti Trump. Fushata e Hillary Clintonit mund ta marrë teposhtën për shumë arsye të qarta sa për ta ndryshuar perceptimin për të; zgjedhjet janë punë hajgareje, dhe elektoratet dinë të ndërrojnë nganjëherë mendje. Kjo nënkupton se në janarin e ardhshëm mund ta kemi në krye të vendit në Shtëpinë e Bardhë një burrë që as që do t’ia dijë se për çka ishte interesuar Obama, Bushi, Clintoni, Reagani – si dhe Johnsoni, Nixoni e Trumani – e që quheshin «vlera tona të përbashkëta».

Trump ka mbrojtur torturën, dëbimin masiv e diskriminimin fetar. Ai e ka thënë troç se nuk mërzitet fare nëse do të pranohej a jo Ukraina në NATO; nuk i intereson NATO-ja dhe garancitë e saj të sigurisë. Sa për Evropën, ka shkruar se «konfliktet e tyre nuk çojnë peshë për jetën e amerikanëve. Tërheqja nga Evropa do t’ia kursente këtij vendi miliona dollarë në vit». Në çdo rast, më parë preferon shoqërimin me diktatorë se me demokratë. «Me ata mund të merresh vesh», ka deklaruar ai kur ka folur për Rusinë. «Do të kisha raporte të mrekullueshme me Putinin».

Trumpi lëre që nuk lodhet për aleancat e Amerikës, por nuk e ka ndërmend as t’i ruajë. Në praktikë, unionet ekonomike e ushtarake nuk kërkojnë vetëm shkathtësi të një magnati të rryer që «arrin marrëveshje», por nuk lodhet të merret me negociata të mërzitshme e kompromise të pajustifikueshme, dhe nganjëherë, sakrifica e preferencave të shtetit të tij nuk ia vlen për të mirën më të madhe të përbashkët. Në kohën kur debati për politikën e jashtme në shumicën e shteteve perëndimore nuk bëhet hesap fare, ai është zëvendësuar me argëtim politik televiziv. Të gjithë këto gjëra kërkojnë mund dhe dije për t’i arsyetuar e justifikuar për publikun që nuk është aspak i interesuar.

Dhe amerikanët nuk janë të vetmit që mendojnë se nuk ia vlen të ngarkohen me peshën e aleancave të tyre. Nuk do të kalojë as një vit prej tash kur edhe Franca do të ketë zgjedhje presidenciale. Një prej garuesve kryesore është Marine Le Pen, kryetare e Frontit Kombëtar, që ka premtuar se do të nxirrte Francën prej NATO-s e BE-së, dhe se do të nacionalizonte kompanitë franceze si dhe do të kufizonte investimet e huaja. Bash si Trumpi, edhe ajo parashikon marrëdhënie speciale me Rusinë, bankat e së cilës po ia financojnë fushatën zgjedhore. Miq francezë më sigurojnë se nëse ajo arrin në raundin final, e majta e qendrës dhe djathta e qendrës do të bashkohen, qysh kishin vepruar dy dekada më parë, kundër babait të saj. Ama zgjedhjet janë të çuditshme dhe votuesit lehtë ndërrojnë mendje. E çka nëse rivali i Le Penit krejt papritur bëhet viktimë e ndonjë alamet skandali? Po çka nëse do të ketë një sulm tjetër terrorist të «Shtetit Islamik» në Paris?

Dhe derisa të vijë puna deri aty, mbase Britania do ta ketë kaluar pragun. Britanikët votuan për dalje nga BE-ja. Dhe meqë tashmë është votuar për dalje, lloj-lloj basti mund të vihet. Mund të ketë referendume të ngjashme në shtetet e tjera anëtare të BE-së. Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë, flet nganjëherë në favor të kthimit të shpinës Perëndimit me qëllim të lidhjes së aleancës strategjike me Stambollin e Moskën.

Nuk është e zorshme të merret me mend Britania kokulur që heq gjithashtu dorë prej aleancës transatlantike. Nëse do të jetë e ashpër kriza që mund të pasojë pas daljes nga BE-ja, mbase publiku britanik do ta rrëzonte me votë qeverinë konservatore në favor të Partisë Laburiste, lidershipi i së cilës tani është jashtëzakonisht antiamerikan. Të gjithë janë të pakënaqur me Jeremy Corbynin, liderin e së majtës ekstreme laburiste, por të njëjtin nuk janë të kënaqur as me Trumpin. Corbyni është alternativa e vetme e dukshme nëse britanikët kërkojnë ndryshim. Zgjedhjet janë të çuditshme, elektoratet ndërrojnë mendje.

Atëherë çka? Pa Francën, tregu i përbashkët i Europës nuk do të ekzistonte. Pa Britaninë, zor të mendohet se si do të ekzistonte NATO-ja. Jo të gjithë do të shprehnin keqardhje. Siç e bën të qartë kristal edhe retorika e shfrenuar e Trumpit, kostot e aleancave («miliona dollarët në vit») shihen më lehtë se arritjet afatgjata.

Uniteti perëndimor, frenimi bërthamor dhe ushtritë në gjendje gatishmërie na kanë dhuruar më shumë se gjysmëshekulli stabiliteti politik. Ndarja e hapësirës së përbashkët ekonomike ndihmoi që të kishte prosperitet dhe liri në Evropë dhe në Amerikën Veriore. Por këto gjëra, të gjithë ne i marrim si të shkruara, derisa nuk na rrëshqasin nga duart.

(«Washington Post»)

Anne Applebaum është historiane polako-amerikane. Veprat e saj mbi historinë e Europës Lindore janë shpërblyer disa herë.