A mundet ish-komandanti i Kosovës të tregojë fatin e serbëve të zhdukur?

Familjet e personave që u zhdukën në Rahovec gjatë luftës në Kosovë shpresojnë që Sabahajdin Cena, një ish-komandant guerilas së fundmi i marrë në pyetje nga prokurorët në Hagë, mund të tregojë informacione të rëndësishme pavarësisht se ai vetë mohon çfarëdolloj përfshirje në rrëmbimet e kryera aty.

Sabahajdin Cena.



Marko Vitosheviq po ruante shtëpinë e familjes së tij në qytetin e Rahovecit, kur u mor nga burra të armatosur me uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) më 16 qershor 1999, së bashku me tre nga fqinjët e tij. Lufta kishte përfunduar vetëm disa ditë më parë dhe forcat e Beogradit ishin tërhequr në Serbi. Serbët e mbetur në Kosovë tashmë ishin një pakicë e pambrojtur nga forcat ushtarake të Beogradit dhe familja Vitosheviq druhej për sigurinë e tyre. Gruaja e Marko Vitosheviqit dhe një nga djemtë e tij ishin larguar nga shtëpia vetëm një ditë më parë dhe kishin shkuar në pjesën e Rahovecit ku jetonin serbët, por ai kishte qëndruar aty për të ruajtur pronat.

Djali tjetër i Markos, Zvezdani, i cili tashmë jetonte në një pjesë tjetër të qytetit, tha se dëshmitarët i thanë atij se luftëtarët e UÇK-së shkuan shtëpi më shtëpi, i lidhnin njerëzit dhe i merrnin ata. «Ata i hipën ata në një makinë dhe u nisën në një drejtim të panjohur», tha Zvezdan Vitosheviq. Ai tha se më vonë mësoi nga një tjetër serb, i cili u kap bashkë me babanë e tij, se UÇK-ja i torturoi ata në ndërtesën vendase të Departamentit të Zjarrfikësve, më pas i çoi ata në periferi të qytetit në mbrëmje. Serbi tjetër tha se ai u arratis kur luftëtarët e UÇK-së ia zgjidhën duart. Ndërsa vraponte, ai dëgjoi luftëtarët të qëllonin me armë. «Ai dëgjoi armë zjarri, por nuk i pa ekzekutimet. Që atëherë nuk ka pasur asnjë gjurmë të babait tim», tha Zvezdan Vitosheviq.

Për të hetuar krimet e supozuara të guerilëve të UÇK-së gjatë dhe pas luftës për pavarësi nga Serbia, gjatë viteve 1998-1999, Prokuroria e Specializuar në Hagë filloi këtë muaj të merrte në pyetje ish-komandantët e UÇK-së. Një nga tetë që është marrë në pyetje deri më tani është Sabahajdin Cena, një zyrtar i lartë i UÇK-së në zonën e Rahovecit gjatë luftës. Vendasit në zonë besojnë se Cena mund të jetë një dëshmitar i dobishëm për prokurorët e Hagës sepse ai dyshohet se ka informacione mbi të paktën 30 serbë të zhdukur në Rahovec gjatë dhe pas luftës. Cena tha se ai foli me prokurorët e Hagës më 14 dhe 15 janar në Prishtinë. «Unë u mora në pyetje për rrëmbimin dhe zhdukjen e civilëve serbë në rajonin e Rahovecit», tha ai për BIRN. Ai tha se ishte marrë në pyetje si i dyshuar, por mohoi çdo keqbërje: «E vërteta është se unë nuk kam vrarë askënd. Personalisht, nuk kam qenë kurrë i përfshirë në ndonjë krim. Është e vërtetë që disa serbë u vranë, por nuk di se nga kush apo në çfarë rrethanash», këmbënguli ai.

Akuzat për rrëmbime

Angelina Antiq, një serbe e Kosovës, tha për Fondin për të Drejtën Humanitare se vëllai i saj u rrëmbye nga UÇK-ja në vitin 1998 në Rahovec bashkë me një serb tjetër dhe u dërgua në shtëpinë e dikujt të quajtur «Sebajdin Cena» – mënyra siç shqiptohet në serbisht emri i Cenës. «Ne zbuluam se ata u dërguan në shtëpinë e Sebajdin Cenës, shtëpia e të cilit – mendoj – shërbeu si një burg i përkohshëm, dhe më pas në Malishevë», tha Antiq për Fondin për të Drejtën Humanitare në vitin 1998. Gazeta Trouw në Amsterdam në dhjetor 1999 citoi një grua serbe nga Rahoveci, e identifikuar vetëm me emrin Mirjana të thoshte se një njeri i quajtur Sebajdin Cena, ish-mësues i saj, ishte i përfshirë në marrjen e serbëve. «Unë dhe prindërit e mi ishim në dasmën e tij. Babai im i dha atij punën e tij të parë. Ai njihej si një nga organizatorët e rrëmbimeve vitin e kaluar (1998)», citoi të ketë thënë gazeta holandeze. Por Cena mohoi që shtëpia e tij të ishte përdorur si një burg i improvizuar për serbët e rrëmbyer: «Ka pasur shumë zëra se vendi ku serbët u mbajtën apo u vranë ishte shtëpia ime. Dihet mirë se ky vend ishte një pronë shtetërore e përdorur nga UÇK-ja», tha ai. «Ua shpjegova prokurorëve se nuk kam pasur ndonjë informacion për krimet e kryera kundër serbëve», shtoi ai.

Situata në komunën e Rahovecit në korrik të vitit 1998 ishte e tensionuar. Forcat e UÇK-së sulmuan qytetin më 17 qershor dhe fshatrat aty pranë të Reti dhe Opterushës të nesërmen. Pesë civilë serbë u vranë në sulme, ndërsa dhjetëra serbë dhe romë u burgosën. Shumë prej tyre do të liroheshin, por 36 serbë, tre romë dhe një malazezë mbetën të zhdukur. Eshtrat e pothuajse të gjithëve këtyre u gjetën në dy varre masive në Volljakë dhe Malishevë në prill dhe maj 2005.

Rrëmbimet vazhduan në vitin 1999. Një raport konfidencial i vitit 2003 nga misioni i UNMIK-ut në Kosovë lidhur me përfshirjen e pretenduar të UÇK-së në trafikimin e organeve njerëzore citoi një dëshmitar shqiptar i cili tha se kishte çuar disa serbë në Shqipëri nga fshatrat Reti dhe «Ocerusa» – me siguri shqiptim i gabuar i emrit Opterushë. Raporti tha gjithashtu se dy serbë të rrëmbyer në Rahovec në vitin 1999, Sinisha Vitosheviq dhe Gradimir Majmareviq, janë parë në ambientet e burgut afër fshatit shqiptar të Tropojës në fund të korrikut ose në fillim të gushtit 1999. Sipas raportit, që nga mesi i vitit 1999 ose para kësaj, 100 deri në 300 persona, kryesisht serbë, u rrëmbyen dhe u dërguan në qendrat e paraburgimit në qytetet e Kukësit dhe Tropojës. Disa prej të kapurve u transportuan në famëkeqen «Shtëpia e verdhë», një shtëpi private afër qytetit të Burrelit, e cila shërbente si një klinikë e improvizuar ku «pajisjet mjekësore dhe personeli përdoreshin për marrjen e organeve nga personat e kapur, të cilët më pas vdiqën», thoshte raporti konfidencial i UNMIK-ut.

Burgje sekrete

Libri i Kujtimit i Kosovës, i përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, regjistron 950 vdekje, vrasje dhe rrëmbime të kohës së luftës në rajonin e Rahovecit nga viti 1998 deri në vitin 2001. Numri i viktimave civile ishte 831 dhe shumica dërmuese e viktimave ishin shqiptarë etnikë – 724 prej tyre. Nga 107 viktimat serbe, rome, ashkali, boshnjake dhe malazeze, 38 rezultojnë ende të zhdukur. Disa nga ata që u morën thuhet se përfunduan në Shqipëri, ku UÇK-ja kishte vende të fshehta paraburgimi, abuzonte me të burgosurit serbë dhe shqiptarë dhe dyshohet se u mori organet disa prej të burgosurve të saj, sipas një raportit të publikuar në 2010 nga raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty. Disa nga të burgosurit përfundimisht u zhdukën, tha raporti.

Ollgica Bozhaniq, sekretare e Shoqatës Familjet e Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur, tha për BIRN se dy vëllezërit e saj nga Rahoveci u rrëmbyen dhe u vranë, ashtu si edhe shumë të afërm të saj. Bozhaniq, e cila ka lindur në fshatin Reti në komunën e Rahovecit, kujton Sabahajdin Cenën para luftës si një mësues i cili shpesh zëvendësonte mësuesit e saj në shkollë të mesme. Pasi filloi të punonte në një farmaci në Rahovec, ajo tha se do ta shihte Cenën në «çdo protestë» që shqiptarët lokalë mbajtën pas përleshjeve me ushtrinë dhe policinë serbe. «Unë nuk e njoh si një njeri të keq. E njoh si një intelektual dhe nuk prisja që diçka e tillë t’u ndodhte të afërmve të mi, por ja që ndodhi. Ashtu siç i ndodhi shumë shqiptarëve që nuk prisnin se diçka e tillë do t’u ndodhte të afërmve të tyre», tha Bozhaniq. Cena u bë profesor i letërsisë shqiptare në vitet 1960. Por për shkak të qëndrimit të tij nacionalist, ai nuk u lejua të jepte mësim në shkollën e mesme të Rahovecit, kështu që në vend të kësaj, ai filloi punë në një profil të ulët në administratën e shkollës. Në vitet 1990, ai u bë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një parti e themeluar dhe e udhëhequr nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili mbështeti rezistencën paqësore ndaj represionit serb. Por Cena sigurisht që ndryshoi mendje rreth luftës së armatosur, sepse në vitin 1998 ai u bashkua me UÇK-në.

Që nga koha e luftës, ai ka qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila u themelua nga presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi. Por ai ka mbajtur një profil të ulët brenda partisë dhe ka punuar deri vonë si pedagog në Universitetin e Prizrenit. Cena beson se Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, e cila do të gjykojë të dyshuarit e paditur nga Prokuroria e Specializuar për krimet e luftës dhe të pasluftës, është një institucion i njëanshëm: «Unë mund të them se kjo gjykatë është politike dhe është një mekanizëm monoetnik kundër shqiptarëve», tha ai.

Shpresa venitet

Familjet serbe që kanë humbur të dashurit gjithashtu dyshojnë se Dhomat e Specializuara të Kosovës do të vendosin drejtësinë që ata kanë pritur gjatë dy dekadave të fundit. Ollgica Bozhaniq tha se për shumë vjet ajo i kishte varur shpresat e saj të shumë prokurorë dhe kishte punuar për të gjetur dëshmitarë për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, por të gjitha pa dobi. «Dëshmitarët tashmë kanë vdekur, pa arritur gjë ndërkohë», tha Bozhaniq. Zvezdan Vitosheviq është i zemëruar për faktin se misioni i OKB-së, UNMIK, dhe forcat paqeruajtëse e NATO-s në Kosovë, KFOR, nuk i mbrojtën serbët nga rrëmbimet pasi forcat e Beogradit u tërhoqën në fund të luftës në qershor 1999. «UÇK-ja punoi publikisht, duke i çuar njerëzit në Stacionin e Zjarrfikësve në Rahovec – jo nëpër shtëpi private por në ndërtesa publike, ndërkohë që KFOR-i dhe UNMIK-u ndodheshin në qytet», tha Vitosheviq. Vitosheviq e ka humbur gjithashtu shpresën se fajtorët më në fund do të nxirren para drejtësisë nga gjykata e re e Hagës, çfarëdo informacioni që Cena mund t’i ketë dhënë prokurorëve. «Nuk pres asgjë nga Dhomat e Specializuara», tha ai.

A mundet ish-komandanti i Kosovës të tregojë fatin e serbëve të zhdukur?