A munden dronët ta bëjnë një shoqëri më transparente?

«Përdorimi i dronëve nga organizatat e shoqërisë civile sjell dobi të mëdha në pasqyrimin real të ngjarjeve, ndërsa rregulla më të qarta mbeten për t’u hartuar», shkruan Tamás Richárd Bodoky nga Hungaria.

Foto: Dmitry Kalinovsky / Shutterstock

Zakonisht të lidhur me idenë e aksioneve ushtarake shkatërrimtare, dronët – ata që nuk përmbajnë armë – po bëhen një mjet thelbësor për shoqërinë civile. Nga një këndvështrim shpendi, ata po ekspozojnë të vërtetën rreth gjithçkaje, nga përmasat e protestave te pasuritë e paligjshme të zotëruara nga elitat e korruptuara politike.

Si një qendër monitoruese për aktivitetin e qeverisë dhe e gazetarisë investigative, organizata jonë ka përdorur dronë për t’i ofruar hungarezëve një perspektivë të re – si në kuptimin e parë dhe në atë figurativ – në ngjarje të rëndësishme të vendit.

Përmes videove të filmuara nga dronët, ne zbuluam asetet e fshehura të politikanëve dhe oligarkëve pro-qeveritarë, përfshirë kështjellat e përfituara nga kompanitë e lidhura me dhëndrin e kryeministrit hungarez. Shenja të tilla të pasurimit personal – që, në shumicën e rasteve mund të filmohen vetëm nga ajri – i dhanë qytetarëve një panoramë të qartë të korrupsionit dhe pabarazisë përreth tyre.

Njëkohësisht, dronët janë të dobishëm për treguar fuqinë e shoqërisë civile. Në vitin 2014, ne kapëm foto nga ajri të protestave kundër taksës së internetit të qeverisë. Së fundmi, ne filmuam marshimin e refugjatëve në Budapest – duke treguar situatën e tyre tragjike, kjo na ndihmoi të kundërshtonim narrativat e qeverisë rreth përshkrimit të emigrantëve si armiq të rrezikshëm apo pushtues.

Në secilin shembull, përdorimi i dronëve na ndihmoi të llogarisnim numrin e njerëzve të pranishëm, një detyrë që ka rezultuar e vështirë edhe për shtypin. Gazetarët e tjerë hungarezë që kanë përdorur dronët me kamera për të mbuluar këto ngjarje, kanë përballur rezistencën e policisë në një numër të madh rastesh, megjithëse ligjet rreth përdorimit të dronëve kanë mbetur të paqartë.

Teksa njerëzit i kthehen dronëve për një shumëllojshmëri synimesh, është e rëndësishme që të vihet një kornizë ligjore në të cilët të mund të operohet. Autoritetet duhet të konsultohen me organizatat e shoqërisë civile dhe gazetarët për të zhvilluar së bashku rregullime, ndërsa marrin në konsideratë të drejtën për privatësi, lirinë e shtypit dhe rëndësinë e mbajtjes të informuar të publikut.

(reporter.al: http://www.reporter.al/a-munden-dronet-ta-bejne-nje-shoqeri-me-transparente/)