A mund të mbijetojë lumi i fundit i paprekur i Evropës?

Digat në Ballkan i rrezikojnë lumenjtë dhe bujqit. Paratë vijnë edhe nga Gjermania. Hidrocentralet gëlojnë, në Shqipëri, Maqedoni, Bosnjë. Mungesa e standardeve të ambientit dhe qeveritë e korruptuara kanë joshur qindra investitorë dhe spekulantë. Edhe Instituti Kreditor Gjerman për Zhvillim po e financon ndërtimin e disa hidrocentraleve. Një ambientalist gjerman përpiqet ta shpëtojë ndoshta lumin e fundit të paprekur të Evropës.

Pamje nga rrugëtimi i lumit Vjosa në Shqipëri. Foto: ollirg / Shutterstock

Ullrich Eichelmann në jetën e tij ka parë shumë lumenj. Rio Xing në Brazil, një degë e Amazonës. Tigrin në zonën kufitare ndërmjet Turqisë dhe Irakut. Aunë e Hainburgut në perëndim të Vjenës. «Asnjëri nuk më ka mrekulluar si ky këtu», thotë ai dhe e shikon ujin tek vijon ngeshëm përmes shtresimeve të rërës dhe zhavorrit: Vjosa.

Eichelmann, 54 vjeç, me këmishë xhinse, fytyrë të rrezitur brune, është ambientalist. Në dorë mban një megafon. Përreth tij shtrihet peizazhi i virgjër i Shqipërisë jugore. Këtu ende parmendat lidhen për gomarësh. Në fshatrat e malësisë ndodh që për ditë të tëra nuk ka furnizim me rrymë. Në një ditë me diell të majit ushton zëri i plumbtë i megafonit të Eichelmannit në njërën ndër fushat afër qytetit të Tepelenës. Ka ardhur prefekti nga fshati i afërt i Qeseratit dhe ngre grushtet me thirrjet për fushatën «Jo Diga!». Disa përkrahës lokalë dhe ndërkombëtarë, ndër të cilët biologë, sportistë dhe bujq u bashkëngjiten atyre zërave.

Fjala është për Vjosën, një «rast model» dhe «perlë», sikur lektisen ata. Nga burimi i saj në Greqi deri në derdhjen në Adriatik, Vjosa rrjedh lirshëm dhe natyrshëm. Ajo fërshëllen përmes grykave të larta, maleve të dendura dhe formon gjarpërime të gjata. Asnjë shtrat betoni, asnjë digë nuk e zbeh relievin e saj prej 270 kilometrave. Askund në Evropë nuk ka një shkallë kaq të lartë ujërash të paprekur sikur në Ballkan. 80 për qind e lumenjve janë në një gjendje të mirë, apo shumë të mirë ekologjike. Vjosa llogaritet si lumi i fundit i paprekur i Evropës.

«Shikojeni këtë shqiponjë!», thërret i mrekulluar Eichelmanni dhe e ngul rremin e tij në ujë. Ai e nget kajakun ujit teposhtë, andej ku së shpejti mund të prishet gjithçka. Përgjatë Vjosës Ministria Shqiptare e Energjetikës dëshiron të ngrejë tetë diga. Këtyre u shtohen edhe hidrocentrale të shumta të vogla në derdhje. Në parkun kombëtar Bredhi i Hotovës më në veri tanimë janë tri centrale të këtilla, të cilat Eichelmann dhe shoqata e tij joqeveritare «RiverWatch» dëshirojnë t’i pamundësojnë. Burimet termike, një atraksion i pëlqyer turistik, për shkak të konstruksioneve për një kohë janë tharë. Gjithnjë e më shumë investitorë dëshirojnë të kapin një koncesion këtu.

Në prurjet e Vjosës pritet të ngrihen disa hidrocentrale. Foto: ollirg / Shutterstock
Në prurjet e Vjosës pritet të ngrihen disa hidrocentrale. Foto: ollirg / Shutterstock

Jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani po bëhet një shesh lojërash për investitorët, të cilët në mënyrë të shpejtë dhe pa ndërlikime dëshirojnë të ngjiten në biznesin e hidrocentraleve që po lulëzon. 2’700 hidrocentrale janë në planifikim në gjithë rajonin, sipas Eichelmannit dhe OJQ-së së tij, RiverWatch. Më shumë se çereku i tyre tanimë janë vendosur. Sipas Bank Watch, rreth 1’000 firma të ndryshme dhe donatorë janë të përfshirë në këto hidrocentrale. Në vendet si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria apo Bosnja lypsen vetëm rrallë vlerësime të ndikimit mjedisor. «Edhe nëse kërkohen», kritikon Eichelmann, «për to nuk ia vlen letra në të cilën janë shkruar». Rryma nga energjia ujore e ka një imazh të mirë dhe në krahasim me energjinë diellore një lobi të fortë. Kush investon në kohë të transformimit klimatik në energjinë ujore, në shikim të parë e ka një jelek të gjelbër eko. Ndikimet negative në ambient tematizohen rrallë. Politika dhe ekonomia e stimulojnë këtë sektor në vend që t’i kritikojnë e le më t’i sanksionojnë projektet e dyshimta.

Eichelmann i ka varur shpresat te Ulrike Lunacek, zëvendëspresidente e Parlamentit Evropian dhe shefe e delegacionit të të gjelbërve austriakë. Në një prononcim të Parlamentit Evropian lidhur me raportin për zgjerim të Komisionit për Shqipërinë, Lunaçek e bëri Vjosën për herë të parë temë në Bruksel. Në nenin 23, Qeveria shqiptare thirret «ta ruajë pacenueshmërinë e parqeve ekzistuese nacionale (…) dhe ta përmirësojë cilësinë e vlerësimeve të ndikimit mjedisor».

Mirëpo, roli i UE-së nuk është ai i kalorësit të bardhë. Përkundrazi. Bumi financohet pikërisht edhe nga bankat shtetërore dhe investitorët privatë nga vendet anëtare. Ndër aktorët më të rëndësishëm bëjnë pjesë edhe banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Banka Evropiane e Investimeve (EIB). Edhe Instituti Kreditor Gjerman për Rindërtim (KfW), me seli në Frankfurt, sipas Bank Watch, e ka marrë përsipër financimin e katër centraleve në zona të mbrojtura natyrore në Maqedoni. Dy centrale të tjera po ngrihen në Bosnjë. Sipas OJQ-së EuroNatur, në tavolinë ekzistojnë plane për shqyrtimin e një qendre tjetër. Me këtë, departamenti i biznesit të KfW-së dhe ndërmarrja e saj bijë DEG është e përfshirë në shtatë centrale në Evropën Juglindore.

«Ne kërkojmë projekte të qëndrueshme në vend dhe jashtë tij», mund të lexohet në faqen e internetit të grupit bankar të KfW-së. Si shkon kjo me centralet në zonat e mbrojtura natyrore?

«Nuk ka ndonjë kërcënim të zonave natyrore nga centralet e financuara, përkatësisht financimet e planifikuara për hidrocentrale nga KfW-ja», shkruan zyra e saj e shtypit me kërkesë të correctiv.org-së. Aty ku ndërtohet ka edhe një «studim gjithëpërfshirës të ndikimit mjedisor dhe social». Për shembull, për hidrocentralin prej 14 megavat Janjici në Bosnjë-Hercegovinë. Atje, sipas KfW-së, janë marrë një sërë masash kompensimi.

Janjici është ende një ëndërr nën diell. Centrali duhet të ngrihet në një prurje të Bosnës, lumit të tretë në vend për nga madhësia në Bosnjë. Shumë rrjedhje të tij, sikurse Lashva, ku dëshiron të ndërtojë KfW-ja, janë habitate të Huchos. Hucho, i njohur edhe si salmoni i Danubit, ose peshku i kuq, më 2015 në Gjermani u shpall «peshku i vitit». Ballkani është një fole botërore për këtë specie peshku të rrezikuar nga zhdukja. Dy të tretat e të gjithë lumenjve, ku jeton salmoni i Danubit, shushurijnë përmes Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë. Gati 100 centrale janë planifikuar të ngrihen përgjatë këtyre lumenjve të Huchos. Në një studim të vitit të kaluar, OJQ-të RiverWatch dhe EuroNatur parashikonin që nëpërmjet këtyre konstruksioneve numri i Huchove në Ballkan do të zvogëlohej deri në 70 për qind, kurse rezervat globale të tij – deri në 40 për qind. Atëherë, si është e mundur që KfW-ja e merr një licencë në një zonë kaq të ndjeshme?

Ia vlen që t’i shohësh më nga afër këto vlerësimet e ndikimit mjedisor. Në rastin e centralit «Janjici», studimin e ka kryer ndërmarrja më e madhe energjetike në Bosnjë: JP Elektroprivreda BiH. Ambientalistët e EuroNatur-ës dyshojnë që kjo ndërmarrje këtë detyrë nuk e ka fituar në mënyrë neutrale. Si furnizuesi më i madh i vendit me energji, «JP»-ja është e interesuar për projekte të reja. Përkatësisht rezultati është: ndërtimi i projektit është i padëmshëm. Studimin e ka financuar grupi bankar gjerman KfW.

Në Maqedoni shoqëria bijë e KfW-së, DEG, po ndërton në zonat e mbrojtura natyrore. Këtu, sipas zyrës së shtypit, flitet për «hidrocentrale shumë të vogla, pa rezervuare të mëdha me një forcë prej 0,6 deri 1,4 megavat». Kur ndërtohet në zona të mbrojtura natyrore, sipas KfW-së, sigurisht se ka një dakordim me autoritetet e lejeve, si dhe me administratën e parkut.

Por, edhe centralet e vogla janë gjithçka tjetër, pos të paqme. Kjo fillon që te infrastruktura, si ngritja e rrugëve a tunelit, të cilat nuk kanë efekte vetëm te lumi, por edhe në regjion. «Centralet e vogla në lumenj të vegjël kanë pasoja të ngjashme deri njëlloj negative, sikur centralet e mëdha në lumenj të mëdhenj», kritikon Theresa Schiller nga OJQ-ja EuroNatur. Nga pikëpamja energjetike, për më tepër, këto centrale të vogla sjellin pak. Nga 23’000 hidrocentralet e lajmëruara në UE, 21’000 janë më të vogla se dhjetë megavat. Të gjitha centralet e vogla bashkëprodhojnë vetëm nëntë për qind të rrymës nga energjia ujore.

«Këtu nuk është fjala për rrymë, por për investim», thotë ambientalisti Ulrich Eichelmann. Ai thotë se lobi i energjisë ujore pas krizës ekonomike botërore më 2008 ka përjetuar një disponim prej gërmuesish të arit. «Imobiliet nuk e kishin më asnjë vlerë, kështu ndërmarrjet ua mësynë lumenjve.» Por, përse pikërisht në Ballkan?

Në vendet e ish-Jugosllavisë, të cilat janë fort të varura nga jashtë, korrupsioni është përhapur gjerësisht. Popullata civile, e dominuar nga një sistem autoritar, e ka një kulturë të ndruajtur proteste. Në vende të varfra si Shqipëria, ku papunësia është te 17 për qind, mbrojtja e ambientit është çështje dytësore. Për më tepër, vendi me tre milionë banorë vuan për mungesë të energjisë. Sipas autoritetit amerikan për zhvillim USAID, gjysma e rrymës humb për shkak të infrastrukturës së këputur. Deri para pak vitesh, vjedhja private e rrymës, një sëmundje postkomuniste e përditshmërisë, ishte e përhapur gjerësisht.

Importi i energjisë nga jashtë është i shtrenjtë. Kështu qeveria kërkon investitorë, me shpresën që këto ndërtime pas disa dekadave do t’i sjellin të ardhura arkës së shtetit. Njeriu, i cili kishte shpallur se do t’i jepte fund çmendurisë së digave, është Edi Rama, nga shtatori i 2013-tës kryeministër. Si prefekt i Tiranës ai e gjelbëroi qytetin, pastroi lagje të tëra dhe i ngjyrosi fasadat e shtëpive me bojëra të larme. Për reformat e tij në imazhin e qytetit ai u laureua nga Kombet e Bashkuara. Kush shëtit në brendi të Tiranës, e sheh në çdo të dytën kthesë se çfarë ka sjellë Edi Rama. Vetëm në rrugicat anësore kabllot e telefonit, të rrymës dhe internetit e përbëjnë një rrjet të dendur, të ngatërruar mbi kokë. Sidomos në fshatrat e vogla të vendit mungon infrastruktura e re.

Digat e planifikuara në Vjosë do ta cenojnë imazhin e deritanishëm të mirë të Ramës. Në fushatën zgjedhore, kryetari i Partisë Socialiste kishte shpallur ngritjen e parkut të parë të lumit të paprekur të Evropës. Tani më nuk flitet për këtë. Rama sot thotë vetëm se qeveria e pararendësit është përgjegjëse për dhënien e licencave.

Vjosa kalon një rrugë prej 270 kilometrash, pa asnjë ndërhyrje deri më tani. Foto: ollirg / Shutterstock
Vjosa kalon një rrugë prej 270 kilometrash. Foto: ollirg / Shutterstock
Ngeshëm. Foto: ollirg / Shutterstock
Ngeshëm. Pa asnjë ndërhyrje. Foto: ollirg / Shutterstock

Atëbotë, në verën e 2015-tës edhe Ullrich Eichelmann ka negociuar me ministrin e Energjetikës. Sot ai është i sigurt që Rama po e luan një lojë të dyfishtë. Sepse, në një vit e gjysmë të kaluar qeveria ka dhënë 120 koncesione për hidrocentrale. «Është një garë me kohën», thotë Eichelmann, «dhe ne duhet ta fitojmë atë».

Me përjashtim të disa degëve, Vjosa është kursyer nga projektet ndërtuese. Ende. Në krahasim me ato digat e vogla të financuara nga KfW-ja në Maqedoni, centralet që duhet të ngihen këtu janë gjigante. Nga pasojat e tyre nuk do të prekeshin vetëm kafshët dhe bimët, por edhe bujqit, të cilët në bregun pjellor të saj mbjellin perime dhe drithë. Eichelmann parasheh që nëse pak kilometra më poshtë rrjedhës së lumit do të ngrihet njëra prej tetë digave të planifikuara, fushat në afërsi të fshatit Qeserat do të qëndrojnë 55 metra nën ujë. Ky vend quhet Kalivaç, një pendë në shkëmbin e së cilës janë vënë shkallët për murin e digës. 350 metra gjerë, gati 50 metra lart. Por, ekskavatorët dhe makineria e ndërtimit në breg duken sikur nuk janë prekur prej vitesh. Plani i ndërtimit, në kuptimin e plotë të fjalës, ka ngecur.

Historia e kantierit që pran nga 2012-ta të kujton një melodramë mafioze. Investitori, një ndërmarrës italian dhe menaxher futbolli i quajtur Francesco Becchetti, u zhduk kur çmimi i rrymës për një kilovat/orë ra në mënyrë të papritur. Qeveria shqiptare ngeli në kantierin e tij të hapur. Becchetti ka marrë miliona për diçka që deri më tani nuk e ka ndërtuar – thotë akuza e Prokurorisë shqiptare. Atij i ngarkohen delikte mashtrimi dhe shpëlarje parash. Në një prononcim të faqes së internetit të klubit të tij anglez «Leyton Orient», hetimet kundër tij ai i quan si «të motivuara politikisht».

«Rasti Becchetti» u jep ambientalistëve pak kohë. Por, disa kilometra më tutje pret rreziku tjetër. Në afërsi të Poçemit, ndërmarrja turke «Ayen Enerji» ka shtënë dorë rishtas një licencë. Edhe këtu do të përmbyten toka nga një digë prej 25 metrash e lartë. Për bujqit, kjo është humbje e ekzistencës së tyre, e cila nuk mund të kompensohet edhe me një dëmshpërblim financiar. Po për ambientin?

Friedrich Schiemer, ekolog në Universitetin e Vjenës, para shumë vitesh ka fluturuar me avion mbi Vjosë. Nga kjo kohë ai është i mrekulluar nga bukuria e saj. Deri më sot nuk ka studime për këtë lumë, çka e bën atë një parajsë për studiues dhe biologë. «Nuk mund thjesht të fillosh me ndërtimin, pa njohuri paraprake», kritikon ai. Nëse centralet ndërtohen, Schiemer parasheh një përkeqësim të cilësisë së ujit të pijes. Alga të kaltra helmuese, të cilat formohen në basene, kanë pasoja dramatike për larminë e llojeve. Fusha e lumit, përveç peshqve, strehon edhe insekte, krahëpushore, kërmij dhe midhje, sikur flamingo rozë, qafëgjata të mëdha, lakuriqë dhe ngjalë evropiane të rrezikuar nga zhdukja. Shumë lloje nuk do të mund ta mbijetonin rrymimin që krijohet nga centralet. Profesor Schiemer që këtë verë dëshiron të udhëtojë në Shqipëri për të mbledhur të dhëna për Vjosën.

Në breg të Vjosës. Foto: ollirg / Shutterstock
Në breg të Vjosës. Foto: ollirg / Shutterstock

Ullrich Eichelmann ka udhëtuar në kryeqytetin Tiranë për të protestuar. Por, para ndërtesës së Qeverisë zor se ka më vend. Punëtorë lokalë të një firme tundin me hidhërim grushtet, pasi prej muajsh nuk kanë marrë rrogë. Ambientalistët dhe punëtorët solidarizohen me njëri-tjetrin. Vërtet, ata këtu janë për të njëjtën gjë: shkalla e lartë e korrupsionit të politikanëve shqiptarë. Nën flamujt dhe megafonat e punëtorëve përzihen edhe ambientalistët, të cilët i ngrenë në ajër rremat e tyre, si të ishin heshta.

Për çka është fjala në të vërtetë te këto centrale të shumta në Ballkan? Për rrymë a për përfitime? Specialistja shqiptare e hidrocentraleve Rudina Toto nga Universiteti Polis në Tiranë dyshon nëse përdoruesit e fundit, e lëre më popullata e vendit do të përfitojnë nga këto projekte: «Energjia ujore nuk është edhe aq ekologjike, sa ç’mendojmë ne. Efektet e saj në natyrë janë enorme». Prandaj, ambientalistët shtyhen për një sistem energjetik të balancuar. Këtu bën pjesë edhe shfrytëzimi dhe modernizimi i centraleve të ndërtuara në kohërat e socializmit. Shqipëria, që momentalisht 98 për qind të rrymës e merr nga energjia e ujit, duhet të fokusohet më shumë në energji diellore. Për më tepër, duhet të ketë zona mbrojtëse, në të cilat nuk guxon të ndërtohet.

Për ambientalistin Eichelmann, në lojë është morali i Evropës. Vende si Shqipëria, Kosova apo Maqedonia janë vende kandidate për në UE. «Ne po bëjmë sehir, si industria në Ballkan është duke prishur me shpejtësi diçka, që në UE do të ishte ndaluar me kohë».

(correctiv.org) ks