A i shkoi Rusisë huq grusht shteti në Mal të Zi?

Një rrëfim i mistershëm i spiunazhit, diplomacisë dhe intrigave në Ballkan sugjeron se shërbimet sekrete të Rusisë po operojnë në përmasa të pashembullta, «The American Interest».

Milo Gjukanoviq.

Një lajm i jashtëzakonshëm doli në ditën e zgjedhjeve parlamentare të Malit të Zi më 16 tetor: shërbimet malazeze të sigurisë arrestuan 20 shtetas serb që dyshoheshin se po përgatisnin një sulm në institucione të ndryshme shtetërore atë natë, në kohën kur po pritej rezultati i zgjedhjeve. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një gjeneral i pensionuar serb, që ishte edhe prijës i një lëvizjeje nacionaliste djathtiste me seli në Novi Sad, pothuajse pesëqind kilometra larg në rajonin e Vojvodinës në Serbi.

Reagimi i menjëhershëm i Serbisë kishte doza mosbesimi të maskuar me finesë. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi që të ofroheshin dëshmi për komplotin dhe shumë anëtarë të opozitës malazeze, që përbëhet prej një numri të madh të pjesëtarëve të pakicës serbe në Malin e Zi, pretendonin se kryeministri Milo Gjukanoviq dhe shërbimet e tij sekrete kishin lartësuar flamurin e një operacioni të rrejshëm me qëllim të betonimit të fitores.

Dy ditë më vonë, prokurori special malazez, Milivoje Katniq, ngulmoi se do të ishte i lumtur po të ndante dëshmitë që kishin mbledhur hetuesit e tij dhe se «masakra e pashembullt» ishte parandaluar me kryerjen e arrestimeve. U zbardhën edhe hollësi të tjera të puçit: plani ishte që disa individë të hynin në ndërtesën e Kuvendit në kryeqytetin Podgoricë, me unfiroma të shërbimeve elitare të sigurisë të Malit të Zi, dhe që t’i nënshtronin gardianët. Ata pastaj do të hapnin zjarr në drejtim të përkrahësve të opozitës jashtë ndërtesës së kuvendit, ku po prisnin rezultatin e zgjedhjeve. Në fund, ata do të rrëmbenin kryeministrin, dhe ose do t’i shpallnin zgjedhjet të pavlefshme, ose në njëfarë forme ta kurdisnin rezultatin në favor të opozitës.

Në atë pikë, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e kryeministrit Gjukanoviq, kishte fituar shumicën e votave dhe ishte në negociata për të krijuar koalicionin e ri qeveritar. Gazetarët e huaj perëndimor nuk po i kushtonin më vëmendje zgjedhjeve. Konspiracionet e krisura janë fakt në jetën e përditshme politike në Ballkan. Dhe megjithëse kishte raportime për parregullsi në procesin zgjedhor, margjina e DPS-së korrespondonte pak a shumë më anketimet e kryera para zgjedhjeve. Nuk kishte më asnjë lajm në këtë proces.
Por historia nuk kishte të sosur.

Në fillim të javës së kaluar, kryeministri serb mbajti një konferencë për media. Vuçiqi, që dukej i lëkundur, konfirmoi se në fakt kishte një komplot për vrasjen e Gjukanoviqit. Një tjetër grumbull unfiromash dhe një shumë prej 120 mijë eurosh para në dorë ishin gjetur në Serbi, theksoi Vuçiq, duke shtuar se ishin arrestuar edhe disa shtetas serbë. Ai theksoi se asnjë politikan, në Serbi a Mal të Zi, nuk ishte i përfshirë në planfikim, por ai më fort drejtoi tërthorazi gishtin kah «shërbimet e huaja, nga Perëndimi dhe Lindja», dhe tha se i pret punë e madhe ata që janë arrestuar.

Dhe të enjten e javës së kaluar, plasi një tjetër bombë: e përditshmja «Danas», duke cituar burime të larta në qeveri, raportonte se Serbia kishte dëbuar tinëz shtetas rusë në lidhje me komplotin në Malin e Zi. Për më tepër, gazeta raportonte se serbët e arrestuar më parë kishin në pronësi shumë pajisje që mundësonin enkriptimin e komunikimeve, si dhe teknologji të paspecifikuar të sofistikuar, që ishte përdorur për të përgjuar vendndodhjen e Gjukanoviqit. Disa prej serbëve të arrestuar raportohet se kishin luftuar në anën ruse në Donbas në Ukrainë.

Dhe krejt papritur u bë që Nikolai Patrushev, ish-drejtues i FSB-së (shërbimit sekret rus) dhe drejtues aktual i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, ia behu në Beograd. A mund të ketë qenë e lidhur vizita e tij me dëbimin e atyre që duket të kenë qenë agjentë rusë? Dhe rrëfimi pothuajse i harruar për intrigën zgjedhore në një vend të vogël ballkanik prej 600 mijë banorësh, po përfshinte krejt papritur edhe fqinjin e tij më të madh, madje po implikonte edhe Rusinë në një grusht shtet me pasoja të mundshme botërore.

Zgjedhjet malazeze ishin formësuar kaherë prej Gjukanoviqit si referendum për vendimin e tij për të fuqizuar edhe më shumë integrimin euroatlantik të vendit të tij. Dhe votimi ishte më shumë se një përpjekje për mandat simbolik: Mali i Zi ka kompletuar negociatat e anëtarësimit në NATO në maj dhe tani i duhet edhe parlamentit ta ratifikojë marrëveshjen. Po të fitonte opozita, përpjekja malazeze për anëtarësim në NATO do të binte në fund të pusit. (Shtetet anëtare të NATO-së pritet që pastaj të ratifikojnë deri në pranverë anëtarësimin e Malit të Zi.)

Kalkulimi i NATO-së për pranimin e Malit të Zi, shtet që ka telashe edhe me transparencën dhe lirinë e shtypit, ishte i dukshëm sheshit: Shqipëria dhe Kroacia tashmë janë anëtare, dhe pranimi i Malit të Zi de fakto ia mbyll daljen në Adriatik ushtrisë së Rusisë. Vetë Gjukanoviqi, që ka mbajtur frenat e pushtetit shumicën e kohës për më shumë se dy dekada, dyshohet se ka lidhje të drejtpërdrejtë me rrjete të ndryshme trafikimi dhe mafioze që operojnë në vendin e tij. Afërmendsh se si aleancë e mbrojtjes, NATO-ja, është para së gjithash e shqetësuar me reformat që lidhen me forcat e armatosura të vendit aspirues dhe në këtë pikë duket se Mali i Zi ka shënuar përparim. Dhe natyrshëm ta ha mendja se korrupsioni i përmasave të mëdha do të sfidohet në kohën kur vendi t’i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Europian. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, përveç interesave strategjike, do ta vërë vendin edhe në rrugën drejt këtyre ndryshimeve.

Rusia nga ana e saj ka qenë fort e acaruar me orientimin perëndimor të vendit, dhe sidomos për shkak të aspiratave malazeze për NATO-n. Iritimi rus ka dy arsye – kryesori lidhet me interesin strategjik dhe së dyti me atë ekonomik.

Kur bëhet fjalë për atë strategjik, Rusia e sheh garën e saj me NATO-në si lojë të humbur. Megjithëse Moska nuk ka ndërmarrë masa për të afruar Malin e Zi për bashkëpunim në çështje ushtarake, anëtarësimi në NATO mbyll edhe mundësinë e vetme që Rusia të ketë një dalje në një pikë në Adriatik në të ardhmen në një shtet mik. Dhe kjo është shuplakë turinjve Moskës. Dhe për këtë e fajëson Perëndimin.

Kthimi kah Perëndimi i Malit të Zi vë edhe njëfarë precedenti të sikletshëm për aleaten më të madhe të Rusisë në rajon, Serbinë. Kryeministri Vuçiq ka luajtur me kujdes kartën e dyfishtë në këtë drejtim, duke i thënë pa bujë Perëndimit se synon integrimin e vendit në rrugën perëndimore, njëherësh duke folur publikisht për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Moskën. Opinioni publik serb vazhdon të mbetet i acaruar kundër NATO-së dhe të shpreh afërsi të madhe me Rusinë. Por me kalimin e kohës. Kremlini me siguri po llogarit se gjendja mund të ndryshojë.

Edhe interesat financiare kanë rol në frustrimin rus. Mungesa e lartëcekur e transparencës e bën Malin e Zi destinacion atraktiv për paratë ruse, pjesa më e madhe e të cilave kanë prejardhje të dyshimtë. Shumë shtetas rusë kanë ndërtuar pushimore verore në mal të Zi – 25 për qind e të gjithë turistëve të Malit të Zi janë rusë, dhe dikush pretendon se shtetasit rusë kanë 40 për qind të patundshmërive në shtetin e vogël ballkanik.

Oleg Deripaska, një prej rusëve më të pasur në Rusi para krizës financiare më 2008 dhe ende një njeri me lidhje të forta brenda Kremlinit, është njeri me peshë në Malin e Zi. Saga e përfshirjes së Deripaskas me fabrikën e aluminit në Mal të Zi, KAP, është e kahershme dhe plot intriga. Gjukanoviqi e kishte negociuar personalisht privatizimin e KAP-it më 2005 dhe kompania e Deripaskas, «En Holding» e ka akuzuar së fundi qeverinë për kompensim prej 700 milionë eurosh të shtetit që ka Bruto Prodhimin Vendor prej 4.25 miliardë eurosh. Përtej luksit, kapitali rus prej më shumë se një miliardë eurosh vazhdon të vërshojë çdo vit vendin. Shumica e parave investohen në patundshmëri dhe komplekse kazinosh. Vetë Deripaska është investitor i madh në projektin e marinës malazeze, që parashihet të ketë superjahte për pasanikët më të mëdhenj të botës. Paraja ruse llogaritet se përbën një të tretën e investimeve të përgjithshme të huaja në vit.

Qeveria e Gjukanoviqit duket se ka nxjerrë përfundimin se varësia e madhe nga një burim i jashtëm kapital nuk është punë e meçur si strategji afatgjate. Dhe derisa rusët e kamur nuk e kanë telash që të parkojnë paratë e tyre në shtete të BE-së dhe NATO-së, një vend i vogël, si Mali i Zi, pro-perëndimor, nuk paraqet përjashtim. Nuk e kanë këtë hall elitat ruse kuazigangstere dhe padyshim se statuskuoja është e preferuar. Dhe politika e jashtme ruse është përherë atraktive për nevojat e kleptokratëve rusë.

Pavarësisht prej rrënjëve të tij, Kremlini nuk e ka fshehur pakënaqësinë kundër pretendimeve të Malit të Zi. Ministria e Jashtme ruse e ka quajtur anëtarësimin malazez «hap të hapur konfrontues, me mashtrime për pasoja të reja destabilizuese për sistemin e sigurisë euroatlantike». Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë dhe më ndjellakeq: «Moska ka thënë përherë se zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-së, i infrastrukturës së NATO-së në Lindje, nuk çon askund tjetër pos një kundërpërgjigjeje nga lindja, që është nga Rusia», ka deklaruar ai.

Sipas anketimeve të trumbetuara prej qeverisë së Gjukanoviqit, përkrahja për anëtarësim në NATO në Mal të Zi duket se është rritur sivjet. Megjithatë, po vazhdojnë ndasitë në baza etnike: Shqiptarët dhe boshnjakët etnikë – pakica të vogla – përkrahin me të madhe hyrjen, shumica e malazezëve etnikë e përkrahin fort anëtarësimin, dhe janë shumica e serbëve që kundërshtojnë. Gjukanoviqi ka akuzuar partitë opozitare serbe për marrje të parave ruse, akuzë e hedhin poshtë liderët opozitarë. Njëherësh, partitë opozitare kanë përkrahur me vendosmëri linjën ruse kur ka ardhur puna te NATO-ja, dhe kanë ngritur e fuqizuar zërat antiperëndimorë dhe prorus në mesin e politikanëve nacionalistë matanë kufirit në Serbi.
Ato forca irridentiste serbe në Mal të Zi do të bashkëpunonin me paramiltarët në Serbi shumë lehtë për t’ia përplasur fytyrës kujtdo që do të mund t’u dilte në rrugë në Ballkan. Ngjashëm, edhe rusët do të josheshin për të shfrytëzuar ndasitë etnike për hesape të veta dhe askush nuk do të habitej në këtë pikë.

Rusia mund të ketë pasur gisht në grusht shtet kundër një shteti që po peshon mundësitë për anëtarësim në NATO, megjithëse është zhvillim i ri dhe që po sjellë kokëçarje.
Por sa të vërteta ka në pretendimin se Rusia mund të ketë qenë pas një puçi të dështuar? Dëshmitë aktuale, megjithëse nuk janë zbardhur të gjitha, janë sugjestive.
Dihet mirëfilli se shërbimet ruse të inteligjencës kanë operaruar lirshëm në Serbi kaherë. Por nuk është ditur se aktiviteti i tyre është rritur kohëve të fundit. Një koleg në rrjedha me zhvillimet në Ballkan më thotë se spiunët rusë po i përgjojnë të huajt në Beograd dhe rrethinë, duke përdorur teknika që deri vonë përdoreshin vetëm ndaj diplomatëve të huaj në Moskë. Derisa kryeministri Vuçiq thuhet se nuk i ka autorizuar këto veprime, deri tash nuk ka ndërmarrë asgjë për t’ua ndalur turrin.

Natyra e vërtetë e vizitës së Patrushevit në Beograd është në thelb të çështjes. Ministri serb i punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, pretendoi se udhëtimi nuk ishte i papritur – se ishte planfikuar më parë dhe se ishte vizitë e zakonshme shtetëror për një zyrtar të lartë rus. Arsyeja zyrtare për udhëtimin e tij, sipas Stefanoviqit, ishte diskutimi i nënshkrimit të një memorandumi të propozuar për bashkëpunim sigurie.

Publikimi më autoritativ që ka sfiduar këtë pretendim, mbase për habi, ishte e përditshmja për çështje ekonomike ruse, «Kommersant», që raportonte se qëllimi i vërtetë i vizitës «së papritur» të Petrushevit ishte për «diskutimin e ‘çështjes malazeze’» dhe për «parandalimin e skandalit që do të prishte marrëdhëniet serbo-ruse». «Kommersant» raportonte se dyshohej se Patrushev kishte mbajtur takime të ndara prapa dyerve të mbyllura me Stefanoviqin, ministrin e Jashtëm, kryeministrin, madje edhe me presidentin Tomislav Nikoliq, lidhur me një marrëveshje që tashmë ishte diskutuar dhe në vetvete ishte detyruese. Duke cituar burime të paidentifikuara në Beograd, gazeta raportonte se duket se ka qenë e suksesshme ndërhyrja e Patrushevit.

Mbetet të shihet se sa e sukseshme ka qenë ndërhyrja – nëse ishte tamam ndërhyrje! Ta zëmë, derisa Stefanoviqi mohonte se se ishte përzënë ndonjë rus, Vuçiqi ishte lëkundur paksa kur ishte pyetur me ngulm prej gazetarëve për raportet për dëbimet dhe lidhjen e tyre me Malin e Zi. «Nuk është korrekte gjithçka në pyetjen tuaj, ka diçka të rrejshme», deklaroi me cinizëm kryeministri serb, duke theksuar se ligjërisht nuk mund të fliste më shumë për këtë çështje. Ministria ruse e Punëve të Jashtme i konsideroi «krejtësisht të rrejshme» raportet se ishin dëbuar agjentë rusë.

Marrë bashkërisht, të gjitha dëshmitë ende janë të copëzuara dhe duke parë ndjeshmërinë e çështjes, gjithçka mund të mbetet e mjegullt. Dhe si të gjitha rrëfimet që lidhen me spiunët, spekulimet nuk kanë të sosur. Sidoqoftë një zhvillim i fundit, që ka ndodhur derisa po shkruhej ky shkrim, ia vlen të theksohet fort: është gjetur një sasi e madhe armësh, një granatë e tipit RPG, shumë granata dore dhe municion për armë automatike dhe një snajper në pyje afër shtëpisë së kryeminitrit Vuçiq. Sasia ishte vendosur afër rrugës përgjatë së cilës do të kalonte kryeministri Vuçiq me makinën e blinduar, ku do të ngadalësonte shpejtësinë rrugës drejt qendrës së Beogradit. Raportohet se Vuçiqi ishte vendosur në një shtëpi të afërt të sigurt prej gardianëve dhe se po pret rezultatet e incidentit.

Derisa faktet të mbesin të mjegullta, padyshim se diçka ka ndodhur. Vuçiqi ishte i pasigurt në konferencën për media të hënën e javës së kaluar kur e pranoi se kishte përpjekje të vërtetë për kompot kundër Gjukanoviqit, por ai me siguri se nuk e dinte deri në atë moment se në deri çfarë shkalle mund të kishte lëvizje të tilla që kryheshin lirshëm nëpër vendin e tij. Me siguri se deri atëherë kishte toleruar aktivitetet ruse deri, dhe nëse përnjëmend janë përzënë agjentët rusë javën e kaluar, me siguri se kjo tregon që ai mendon se gjërat po dalin prej kontrollit. Ai mbase e ka kuptuar se loja në njërën anë pa bujë me Perëndimin dhe flirtimi i hapur me Rusinë mund të përfundonin në një katastrofë që do të sillte gjakderdhje në Mal të Zi. Mbase pavarësisht prej luftës për pushtet, lëvizjet e Vuçiqit mund të sjellin zhvillime të tjera në Serbi – dhunshëm, qysh është tradita.

Por shikuar prej një prizmi më të gjerë, nëse ky rrëfim, siç jam munduar ta parashtroj, është i vërtetë dhe nëse rusët përnjëmend ishin të përfshirë në përpjekjen e dështuar për puç kundër një vendi sovran që po mundohet të lidhet me Perëndimin, duhet t’i bëjë të vënë gishtin në kokë ata që mbrojnë fort tezën e tyre se ende mund të ruhet njëfarë baraspeshe me Kremlinin. Në konferencën në Valdai javën e kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, la të kuptohej se nuk ia vlente të diskutohej me Shtetet e Bashkuara. Me shtetin rus në duar të spiunëve të vjetër, duket se diskutimi do të zhvillohet skutave, ku këta njerëz ndihen më së miri.