A i duhet Vetëvendosjes një mediator i jashtëm?

Konflikti mes grupeve në VV po merr përmasa absurde. Dorëheqjet dhe fushatat kundër të dorëhequrve po i ngjajnë kërcimit të gjelave. Komunikimi po zhvillohet nga distanca - përmes mediave sociale. Ndoshta VV-së i duhet një mediator i pavarur, me autoritet, i cili do të angazhohej për të mundësuar komunikimin direkt mes kampeve të ndryshme. Ndryshe VV për çdo ditë do ta humbë edhe më shumë kredibilitetin.

Ilustrimi: Shutterstock



Edhe një dorëheqje në Lëvizjen Vetëvendosje. Edhe një largim nga Lëvizja Vetëvendosje. Edhe një letër nga Lëvizja Vetëvendosje. Edhe një goditje nga «Grupi i Albinit». Edhe një kundërgoditje nga «Grupi i Molliqajt». Pastaj debatet në rrjetet sociale, jo ti ke thënë kështu, jo unë kam thënë ashtu, jo unë kam sakrifikuar shumë, jo ti nuk ke bërë asgjë. Sikur kjo të mos mjaftonte: çdokush që ka një fjalë kritike për Albin Kurtin, automatikisht shndërrohet në puçist.

Nga ana tjetër: të pakënaqurit akuzojnë Kurtin për fushata kundër çdokujt që përfaqëson mendim ndryshe, kritikë apo që manifeston pakënaqësi. Është krijuar përshtypja se të aderuarit e viteve të fundit edhe kur marrin poste në parti, janë vetëm sa për dekor, sepse fjalën e fundit e kanë «themeltarët», «komisarët» dhe «baballarët». Disa takohen në kafe, disa në seli të partisë, pastaj të dy palët grinden për shkrimet që i lanson një portal, të cilin e quajnë «portal i Molliqajt».

Kjo gallatë, kjo zhurmë nuk është më interesante për publikun, sepse tregon vetëm paaftësinë e të dy palëve për të diskutuar si njerëz të civilizuar, të cilët shërbimin ndaj vendit e kanë parësor. Së paku kështu kanë thënë dhe me këtë premtim i kanë marrë votat. Kështu VV është bërë partia e parë politike në Kosovë. Dhe po të ishte parti serioze do të arrinte të qëndronte e bashkuar, madje edhe me mendime të ndryshme.

Debatet në stilin «ju që po largoheni nuk do të hynit kurrë në parlament po të mos u pranonte Kurti në parti» janë shterpe. Qesharake. Autorët e këtyre debateve duhet të përgjigjen në pyetjen: ku do të ishte VV sot po të mos hapej, të mos kishte aderime të figurave edhe liberale? A do të fitonte VV në Prishtinë me kandidatë si Hysen Durmishi? Por as Shpend Ahmeti nuk do të fitonte pa mbështetjen e gjerë të elektoratit të VV-së. Me FER-in kemi qenë dëshmitar si përfundoi.

Po të mos hapej e reformohej pak, VV do të ishte ende duke rrotulluar vetura, duke shkruar parulla për çlirimin e Çamërisë – dhe Albin Kurti duke parë ëndrra se cilën kravatë do e bart ditën kur si kryeministër do të nënshkruajë emërimin e kryebashkiakut të Korçës, shefit të ofiçarisë në Mallakastër dhe ambasadorit të «Shqipërisë etnike» në Pekin. Nuk ka njeri serioz që ia mohon Albin Kurtit meritat dhe talentin politik, por kjo s’mjafton. Duhet edhe një aftësi menaxheriale për të mbajtur partinë bashkë. A do t’ia arrijë Kurti kësaj? Vështirë.

Kërkesat ultimative të përkrahësve të tij se ata që dhanë dorëheqje duhet të heqin dorë edhe nga posti i deputetit, janë – thënë më së buti – mendjelehta. Në çdo parti serioze ka fraksione, kjo nuk është arsyeja për përçarje absurde. «Seeheimer Kreis» (Qarku i Seeheimit) quhet fraksioni konservator brenda socialdemokratëve gjermanë. Në CDU-në e kancelares Angela Merkel ka deputetë që më shumë anojnë nga qendra dhe e majta, por kurrë s’do u binte ndërmend të braktisin partinë. Në viset tona ka diçka të kalbur në partitë politike: kjo është mungesa e aftësisë për të diskutuar hapur, pa u hidhëruar dhe pa u hedhur nga dritarja në përpjekje për vetëvrasje politike kolektive.

Dihet si u nda LDK: për shkak të egos së dy pleqve tekanjozë dhe të ngjitur për kolltukë. Partitë e «krahut» të luftës tani për tani qëndrojnë bashkë, sepse krerët e tyre janë garantë se paraja dhe mjalta rrjedhin. Në atë çast që zhduken privilegjet, nga ato parti largohen mijëra njerëz. Sepse shumica nuk kanë shkuar aty për shkak të vlerave programore, por për shkak të mundësisë për të fituar ndonjë privilegj, për të vjedhur ndonjë gjë, për të mashtruar dhe kurdisur tenderë. VV së paku propagandonte se ishte ndryshe – një organizatë ku njerëzit besonin në vlera.

Tani konflikti mes grupeve po merr përmasa absurde. Dorëheqjet dhe fushatat kundër të dorëhequrve po i ngjajnë kërcimit të gjelave. Komunikimi po zhvillohet nga distanca – përmes mediave sociale. Ndoshta VV-së i duhet një mediator i pavarur, me autoritet, i cili do të angazhohej për të mundësuar komunikimin direkt mes kampeve të ndryshme. Ndryshe VV për çdo ditë do ta humbë edhe më shumë kredibilitetin. Kush mund të jetë ai mediator? Nuk e di. Mund të jetë dikush ndaj të cilit kanë besim të dy palët. Një mediator është një person i tretë, i cili si i pavarur dhe mbipartiak ndihmon që konflikti të zgjidhet me përgjegjësi dhe përmes debatit të hapur. Por duket se krerëve të VV-së më shumë po u pëlqen kacafytja publike, sharjet, krekosja, shpifjet për njëri-tjetrin. Kështu minohet çdo bazë e besimit të ndërsjellë. Në atë parti ku krerët e saj s’kanë besim ndaj njëri-tjetrit, përse të kenë qytetarët besim në të? Një është e sigurt: VV tani është si një pacient i papërgjegjshëm që refuzon të shkojë te mjeku. Fundi i pacientëve të tillë dihet.