A është serbokroatishtja një gjuhë?

Apo në fakt bëhet fjalë për katër gjuhë të ndara? – shtron dilemën revista britanike «The Economist».

Foto: Shutterstock



Diku rreth 17 milionë njerëz në Bosnjë, Serbi, Kroaci dhe Mal të Zi flasin versione të ndryshme të asaj që dikur quhej serbokroatishte, ose kroatoserbishte. Megjithatë, zyrtarisht gjuha që dikur bashkonte Jugosllavinë, si shtet, u shua. Në vend të kësaj, tani janë katër gjuhë të ndara: Boshnjakishtja, serbishtja, kroatishtja dhe malazezishtja. Por, a nuk janë të gjitha një gjuhë e vetme?

Përgjigja, sipas një grupi gjuhëtarësh dhe organizatash joqeveritare nga të katër këto shtete, tingëllon si «po». Duke punuar nën sloganin e një projekti të quajtur «Gjuha dhe nacionalizmi», grupi ka lëshuar një «deklaratë për gjuhën e përbashkët», ngjashëm me anglishten, gjermanishten dhe arabishten. Anëtarët e grupit argumentojnë se ekzistojnë dialekte të ndryshme, por janë lloje të së njëjtës gjuhë, meqë të gjithë folësit e tyre mund të flasin dhe merren vesh ndërmjet vete. Në të vërtetë, kjo tregon se katër gjuhët janë më të ngjashme se dialektet e gjuhëve të tjera të ndryshme policentrike. Autorët konsiderojnë se ngulmi i institucioneve arsimore dhe publike për përdorimin e vetëm njërit prej katër varianteve është «represiv, i panevojshëm dhe i dëmshëm». Qëllimi i deklaratës është nxitja e diskutimit për gjuhën «pa ngarkesë nacionaliste dhe për t’i kontribuar procesit të pajtimit», ka deklaruar Daliborka Ulareviq, partnere malazeze që qëndron prapa deklaratës.

Insistimi për ta ndarë serbo-kroatishten në katër gjuhë çon drejt absurditeteve të pafundme. Fëmijët të cilët jetojnë në një të njëjtën qytezë në Bosnjë shkojnë në ndërtesën e njëjtë shkollore, por në klasa të ndara në gjuhë të ndryshme. Portali i Qeverisë boshnjake publikohet në katër gjuhë: anglisht, boshnjakisht dhe kroatisht, që shkruhen në alafabet lain, dhe serbisht me alfabet cirilik. Megjithatë, nuk duhet përkthim kur takohen liderët e rajonit. Kur kriminelët e luftës dalin në gjykatë në Tribunalin e Hagës, marrin interpretimin në një dialekt që flitet prej përkthyesit që rastis të jetë në detyrë. Ka një figurë të animuar që po qarkullon me të madhe në Bosnjë, e cila dëshmon më së miri këtë absurditet: një pako me cigare që e përsërit dy herë mbishkrimin «Duhani vret» me alfabet latin dhe cirilik – dhe fjalët tingëllojnë krejt njëjtë.

Dhe si në shumë pjesë të botës, lëmshi i gjuhës është i lidhur me politikën. Serbët nacionalistë e shohin deklaratën e re si një prej përpjekjeve të radhës për të minuar lidhjen ndërmjet serbëve në Serbi, serbëve në Bosnjë dhe malazezëve. Dhe neutralizimi i çështjes së gjuhës do të ishte një vegël më pak për përdorim për nxitje të telasheve prej nacionalistëve; gjuha i thekson dallimet. Ata druajnë se nëse mendojnë se flasin të njëjtën gjuhë në Bosnjë, atëherë kështu do të minoheshin ambiciet e tyre politike për eventualisht shkatërrimin e vendit. Kroatët nacionalistë e lidhin me gjuhën luftën për pavarësi, pjesërisht edhe me luftën e akademikëve në vitet gjashtëdhjetë, të cilët pretendonin se kroatishtja ishte gjuhë e ndarë prej serbishtes. Kështu, kroatët konsideroheshin popull tjetër, për rrjedhojë jo jugosllavë, pretendonin ata. Prapëseprapë, shumica e qytetarëve të rëndomtë nuk lodhen hiç për këtë çështje. Kur të pyesin nëse e flet gjuhën e tyre, ata shumicën e herëve të drejtohen thjesht me «naški», «e jona».