A është PDK parti politike apo njësi hetimore e policisë?

Shpejtësia me të cilën PDK akuzon rivalët politikë për rrahjen e gruas së një funksionari të saj tregon degradimin e kësaj partie në një klub llafazanësh. Përse PDK nuk ishte, për shembull, kaq efikase në zbulimin e vrasësve të Elvis Pistës?

Foto: Shutterstock



Me lehtësi të tmerrshme një nënkryetar i PDK-së, pasi persona të panjohur sulmuan gruan e një funksionari të kësaj partie, tha: «Sot në mesditë kriminelët e Vetëvendosjes e kanë rrahur dhe sulmuar bashkëshorten e Blerand Stavilecit, znj. Vitore Metaj Stavileci. Ajo po trajtohet në qendrën emergjente. Pas sulmit fizik Vitores i është thënë që të përcjellë mesazhe të qarta Blerandit për të mos folur më sepse ai ka folur shumë».

Pastaj një deputete e PDK-së shtoi: «Ky sulm tregon qartë për ideologjinë kriminale që synon ta terrorizojë këtë vend. Është një parti politike që thirret për demokraci dhe më së paku është demokratike. Kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt t’i kapin autorët. Është e papranueshme që në vazhdimësi të tolerohet një gjuhë e urrejtjes, gjuhë kërcënuese. Është një thirrje jona që ta dënojë një herë e përgjithmonë këtë qasje para se të jetë vonë».

Nënkryetari i PDK-së dhe deputetja e kësaj partie, me deklaratat e tyre, lënë përshtypjen se kanë informata të sakta se kush janë autorët e sulmit. Madje nënkryetari i PDK-së nënvizoi se sulmuesit e paskëshin porositur viktimën që t’i thotë bashkëshortit të saj «për të mos folur më sepse ai ka folur shumë». Nënkryetari nuk tregoi se kujt ia ka dhënë këtë deklaratë viktima: policisë apo partisë? Apo mos është shndërruar PDK në njësi policore për zbulimin e incidenteve, rrahjeve dhe – pse jo – edhe akteve më të rënda, të cilat e kanë traumatizuar këtë shoqëri që nga fundi i viteve ’90?

Pasi e ka dënuar aktin qyqar të rrahjes së gruas së funksionarit të PDK-së, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, me të drejtë shkruan në reagimin e tij se «janë për keqardhje deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK-së që pa asnjë fakt akuzojnë VETËVENDOSJE!-n në lidhje me këtë rast, duke ndërhyrë në punën e organeve kompetente, që do të duhej sa më parë ta zbardhnin këtë akt kriminal. Ngutia e PDK-së për të akuzuar aktivistët e VV-së nuk përbën vetëm papjekuri të skajshme politike, por edhe lë hapësirë për dyshime rreth inskenimeve të mundshme qëllimkëqija, çka me siguri se nuk do të përbënte risi. Ne ftojmë policinë dhe prokurorinë që sa më parë të gjejnë fajtorët dhe t’i vënë para përgjegjësisë, kurse ftojmë PDK-në që t’i japë fund akuzave të pabaza dhe tendencave për të nxitur konflikt në shoqërinë tonë».

Shpejtësia me të cilën PDK «zbuloi» rrahësit tregon se kjo parti është shndërruar në një klub llafazanësh, të cilët për interesa të politikës ditore dhe për interesa të betejave të poshtra për pushtet nuk zgjedhin mjete për politizim dhe skandalizim të çdo rasti. Policia dhe prokuroria duhet urgjentisht t’i marrin në pyetje dy funksionarët e PDK-së pas deklaratave të tyre. Kur janë në gjendje të ngritin këso akuzash, ata duhet të jenë në gjendje që të ofrojnë edhe ndonjë fakt apo indikacion për autorët e kësaj vepre të shëmtuar. S’ka dyshim se akti i rrahjes së një gruaje dhe i çdo qytetari të Kosovës, pa marrë parasysh arsyet, është një ligësi dhe çmenduri.

Por, ky efikasitet i PDK-së në zbulimin e «kriminelëve të Vetëvendosjes» imponon shumë pyetje. Përse PDK nuk ishte, për shembull, kaq efikase në zbulimin e vrasësve të Elvis Pistës? Në varrimin e tij në Rahovec në vitin 2014 krerët e PDK-së patën premtuar se nuk do të lënë gur pa lëvizur për të kapur vrasësit. Tri vite më vonë: vrasësit shëtisin të lirë. Premtime për arrestimin e kriminelëve janë bërë edhe pas asaj që u quajt «vetëvrasje» e Dino Asanajt. Kanë kaluar pesë vjet nga kjo ngjarje dhe opinioni nuk di pothuaj asgjë për rrethanat. Në prill të vitit 2009 ishte thyer Dhoma e Dëshmive në Drejtorinë e Krimit të Organizuar të Policisë së Kosovës. U zhdukën me atë rast dhjetëra kilogramë drogë, të cilat i kishte konfiskuar policia, por me gjasë edhe dëshmi të tjera të rëndësishme. Vjedhësit ndoshta e lexojnë këtë tekst dhe qeshin. Ata janë të lirë.

Rasti i sulmit kundër Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit të kaluar është politizuar aq shumë, saqë për PDK-në nuk ka dyshim se keqbërësit vijnë nga radhët e Vetëvendosjes. Si është e mundur atëherë që të akuzuarit për terrorizëm të lirohen nga paraburgimi, siç ndodhi ditë më parë? Të njëjtat pyetje mund të shtrohen edhe për rastin e sulmit ndaj RTK-së: përse nuk u gjendën deri më sot kryesit e kësaj vepre kriminale? Përse nuk u zbuluan ende vrasësit e vëllait të Ramush Haradinajt. Ai u vra në prill të vitit 2005 dhe hetimet u mbyllën pak muaj më vonë. Si është e mundur kjo, kur Kodi Penal i Kosovës thotë se «vepra penale e vrasjes së rëndë nuk parashkruhet»?

Këtu s’po përmendim një nga një edhe së paku 20 vrasje të funksionarëve të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për këto raste është shkruar disa herë. Këta njerëz nuk i ka vrarë rrufeja. Raportet ndërkombëtare madje përmendin pikërisht shërbimin sekret të PDK-së të ketë gisht në këto krime ose së paku dijeni. Ekziston një raport i Këshillit të Europës, i cili qartë thotë se në Kosovë dëshmitarët e krimeve të rënda frikësohen për jetën e tyre. Është trishtim të shohësh sot gjeneratën e re të politikanëve të PDK-së që imitojnë vokabularin e shefave të tyre në vend se të ndihmonin që Kosova të dalë njëherë e përgjithmonë nga ky pellg gjaku.

E çuditshme që ende nuk u zbuluan as kriminelët që digjnin vetura të politikanëve dhe për këto akte të rënda dyshoheshin militantët e VV-së. E habitshme që nuk u arrestua ende askush për futjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Me këto akte të papranueshme edhe VV ka ndikuar në krijimin e një situate të llahtarshme, ku pas çdo krimi prodhohet vetëm mjegull me akuza e kundërakuza. Në fund edhe një pyetje: përse ende nuk u kapën sulmuesit e gazetarit Parim Olluri në zemër të Prishtinës? Ndoshta për shkak se Parim Olluri është gazetar dhe jo anëtar i PDK-së.