A e mban mend kush Bacën Sat? Sat Nokshiqin?

E kam njohur Sat Hoxhën! Është fjala për Esad Mekulin, poetin plavjan (1916-1993), që këndoi «dhe kur m’ishte ndalue…», mësuesin e të gjithë poetëve kosovarë, ‹cult-maker</strong>›<strong>»-in e asaj që sot njihet si entitet juridiko-politik: Republika e Kosovës. Njeriun që e ka përjetue (së bashku me Hivzi Sylejmanin) tmerrin e Luftës së Parë Botërore, ankthin e pasluftës së Dytë të Madhe, por jo dhe poshtërimin që e përjetojnë shqiptarët pas çdo lufte, në lirinë e tyre.




«Sado të këqija qofshin ditët, pa to s’dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura, se të këqijat qajnë vetveten…» – Jim Morison

Njeriu domosdoshmënisht, poeti dhe shqiptari rastësisht, ka këndue për hapësirat, gjendjet sociale (varfërinë e të shtypunit, kurbeçarët, sharraxhitë…), për gjërat dhe njerëzit që për brezin e ri nuk kanë kuptim, dhe natyrisht që për Artianen, vajzën time 23-vjeçare – gazetare, si dhe djemtë Armatin, student i vitit të parë në Shkencat Politike dhe Blendin, nxënës i klasës së tetë në fillore nuk janë të kuptueshme pa referencat dhe sqarimet adekuate. Madje edhe për terma e fjalë nga leksiku gegë që përdor Sat Nokshiqi, që të thuash janë harrue ndërkohë, por pikërisht këtu qëndron madhështia e tij, ngase ai, ka këndue shqip kur ajo ishte ndalue, për «të çmendunin» që «klithje të mbytuna në gjak… Sot e pashë kurbetçiun, vllaun tim – kurban mjerimi» (1936); «Metohinë» (Dukagjini para viteve 70-të), Titon (ish-lideri komunist dhe Mareshali i Jugosllavisë federale, element konstituitiv i të cilës ishte edhe Kosova sipas Kushtetutës së vitit 1974).

Që nga përmbledhja «Për ty» e deri në vdekje vargu i tij ishte jo vetëm klithmë me dëshmue padrejtësinë shoqërore por edhe jehonë për me tregue se shqiptari është i gjallë dhe kryengritet për lirinë e tij të munguar, për dinjitet njerëzor, gjë që asnjë poet ballkanik nuk e ka bërë më mirë e më me nge se sa Esad Mekuli.

Ndoshta ishte Migjeni – ky «uragan i ndërprerë» (Kadare) ai që i pari ngriti zërin kundër padrejtësive shoqërore në Shqipërinë e rrëzuar përdhe, nga monarkë e politikanë të mendësisë së sulltanëve osmanë, dhe ishte ndër ta maqedonasi Koço Racin dhe serbi Lubomir Miçiq (1895-1971), i cili ishte detyruar të merrte rrugët e azilit dhe të cilit iu ndaluen shumë poema nga despotët serbë dhe jugosllavë. Poema e tij më e njohur është edhe ajo kushtuar Kosovës, «Antievropa 1926», ku flet për persekutimin e kosovarëve nga falangat despotike të Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve.

Ishte një personalitet antikonformist dhe rebel me arsye, i cili nuk iu përshtat asnjë regjimi. Para Luftës së Dytë ishte dënuar për majtizëm, kurse gjatë epokës së komunizmit nuk ishte i dëshiruar nga regjimi i partizanëve serbë të Titos për shkak të qëndrimeve të tij kritike karshi sistemit. Dhe më pastaj e cilësuan edhe nacionalist serb.

Pas tyre vjen Sat Nokshiqi, poet që i këndon veçse njeriut dhe lirisë së tij, të drejtës për të jetuar. Por mbi të gjitha ai ishte mësues poetësh duke e shpërfillë maksimën e vjetër se «arti nuk mësohet, në art nuk ka mësues», ngase shqiptarëve duhej mësuar frymimin kulturor, pra duhej, pos germave, t’u mësohej edhe arti i leximit dhe shkrimit, duhej mësuar frymëzimin!

Dhe kur më 1981 del nga shtypi vëllimi poetik «Brigjet», ende mund ta ndieje frymën e ngrohtë të Esad Mekulit, gegnishten e tij «t’zbutun» veriperëndimore dhe këngët e tij për Kosovën, pa pretendimin që të bëhet hero – ai dëshironte të mbetej vetëm një njeri, ndoshta një mësues modest.

«Për ty» megjithatë i mbetët libri më i fuqishëm, poezia më e bukur.

Pastaj ai u bë demiurg. Mësues.

Dhe një ditë i thanë të botonte në fund të tetëdhjetave, kur edhe ai i kishte afër  tetëdhjetë vjet, edhe një libër poetik, në moshë të shtyrë, e cila, më mirë të mos shkruhej fare.

Sepse është harruar shpejt.

E ruej, megjithatë, një kujtim të paharrueshëm me Esad Mekulin nga Fakulteti Filozofik (tash i Filologjisë) kur në të ashtuquajturën «Salla e kuqe» i organizonim orët e famshme letrare nga grupi letrar «Jeronim de Rada», të cilin e udhëhiqnim Kamber Demaj si kryetar, unë e disa studentë të tjerë: është një fotografi shkrimtarësh në grup, me rastin e 70-vjetorit të Bacës Sat, e mes tyre të reja e të rinj, studentë, që mësynin të bëheshin «dikushi», pra kishin hyrë në ujërat e botës letrare ku po përpëliteshin dhe kur e shoh tashti, ndoshta dhjetë nga ta nuk janë më në këtë botë, vërej nëpërmjet saj ndryshimin dhe vragat e kohës, pra vërej se sa ka ndryshuar bota – kjo botë e jona  që dikur Ibrahim Rugova e cilësonte si «Republika e letrave.»

Në pleqëri Esad Mekuli udhëhoqi rubrikën e revistës «Kosovarja» për gratë poete, të cilat i udhëzonte se si të shkruhet vargu, se si të mendohet poezia, letërsia.

Ai ishte i butë dhe një plak i rëndomtë, por për ata që e kishin lexuar gjysmë fshehurazi dhe nuk e kishin takuar kurrë për së gjalli ai ishte hijerëndë, i paarritshëm, vigan.

Ndonëse e kisha takuar dy-tre herë, por pa mundësinë për të ndërruar më shumë fjalë me të, pos ndonjë mirëdita a mirëmjesi të ndrojtur, për ta marrë një këshillë poetike nga ai, nga vigani i quajtur Sat Nokshqi, bëra dhe një marrëzi, që po e zbuloj së pari herë këtu: shkruajta një poezi me emër të trilluar gruaje.

Poezia më ishte botuar në rubrikën e grave/vajzave dhe natyrisht poshtë saj ishte këshilla e Esad Mekulit.

Nuk më kujtohet mirë poezia, madje as titulli i saj, por e di se këshilla e tij ishte me vlerë: «Duhet shumë durim, sikur në qëndismat më të bukura, ose ato ojnat e vajzave të fshatit,  të cilat ‹verbërohen› nën dritën e zbehtë të llambës, derisa ‹kopjojnë› yrnekët më të bukur, më brilant. Pra, shumë varet dhe nga yrneku…».

Po, të rejat dhe të rinjtë sot që mësyjnë shkrimin e letërsisë, poezisë në veçanti, ç’yrnek marrin? Poezitë patetike e të pashpirt që ende në librat e historisë së letërsisë shqipe cilësohen si patriotike apo lojërat me naze e magjinë e të bërit art poetik?

Për poezinë e Mekulit kanë shkruar që nga Ali Aliu e Ibrahim Rugova e deri tek Fadil Greiçevci,  një shok imi i shkollës i cili ka shkruar një tezë doktorate mbi poezinë e tij. Nuk e kam lexuar, prandaj nuk kam guxim t’ua preferoj për lexim.

Tash për tash, brezave të rinj ua preferoj ta lexojnë vetëm vëllimin «Brigjet», dua të besoj se gjendet në të gjitha bibliotekat shkollore, në ato katunde e qytete kosovare ku fashizmi milloshevqian nuk i ka kallë shkollat së bashku me bibliotekat dhe lexuesit që janë gjendur andejpari. Në vendin e gabuar në kohë të gabuar.

Secili shqiptar dh veçmas qytetar i Kosovës pa marrë parasysh çfarë bën e çfarë synon në këtë jetë, para Bibles dhe Kur’anit, para Talmudit e Teuratit, e para secilit libër të shenjtë duhet t’i lexojë poezitë «O vëlla me sharr në krah», «Qindro» («Rr’xoju qiell, i randë si tunxhi, mbi supat tanë të shtypun, mbi krenat tona robnije e ûje përulë; hapu, moj tokë e zezë, nën këmbët dathë tonat – përpi këto qenie që ‘porezi’ dhe kurbeti i shkatrroi dhe kërbaçi i xhandarit që me shikim anmiku tmerron dhe ciatja e fëmijës së mjerë që pa bukë ankon…»; pastaj «Popullit tim» dhe «A asht fajtor shqiptari?». Këto poezi janë kodi gjenetik i secilit kosovar.

Gjuha është streha e qenies – dhe ajo që mbetet – është poezia! – shkruante filozofi Martin Heideger, duke u mbështet tek manifesti letrar i Hölderlinit, poetit të madh gjerman. E në tuebamësi (nocion i linguistit Agim Morina) në këtë sh’pi të qenies e kam takue e njoftë edhe Sat Nokshiqin.

Demiurgun.

Viganin.

Në Prishtinë mungon pafalshëm sheshi i tij dhe shtatorja e Sat Nokshiqit, shqiptarit kosovar më me ndikim në shekullin 20-të. E duhet të bëhet, jo për hir të tij, por për shkak të klithmave tona nëpër vite.