A don hapësinë, zotni?

Mbi keqpërdorimin e hapësirës publike në Kosovë dhe pasojat për shoqërinë dhe gjeneratat e ardhshme.

Në stilin migjenian çdo qytetari të Kosovës mund t’i bëhet pyetja: a don hapësinë, zotni? Përgjigja me siguri do të jetë po. Por, çka pas përgjigjes? Provojeni me angazhim qytetar. Foto: Shutterstock



«Një tufan i tmerrshëm shembi idhujt. Disa i bani pluhun e disa i la pa krena. Tufani i tmerrshëm nuk frynte as nga një anë e horizontit, dhe as nga qiella, por duel nga zemra e dheut… Idhujt pa krena! Shëmtim i natyrës! E njerëzit që jetojnë në mes të tyne enden si të harlisun… Duen t’adhurojnë, po çka t’adhurojnë? Idhujt pa krena? Kush mund të adhurojë të shëmtuemen?»
Migjeni, «Idhujt pa krena»

Nëse ndonjëherë shkruhet historia e mirëfilltë e Kosovës pas vitit 1999, atëherë një kapitull i gjatë duhet t’i kushtohet hapësirës publike dhe shkatërrimit të saj. Ky shkatërrim përfshinë pothuaj gjithçka që qytetari i Kosovës sheh përtej mureve të tij private. Shpesh edhe muret e tij private janë të ndërtuara ilegalisht dhe ia zënë hapësirën për jetë fqinjit, jo rrallë edhe krejt banorëve të lagjes. Në qytetet e Kosovës këmbësori është në konfuzion të përhershëm: hapësira e tij ngushtohet prej vitesh dhe ai detyrohet të bredh në qytetin e tij si të ishte në labirint. Revolucioni i betonit pandërprerë mbulon çdo skutë me bar që mund të ketë mbetur, trotuaret ngushtohen dhe mujsharët zgjerojnë ndërtimet e tyre – herë me leje (të marra me ryshfet), herë pa leje hiç.

Pothuaj gjithçka që shohim pas luftës së viteve 1998/99 është jo vetëm zaptimi i hapësirës publike, por, në të njëjtin kontekst, edhe hiperbolizim degutant ngjarjesh dhe personash, përvetësim meritash dhe përjetësim komandantësh në përmendore bajagi bajate. Përmendoromania në Kosovë flet për një mungesë serioziteti si në organizimin e konkurseve ashtu edhe në realizimin artistik të figurave. Nuk duhet të jesh skulptor, as kritik arti i famshëm për të parë se përmendorja e ish-presidentit amerikan Bill Clinton në Prishtinë më shumë i jep hov humorit të pavullnetshëm.

Loja qesharake me simbole e motive patriotike e arriti kulmin para disa vitesh në fshatin Radushë afër Shkupit, ku politikanë dhe njerëz të tjerë me profesion «shqiptar» valëvitën si në trans disa flamuj me shkabën dykrerëshe (prodhim kryesisht kinez), mbajtën ca fjalime patetike dhe në fund pasoi – ekstaza: zbulimi i përmendores së Adem Jasharit, njërit prej nismëtarëve të aksioneve të armatosura kundër forcave serbe në vitet ‘90.
Dhe ç’shihte publiku? Adem Jashari i ngarkuar me pushkë e allti dhe duke mbajtur drejtpeshimin si valltar baleti mbi një tank, gryka e të cilët na qenkësh e drejtuar «nga Shkupi». Bëhej fjalë për një tank që gjoja kryengritësit shqiptarë ua kishin konfiskuar forcave maqedonase gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001.

Kjo pamje e Adem Jasharit ishte artistikisht e llahtarshme. Në një grumbull hiçi figura e Jasharit ndërtohet me një kombinim fatal mes egërsisë së realsocializmit, desperadove mendjelehtë meksikanë, Charlie Chaplinit, Super Marios dhe heroit partizan jugosllav Boshko Buha. Këtu mërzitshëm shkëlqen edhe estetika e pornografisë patriotike: gryka e tankut në formë të fallusit, në prapaskenë dy shtylla prej hekuri në formë të dy këmbëve të ngritura dhe mes tyre – natyrisht një shqiponjë dykrerëshe prej teneqeje! Shikuar nga aspekti i psikanalizës kjo përmendore e shoqëruar edhe me simbolin e fallusit përpiqet të tregojë gjigantomaninë patriotike, por rezultati është i mjerueshëm: një komb i tredhur!
Shikojeni të ashtuquajturën përmendore të Agim Ramadanit para ndërtesës së Teatrit në Gjilan – dhe pak më tutje monumentin e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës.

Duket se autori i asaj vepre nuk i ka pasur parasysh dy aktivistë dhe kundërshtarë të regjimit jugosllav, por dy njerëz që ikin nga dyqani. Kjo zgjedhje fatkeqe nuk e nderon askënd, as sakrificën e të rënëve. Kështu njerëzit edhe për së vdekuri po degradohen. Përmendorja e Agim Ramadanit, ta zëmë, më shumë të kujton një nxënës që mendueshëm shkon në shkollë se sa një luftëtar lirie. Në Rahovec mund të shihet se si mbi një përmendore që i kushtohej rezistencës antifashiste pas luftës së fundit (1998/99) janë vendosur përmendoret e disa komandantëve të UÇK-së. Një përzierje kjo që krejt idenë e nderimit dhe të përkujtimit e zbret në improvizim dhe sharlatanizëm. Shembuj të tillë ka plot gjithandej nëpër Kosovë.

I njëjti problem është me emrat e rrugëve. Të gjitha rrugët kryesore në qendër të Prishtinës, ta zëmë, bartin emra të luftëtarëve të luftës së fundit – thua se ky vend është krijuar më 1998/99 dhe përpara nuk ka ekzistuar asgjë. A thua ku gjendet rruga e Anton Çettës në Prishtinë? Ose e Esad Mekulit dhe Anton Pashkut? Me siguri emrat e tyre janë futur në ndonjë qorrsokak.

Përmedoret e tyre, statujat e tyre, shtatoret e tyre, monumentet e tyre i kanë komandantët, zëvendëskomandantët, heronjtë, legjendarë, përrallorë dhe të vërtetë, dëshmorë, trima, patriotë – të gjithë janë përjetësuar me vepra arkitekture apo skulpturë. Përjetësimi është zgjeruar edhe te personalitetet e politikës botërore në shenjë falënderimi për intervenimin e NATO-s për çlirimin e Kosovës, ndonëse për cilësinë e veprave mund të diskutohet. Krahas përmendores së Clintonin në Prishtinë ekziston një bust i Richard Holbrookeut në Viti, Hillary Clinton është përjetësuar me një bust në Sarandë, së fundi Donald Trumpi është shpallur qytetar nderi i Kamzës dhe po aty është inauguruar «Bulevardi Donald Trump», ndërsa në Fushë Krujë para ca vitesh është ngritur statuja e George W. Bushit.

A përshtaten apo jo në kontekst të ambientit dhe sheshit këto permendore? Për këtë nuk pyet askush. Sheshet nuk janë vetëm një grumbull pllakash të shtruara. Si shoqëri kemi problem tejet të madh me kujdesin ndaj hapësirës publike. Nuk kemi përvojë serioze në planifikim urbanistik. Ndërtojmë dosido dhe kryesisht ku mundemi. Nuk kemi ndjenjë se po e pengojmë tjetrin – dhe në fund e bllokojmë edhe veten, jo vetëm mentalisht. Nuk është turp që për gjërat në të cilat nuk kemi përvojë të kërkojmë ndihmë ose këshilla nga jashtë. Por, parakusht për këtë duhet të jetë gatishmëria jonë si shoqëri për të pranuar disa kritere, vlera, rregulla që vijnë nga jashtë, nga vendet moderne. Kjo vlen si për përmendoret, si për respektimin e ligjeve. Ndryshe mund të ndodhë që pas disa dekadave të vijnë gjenerata të tjera, të cilat do t’i rrëzojnë të gjitha këto përmendore të ndërtuara në frymën e mujshisë dhe socrealizimit, sepse do t’u vijë turp para botës.

Një shembull tjetër i lojës me emra të të vdekurve dhe me emocione të njerëzve të gjallë është emërimi i universiteteve nëpër qytetet e Kosovës. Në Gjilan është zhvilluar një garë se a duhet universiteti të ketë emrin e Kadri Zekës apo të Xhavit Ahmetit? A duhet patjetër që një universitet të bart emrin e Haxhi Zekës? Këtu më së miri do të ishte që vetë familjet të reagonin dhe të deklaroheshin qartë kundër keqpërdorimit të emrave të anëtarëve të tyre. Emrat e Kadri Zekës dhe Xhavit Ahmetit, Haxhi Zekës dhe Fehmi Aganit, Ukshin Hotit dhe Hasan Prishtinës janë keqpërdorur për poenë politikë. A është shtuar cilësia në arsim prej se këto universitete bartin emrat e tyre? Jo. Përse të akceptohet kjo lojë me emra njerëzish? Pse duhet ta lejojnë këtë familjet e tyre? Pse duhet ta lejojë këtë shoqëria? A kemi të bëjmë vetëm me apati e indiferencë ndaj hapësirës publike? Këta emra, me merita të ndryshme për lirinë e Kosovës, nuk duhet të hidhen në lotarinë politike. Fundja, pse ndodh gjithë kjo lojë me emra? Ndodh, sepse politikanët provincialë përherë janë përpjekur që me këso emërtimesh edhe simbolikisht të marrin në pronësi hapësirën publike. Pastaj ngado që shikon – gjithçka do të asociojë vetëm me gardën politike (aktuale). Ky është një lloj pushtimi.

Para 150 vjetësh historiani dhe publicisti i madh Jakob Philipp Fallmerayer (1790-1861) shkruante: «…nuk duket se shqiptarët kanë pasur ndonjëherë nevojën që të kapërcejnë horizontin e kufizuar të familjes dhe të klanit, të pronës private, të egoizmit, të mllefit dhe të hakmarrjes. Shqipëria është vendi i mendjes të shkurtër, magazina e fuqisë fizike, vendi që me dashje nuk i bindet as vetvetes e as të tjerëve». Fallmerayer i quante viset shqiptare territore ku «anarkia dhe mungesa e ligjit janë njëkohësisht shpirt dhe frymë e jetës». A kemi sot përgjigje ndaj këtyre konstatimeve? Apo mjaftohemi si shoqëri me një rafal sharjesh ndaj Europës shtrigë. Jo, shtrigat dhe kiçi janë mes nesh! Ne ose duhet t’u bindemi edhe më tutje shtrigave, ose ligjit.

Kjo mënyrë e pushtimit të hapësirës publike dhe kjo qasje e njëanshme në kujtimin e të kaluarës, siç shihet në Kosovë prej vitesh, përqendrohet vetëm te heronjtë – të vërtetë dhe të shpifur. Viktimat pothuaj nuk kanë vend në kujtesën kolektive, por vetëm private, familjare. Andaj pothuaj askush ndër shqiptarë nuk e di si e ka pasur emrin gruaja e Adem Jasharit. Apo – nëse shikojmë më herët në histori – qi quhej e ëma e Hasan Prishtinës?
Shoqëria maskuline e burrave barkmëdhenj, të cilët tërë ditën e kalojnë nëpër kafehanet e kotësisë, në imazhin e historisë nuk duron viktima – as gra të dhunuara, as fëmijë të therur me bajonetë, as plaka të vdekura në rrugët e ikjes, bile ka ndodhur që në një fotografi iu mbulua gjoksi një nëne, e cila po i jepte gji foshnjës në kolonën e mjerimit duke ikur për në Maqedoni. Këtë fotografi e kishte bërë një fotograf kroat dhe në pranverë të vitit 1999 është botuar në ballinën e revistës gjermane «Der Spiegel». Kjo fotografi nuk është e turpshme. Ajo e simbolizon dhimbjen. E turpshme është të zbulosh këso përmendoresh si në Radushë të Maqedonisë dhe gjithandej nëpër Kosovë – dhe kështu të tregosh faqe botës krejt marrëzinë e një shoqërie në krizë të thellë.

Të qahesh kundër gjendjes ekzistuese në hapësirën publike të Kosovës nuk është ndonjë meritë edhe aq dobiprurëse. Duhet të stimulohet aftësia për të parë se kaosi urban në Kosovë nuk rregullohet pa u mbështetur arkitektët e mirë, pa e forcuar ndjenjën se kjo tokë e ky nënqiell duhet të ekzistojnë edhe për të tjerët, për gjeneratat që vijnë. Çfarë duhet bërë tjetër? Shoqata e Arkitektëve të Kosovës duhet të jetë më aktive në nxitjen e debateve mbi rëndësinë e planifikimit hapësinor, duhet të jetë më e hapur për bashkëpunim me kolegë të tjerë në rajon dhe në Europën Perëndimore. Duhet vetëm pak vullnet dhe shumë dëshira të mira. Atëherë të gjithë mund të përfitojnë. Ndryshimet në kaosin urban nuk mund të ndodhin brenda një kohe të shkurtër. Për këtë duhet durim, këmbëngulje dhe hapje kulturore.

Është e habitshme pse mediet në Kosovë nuk merrem më seriozisht me çështjen e dëmtimit të hapësirës publike. Shpesh mund të lexojmë mbi ndërtimet pa leje kudo nëpër Kosovë, mbi inspektorët e korruptuar ndërtimorë, por pothuaj asnjëherë nuk prezantohet gjerësisht qoftë edhe një projekt i pranueshëm. Po të bëhej kjo ndoshta njerëzit sadopak do të detyroheshin bile të mendonin se ka ilaç për kaosin arkitektonik dhe urbanistik të Kosovës. Sepse: arkitekturë domethënë jetë! Këtë e kanë kuptuar të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës dhe Shqipërisë (me përjashtim deri-diku të Tiranës nën drejtimin e Edi Ramës).

Mësimi më i rëndësishëm që duhet nxjerrë nga shumë dështime dhe krime urbanistike që janë bërë në Kosovë është ky: projektet publike, të cilat nënkuptojnë ndërhyrjen në hapësirën publike dhe rrjedhimisht në përditshmërinë e qytetarëve, duhet të projektohen dhe drejtohen nga profesionistët dhe të mbikëqyren nga autoritetet e pakorruptueshme. Kjo është lehtë të thuhet, por ilaç tjetër nuk ka. Për të siguruar mbarëvajtjen e një projekti do të duhej që edhe qytetarët të braktisnin rolin e vëzhguesve apatik dhe të angazhoheshin në mbrojtje të hapësirës së tyre publike.

Opinioni kritik i Kosovës ka qenë dëshmitar se si para disa vitesh një studio arkitekture nga Berlini, e cila nuk kishte ndonjë referencë mbresëlënëse, u përzgjodh për të ndërtuar objektin e Teatrit dhe Operës në Prishtinë, i cili do të bart emrin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. (Nuk do të ishte habi sikur nesër dikush të kërkonte një teatër dhe operë me emrin Adem Jashari). Emri i Ibrahim Rugovës nuk do t’ia shtojë as ulë vlerën arkitektonike Teatrit dhe Operës në Prishtinë. Vetë arkitekti Kai Auffermann nga studioja «ARW Planungsgemeinschaft» pasi e kishte fituar konkursin në Prishtinë, kishte thënë me habi: «Një punë të tillë e fitojnë vetëm arkitektët e njohur». Në gazetën «Berliner Morgenpost» Auffermann po ashtu ka shpjeguar se për Teatrin dhe Operën në Prishtinë ai ka projektuar një formë të thjeshtë dhe ka hequr dorë nga «elementet prestigjioze». Pra, vetë arkitekti është i vetëdijshëm se Prishtina nuk do të hyjë në hartën e arkitekturës botërore, madje as rajonale, kur të ndërtohet Teatri dhe Opera.

Projekti i Auffermann-it i përngjan një qendre tregtare dhe është një miks i keq i pseudomodernizmit me neoklasicizmin e imituar. Kriteret kanë qenë qesharake. Është theksuar nga autoritetet se do të fitojë ai që ofron çmimin më të ulët dhe që premton realizimin sa më të shpejt. Si kriter i fundit është përmendur forma arkitektonike. Thonë se çorba e lirë t’i djegë buzët. Dhe kështu ndodhi. Opera e ëndërruar ende është një gropë me baltë në Prishtinë. Nuk dihet kur do të fillojnë punimet. Nuk ka transparencë sa i përket financimit. Dhe për këtë planifikim katastrofal ende nuk ka dhënë askush përgjegjësi. E mira e së mirës do të ishte të anulohej përfundimisht ky projekt i keq. Por, çfarëdo që ndodhë – gati një milion euro janë shpenzuar deri më tani për hartimin e projektit dhe, siç thuhet, për fazën e parë të punimeve. Në dhjetor të vitit 2009 gurin themeltar për ndërtimin e shtëpisë së tetarit dhe operës «Ibrahim Rugova» e kishin vënë presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Një shembull tjetër po aq shqetësues: në dhjetor të vitit 2012 pothuaj pa u vërejtur nga publiku dhe pa ndonjë bujë a debat publik Bashkësia Islame e Kosovës shpalli konkurs ndërkombëtar për projektin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë. Parimisht ishte punë e mençur që të shpallej konkurs ndërkombëtar për një projekt, i cili do të zërë një vend prominent në kryeqytetin e Kosovës. Si çdo objekt publik, edhe ngrehinat fetare është mirë t’i përshtaten kontekstit urban dhe shoqëror, të tregojnë diçka për të kaluarën e vendit dhe traditën fetare, por edhe të pasqyrojnë sa më bindshëm funksionin e tyre të vërtetë. Dhe më e rëndësishmja: kjo punë duhet t’u lihet në dorë profesionistëve, në këtë rast arkitektëve. Është krejt në rregull që Prishtina të ketë Katedrale për besimtarët katolikë, por duhet të lejohet së paku kjo pyetje: a është ky ndërtim që shohim i përshtatshëm dhe në harmoni me ambientin përreth? Katedralja «për fat të keq nuk është duke u ndërtuar sipas modelit profesional», mendonte para disa vitesh arkitekti Lulzim Kabashi nga Zagrebi.

Kjo bën vaki sërish te ne për shkak se nuk jemi mësuar, nuk duam të mësohemi dhe nuk jemi të gatshëm që gjërat me interes publik t’i diskutojmë hapur, në mënyrë kontroverse dhe kështu të nxjerrim rezultatin më të mirë. A nuk do të kishte qenë më mirë që Katedralja të ishte projektuar nga një arkitekt me famë botërore dhe pastaj t’i bënte kureshtarë edhe kritikët e arkitekturës në gazetat e revistat e njohura ndërkombëtare? Kështu, pa shumë mundim, do t’i bëhej reklamë edhe shtetit të ri kosovar, vlerave të shoqërisë, pasurisë fetare. A e dimë kush është arkitekt i Katedrales së Prishtinës? Ja çfarë shkruan në prezantimin në internet të katedrales: «Ipeshkvia bëri kontaktet e para me disa arkitekt(ë) universitarë në Romë, të njohur si projektues të bazilikave dhe katedraleve nëpër Itali. Shumë shpejt, pikërisht më 19 maj 2003 u nënshkrua marrëveshja mes arkitektëve të Shoqatës së Arkitektëve të Romës dhe Ipeshkvisë që të punojnë projektin e Katedrales dhe u vendos që ajo të projektohet në stilin neo-romanik». Thënë më së buti, këtu kemi të bëjmë me një projekt jotransparent: nuk ka pasur konkurs, as nuk dihen emrat e arkitektëve. Për fat të keq shenjat tregojnë se edhe konkursi i Bashkësisë Islame të Kosovës është shpallur sa për sy e faqe. Në fund konkursin nuk e fitoi Zaha Hadid e famshme (dhe ndërkohë e ndjerë), as ndonjë studio e arkitekturës nga Europa perëndimore, por një kompani turke.

Nëse shikohet pak më gjerë, atëherë do të gjenden shembuj se si arkitektura, planifikimi urban, kujdesi për hapësirën publike mund të sjellin përfitime për të gjithë, përfshirë ekonominë, dhe mund të rrisin cilësinë e jetës. Qyteti i Bilbaos në Spanjë deri se voni nuk ka qenë aq i njohur në botë. Por, prej viteve ’90 në arenën ndërkombëtare flitet për «Efektin Bilbao», i cili përshkruan rritjen e vlerës së një qyteti përmes ndërtimeve spektakulare të arkitektëve të njohur. Domethënë: një qytet i vogël, i cili është larg destinacioneve turistike, si rasti i Bilbaos, dhe i cili ka pak gjëra që mund t’u ofrojë turistëve, bëhet i njohur në botë me ndërtime moderne.

Kështu arkitekti amerikan Frank Gehry me muzeun e tij të Guggenheim-it e ka shndërruar Bilbaon në një magnet të turizmit. Ky është njëri ndër objektet më të rëndësishme të arkitekturës së avangardës të shekullit 20-të. Arkitekti Sir Norman Foster ka projektuar të gjitha stacionet e metros, e cila është gati 40 kilometra e gjatë. Santiago Calatrava ka ndërtuar urën e këmbësorëve «Zubizuri» (Ura e bardhë) dhe aeroportin e Bilbaos. Dikur Bilbao njihej vetëm si qyteti më i rëndësishëm industrial i Baskisë dhe quhej «qyteti i zi». Në vitin 2004 Bilbao mori një çmim për projektin më të mirë në botë të arkitekturës së qytetit. Bilbao është shembull se si përmes ndërtimtarisë një qytet mund të bëhet qendër e lulëzimit ekonomik dhe kulturor. Bilbao nuk mund ta bëjmë mbase asnjë qytet të Kosovës, por mund të ketë ndërhyrje arkitektonike që i bëjnë qytetet kosovare më të jetueshme. Por, për këtë duhet shumë më tepër se vullnet deklarativ.

Në stilin migjenian çdo qytetari të Kosovës mund t’i bëhet pyetja: a don hapësinë, zotni? Përgjigja me siguri do të jetë po. Por, çka pas përgjigjes? Provojeni me angazhim qytetar.