A do të jetë një shkrimtar mysliman me prejardhje nga Irani kryetar i Gjermanisë?

Pas tetë muajsh Gjermania do të zgjedh një president të ri. Partitë e së majtës si kandidat po e përmendin Navid Kermanin, një intelektual me origjinë nga Irani. Deri më tani asnjë i huaj nuk ka qenë kandidat për këtë post. Kermani është një kureshtari i pafund dhe zbulues i botëve. Në vitin 2013 ai mori pjesë në polip, Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Prishtinë.

Navid Kermani, gjerman, iranian, shkrimtar, filozof - dhe vizitor i Prishtinës. Foto: Hanser Verlag (Peter Andreas Hassiepen)

«Kjo është një Gjermani e mirë, më e mira që njohim» – këtë citat të presidentit Joachim Gauck do ta përsëriste pa e kundërshtuar edhe shkrimtari gjermano-iranian, Navid Kermani, në fjalën solemne të mbajtur në vitin 2014 para Parlamentit gjerman me rastin e 65-vjetorit të shpalljes së Kushtetutës së Republikës Federale të Gjermanisë. Ishte një risi në historinë e Gjermanisë që për të përkujtuar këtë ngjarje të lidhur kaq ngushtë me identitetin gjerman, ishte ftuar pikërisht një bir emigrantësh dhe madje mysliman besimtar. Kjo tendencë e hapjes ndaj emigrantëve dhe të huajve, sado të huaja që mund të jenë kulturat dhe besimet e tyre, kishte vetëm disa vite që po zinte vend – edhe pse jo pa debate – në politikën gjermane. Një vit më vonë atë do ta vuloste vetë kancelarja Angela Merkel, kur në shtator 2015 do të befasonte me daljen e saj të hapur për të pritur refugjatët e ardhur nga vendet arabe.

Emri  i Navid Kermanit, shtetas i Gjermanisë dhe i Republikës Islame të Iranit, po lakohet tani nëpër media si një ndër kandidatët e mundshëm për president të vendit që kur 76-vjeçari Joachim Gauck bëri të ditur se për arsye moshe nuk do të kandidonte për një mandat të dytë. E përditshmja e Berlinit «Der Tagespiegel» para disa ditësh madje shkoi aq larg sa ta quante 48-vjeçarin e lindur në Siegen të Gjermanisë kandidatin me shanse më të mëdha për të fituar me votat e kampit të majtë: socialdemokratët, të gjelbrit dhe e majta.

Kush është Navid Kermani?

Po të vendosnin lexuesit e edicionit online të «Süddeutsche Zeitung», Kermani mund të bëhej fare mirë president i Gjermanisë. Në një anketim të webfaqes së kësaj gazete, publicisti me dy shtetësi kryeson listën e kandidatëve të mundshëm, ndër të cilët, janë edhe ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinnmeier, dhe presidenti i Bundestagut (parlamentit), Norbert Lammert.

Që anketa të tilla kanë më shumë vlerë argëtuese sesa parashikuese, kjo është afërmendsh. Por ato na japin një orientim për të parafytyruar se cila pjesë e shoqërisë gjermane e gjen veten të përfaqësuar nga një figurë si ajo e shkrimtarit pa parti, Navid Kermani. Mbështetësit e tij vijnë nga elitat e shkolluara me orientim të majtë, që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të lexuesve të gazetës në fjalë, dhe kjo ka të bëjë me figurën e  Navid Kermanit, i cili luan rolin e intelektualit publik që në Gjermani nuk është aq i përhapur, sa të themi në Francë.

Besimtar dhe emancipues

Orientalist nga profesioni, ai vlerësohet si njohës i shkëlqyer i kulturës islame dhe asaj perëndimore dhe si përkthyes dhe kësisoj afrues mes këtyre dy botëve, të cilat, me gjithë synimin për të zhvilluar një dialog mes tyre, ende nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët që do ta mundësonte këtë. Prandaj edhe kontributet që tregojnë lidhjet e vjetra mes këtyre dy kulturave, siç i jep Kermani kur flet për dimensionin mistik të poezive të Goethe-s dhe identifikimin e poetit iranian Hedayat me hebreun nga Praga, Franz Kafka, («Zwischen Koran und Kafka», 2014) përpihen etshëm nga lexuesit e fejtoneve të hapësirës gjermanofone. Një shenjë e vlerësimit ndaj këtij roli ndërlidhës dhe emancipues ishte nderimi që iu bë në vjeshtën e vitit 2015 me Çmimin e Paqes së Librarëve Gjermanë në mbyllje të Panairit të Librit në Frankfurt.

Mirënjohës është ky publik edhe për çdo sugjerim dhe reflektim të mençur që bën Kermani për përballimin e sfidës së integrimit të refugjatëve të shumtë nga vendet islame. Këto mendime nuk jepen nga pozitat e një studiuesi të mbyllur në dhomën e punës dhe të informuar vetëm nga mediat, por nga dikush që ka marrë rrugën për t’i njohur vetë nga afër refugjatët, siç e bëri Kermani në verën e vitit 2015 kur përshkoi itinerarin e refugjatëve kryesisht sirianë duke u bërë vetë pjesë e tyre. Kermani është një kureshtari i pafund dhe zbulues i botëve. Në vitin 2013 ai mori pjesë në polip, Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë në Prishtinë.

Pajtim a provokim?

Koncepti i vlerësimit të njëjtë të gjermanëve me prejardhje gjermane me gjermanët me sfond emigracioni është ende i ri dhe nuk e ka gjetur deri tani pasqyrimin në institucionet më të larta të qeverisë dhe shtetit. Megjithëse mbi 19 për qind e shtetasve gjermanë kanë një sfond emigracioni, në Bundestag ata përfaqësohen vetëm me pesë për qind, ndërsa besimtarë të fesë islame janë vetëm 3 nga gjithsej 630 deputetë. Në qeverinë e koalicionit të madh nuk përfaqësohen as emigrantët e as myslimanët. Kjo është pasojë e politikës së gabuar të dekadave të mëparshme, kur emigrantët trajtoheshin si mysafirë, por edhe i mendësisë së krijuar te vetë imigrantët dhe brezat pasardhës të tyre, që nuk e kanë parë Gjermaninë si vendin e tyre të parë.

Në këtë aspekt një president si Navid Kermani, që vërtet është besimtar, por që e ndan fenë nga shteti dhe mbron idenë e përhapur kryesisht nga filozofi Jürgen Habermas për patriotizëm ndaj Kushtetutës, pra, ndaj vlerave politike, si demokracia dhe të drejtat e njeriut, do të shërbente si shembull nxitës për shumë shtetas me sfond emigracioni ose myslimanë që identitetin e tyre të dyfishtë ta menaxhonin në mënyrë sa më të frytshme si për vete ashtu edhe për Gjermaninë.

Kurrë më parë Gjermania nuk ka qenë kaq e hapur ndaj kulturave të huaja sa sot, por do të ishte e paplotë nëse nuk do të përmendej se kjo tendencë, që – sikurse shumica e ndryshimeve thelbësore në Gjermani – është iniciuar nga elitat politike, shoqërohet me një frikë të shtuar për humbjen e identitetit. Këtë e dëshmojnë anketimet e bëra kohët e fundit nga Infratest Dimap (maj 2016), sipas të cilave mbi 60 për qind e gjermanëve janë të mendimit se islami nuk është pjesë e Gjermanisë (në vitin 2010 ishin vetëm 38 për qind) dhe mbi 60 për qind janë të shqetësuar për pasojat e mundshme që mund të shkaktojë feja islame që po sjellin me vete refugjatët.

Edhe pse Kermani, si besimtar dhe emancipues, në fakt do të ishte personi më i përshtatshëm për ta zvogëluar këtë frikë dhe për të rikthyer këtë besim të humbur mes feve, të djathtët dhe antievropianët e grumbulluar sot rreth partisë populiste «Alternativa për Gjermaninë» (që sipas statistikave aktuale përbëjnë rreth 10 për qind të elektoratit do ta interpretojnë kandidaturën e Kermanit si provokim pikërisht për të shtuar frikën e qytetarëve. Për partitë konservatore të demokristianëve (CDU) dhe socialkristianëve (CSU), të cilat tradicionalisht përpiqen të lidhin pas vetes elektoratin e djathtë, kjo do të thotë humbje votash, prandaj vështirë të përfytyrohet këto parti do të mbështesin kandidaturën e tij.

Manovra elektorale

Presidenti në Gjermani vërtet që ka pushtet simbolik, por zgjedhja e tij në shkurt të vitit 2017 ka një rëndësi të madhe për partitë, sepse ajo sinjalizon se cilat koalicione kanë shanset më të mëdha për të dalë fituese në zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në vjeshtën e po atij viti. Në këto kushte përzgjedhja e një figure kaq simbolike kthehet në një rezultat manovrash elektorale dhe është vetëm çështje fati, se a është ky personi përfaqësues dhe integrues i të gjithë gjermanëve.

Për momentin as kampi demokristian dhe socialkristian dhe as kampi socialdemokrat dhe të gjelbrit nuk e arrin shumicën e duhur në Asamblenë Kushtetuese, që përbëhet nga deputetët e Bundestagut dhe delegatët e landeve. Atyre do t’u duhet të kërkojnë aleatë te partitë e ngjashme. Në këto kushte nuk është e pamundur që nga këto manovra elektorale të dilte si kandidat Navid Kermani. Pavarësisht nga suksesi i saj, ajo kandidaturë do të shënonte një kthesë në konceptin e gjermanëve për kombin e tyre, dhe sërish do të befasonte me shkallën e lartë të tolerancës që shoqëria gjermane ka arritur në këto shtatë dekada.