Demaçit, çmimi «Esad Mekuli» për krijimtari letrare

Adem Demaçi, është nderuar me çmimin për krijimtari të përgjithshme letrare «Esad Mekuli».




Në 80-vjetorin e lindjes, Demaçi e ka pranuar këtë çmim nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës në takimin letrar «Esad Mekuli» të enjten mbrëma në bibliotekën kombëtare të Kosovës «Pjetër Bogdani».
Vetë Demaçi nuk ka pranuar të flasë për media me arsyetimin se këtë nuk mund ta bëjë për shkak të gjendjes shëndetësore. Kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Flora Brovina, ka thënë se vetëdija kritike e Demaçit ka bërë që ai të jetë personalitet disident kundër shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve.

«Flijimi i tij e ka bërë Demaçin simbol të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Adem Demaçi edhe sot është ndër klasikët e letërsisë sonë moderne. Personaliteti veprimtar dhe krijues i zotit Adem Demaçi është nderuar me shumë çmime dhe mirënjohje kombëtare e ndërkombëtare», ka thënë Brovina për Demaçin, i cili më 1991 ishte laureat i çmimit «Saharov».

Brovina ka thënë se Demaçi, i cili është autor i veprës «Gjarpinjtë e gjakut», e botuar më 1958, ka dhënë një ndihmesë të madhe edhe për LShK-në gjatë katër vjetëve sa ishte kryetar i këtij institucioni. Pikërisht në kohën kur Demaçi u bë kryetar, LShK-ja ia ndërroi emrin çmimit, që deri në atë kohë (2010) mbante emrin e Hivzi Sylejmanit.

Vitin e kaluar nuk u nda fare. «Për arsye objektive, në rend të parë për arsye të mungesës sime, dhe shumë anëtarëve që ka qenë dashur të vendosin, çmimi ‘Esad Mekuli’ shtyhet dhe do të ndahet në një orë letrare të ardhshme, ku do të pranohen edhe anëtarët e rinj të Lidhjes së Shkrimtarëve», kishte qenë arsyetimi i Flora Brovinës. Më 2013 laureat të Çmimit «Esad Mekuli» ishin Musa Ramadani e Muhamed Kërveshi.

Për veprën e Demaçit ka folur anëtari i LShK-së, Shyqri Galica. Sipas tij krijimtarinë letrare «shkrimtari e politikani dinjitoz e filloi me shkrimet e botuara në revistën letrare ‘Pionieri i Prishtinës’» , për të vazhduar më pas tek «Jeta e re», ku do të gjente përkrahje nga poeti Esad Mekuli.

«Nga viti 1953 deri më 1958 pothuajse në çdo të dytin numër të ‘Jetës së re’ do të botojë tregime të shkurtra. Krijimtaria letrare dëshmonte prirjen dhe përkushtimin e shkrimtarit për t’u futur thellë në botën komplekse të popullit të tij që po jetonte nën pushtimin jugosllav», ka thënë Galica. Sipas tij aksioni i famshëm i armëve do të bënte që Adem Demaçi prirjes së tij krijuese t’ia shtonte edhe veprimtarinë kombëtare që do ta shoqëronte vazhdimisht në të gjitha periudhat.

«Do të ndërpriste krijimtarinë letrare dhe do të vuante 28 vjet burg», ka thënë Galica në ceremoninë ku ka qenë i pranishëm edhe akademik Rexhep Qosja.

Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka ndarë edhe çmimet vjetore për poezi «Bardhi». Në mesin e 26 poetëve, Agim Berisha ka marrë çmimin e parë, Fatime Ahmetaj të dytin dhe Bedri Islami të tretin. Manifestimi është përmbyllur me muzikë ku kanë interpretuar Ahmet Dërguti në piano, Drilon Hyseni në kitarë dhe sopranot Majlinda Bajrami e Vita Guhelli.

Në mesditë, në sesionin letrar të takimin letrar, «Esad Mekuli», është diskutuar mbi krijimtarinë letrare të Josip Relës (1985-1966), i lindur në Arbnesh të Zarës në Kroaci.
Sipas studiuesit Isak Shema, në letërsinë shqipe Rela shquhet si poet tregimtar dhe veçanërisht si dramaturg.

«Krijimtarinë letrare e ka filluar më 1916 dhe e ka përfunduar më 1966. Jeta dhe veprimtaria e tij është shumë interesante. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje. Në atë kohë nxënësit e Arbneshit patën mundësi ta mësojnë gjuhën shqipe si lëndë mësimi», ka thënë Shema. Sipas profesorit universitar, në formimin e këtij autori ka ndikuar rrethi familjar, si dhe ai arbëresh në tërësi.

«Shquhet në krijimtarinë dramatike. Në të gjitha dramat shquhet duke pasur parasysh kohën kur janë krijuar», ka thënë Shema. Rela shquhet edhe për mënyrën e trajtimit dhe aftësinë për t’i përgatitur dramat që të jepen në skenë.

Dramaturgu universitar, Nebi Islami, ka thënë se krijimtaria e Relës meriton të shqyrtohet në këndvështrime të ndryshme dhe të vlerësohet niveli i lartë artistik dhe rëndësia e veprave të tij.
«Sikurse poezia e proza, edhe drama e Relës mëton të krijojë një utopi artistike, e cila buron nga reminishencat artistike. Në tri format e veprës ka objektivizuar historinë dhe moralin.

Në disa nga krijimet e tij vërehet qartë ndikimi i humanizmit abstrakt. Poezitë e Relës kanë edhe parulla ideologjike», ka thënë ai për autorin e dramës «Nita».
Pikërisht te kjo vepër është ndalur dramaturgu Besim Rexhaj, duke thënë se ajo ka një strukturë që i motivon fushat tematike dhe ideofilozofike.

«Kjo strukturë është struktura e personazhit. Sikur të mos kalonte kryepersonazhi nëpër një rrugë jetësore sikurse ajo kolektive, nuk do të kalonte nëpër shtigjet jetësore që e shpijnë atë në tragjedi. Rela ka synuar dhe ia ka dalë të motivojë kryepersonazhin e vet», ka thënë Rexhaj teksa ka shtuar se autori, tragjedinë e personazhit e ka nxjerrë në kontekstin e tragjedisë kolektive.

Studiuesi Hamit Xhaferi, ka thënë se në kohën kur shkruante Rela ishte periudha e zbehjes së traditës kombëtare dhe e gjuhës tek arbëreshët e Zarës. Sipas tij poezitë e autorit arbëresh kanë mbetur trashëgimi e Zarës dhe arbëreshëve.

«Thuhet se poetët nuk vdesin kurrë, por vetëm kalojnë në orën e 25-të të ditës. Për poetin Josip Rela parimi i arsyetimit ka qenë dhe është esencial», ka thënë ai. Gjatë leximit të kumtesave aktoret Adelina Zekolli, Vjosa Malokaj e Vjollca Selmani kanë lexuar pjesë të dramës «Nita». Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës vitin e kaluar nuk e kishte ndarë fare Çmimin për krijimtari të përgjithshme letrare.