8 burra zotërojnë më tepër se gjysma e popullsisë botërore

Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është më i thellë nga ç’është menduar deri më tani.

Foto: LVVs / Shutterstock



Tetë burrat më të pasur në botë kanë më shumë para se sa gjysma e varfër e popullsisë botërore. Kështu e transmeton Tages Anzeiger një raport të organizatës humanitare «Oxfam». Sipas saj, pabarazia sociale në botë është më e lartë se ç’është menduar.

Bill Gates, Amancio Ortega, Warren Buffett, Carlos Slim Helu, Jeff Bezos, Mark Zuckerberg, Larry Ellison dhe Michael Bloomberg vitin e kaluar zotëronin 426 miliardë dollarë, ndërkohë që 3,6 miliardë njerëz bashkërisht bënin 409 miliardë dollarë, ka nxjerrë «Oxfam»-i në vigjilje të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Para një viti, sipas kësaj organizate, raporti qëndronte te 62 persona, pasuria e të cilëve korrespondonte me atë të gjysmës së varfër të popullsisë botërore. Të dhëna të reja mbi pasuritë, sidomos nga Kina dhe India, tregojnë që të varfërit zotërojnë ndjeshëm më pak pasuri nga ç’është menduar deri më tani. Atëbotë ishin nëtë miliarderë që peshonin sa pasuria e gjysmës së varfër të popullsisë botërore.

Ky zhvillim, sipas organizatës shpjegohet me mundësitë e njerëzve të pasur dhe koncerneve ndërkombëtare që të krijojnë avantazhe në kurriz të mirëqenies së përgjithshme. Kësaj ia dalin, për shebull, përmes teknikave të shmangjes së tatimeve apo shfrytëzimit të të ashtuquajturave oaza tatimore, duke i shtyrë shtetet në një konkurrencë shkatërrimtare për tatime më të ulta.

Dhjtë koncernet më të mëdha kanë realizuar më shumë fitim se 180 shtete marrë së bashku. «Oxfam» e thumbon tendencën e ndërmarrjeve për të maksimizuar fitimet e aksionerëve. Ndërsa më 1970 në Britaninë e Madhe hisedarëve iu shkonte 10 për qind e fitimeve, sot kjo shifër shkon në 70 për qind. Dhe, kjo funksionon sidomos për të pasurit, sepse shumica e aksionerëve bëjnë pjesë tek më të pasurit e shoqërisë.

Rritja e hendekut e dëmton kohezionin social, e pamundëson luftën kundër varfërisë dhe e gërryen besimin në demokraci, paralajmëron «Oxfam». Kështu pabarëzia po e përgatit situatën për të djathtën ekstreme dhe armiq të tjerë të një shoqërie solidare.

Kundër kësaj organizata angazhohet për një taksë minimale për koncernet, mbylljen e oazave tatimore, transparencë të fitimeve dhe tatimeve të koncerneve si dhe tatime për të ardhura dhe pasuri shumë të larta. Qeveritë, sipas saj, duhet të punojnë për 99 përqindshin e popullsisë. ks