8 arsye për ta refuzuar një punë

Aplikantët nuk duhet të durojnë gjithçka gjatë kërkimit të një vendi pune. Në situatat në vijim, më mirë e kanë t’ia mbathin.

Foto: gpointstudio / Shutterstock

Ata që janë në kërkim pune i gëzohen përzgjedhjes në proceset e aplikimit. Por ka edhe arsye për kujdes, sepse jo çdo shpallje që duket si puna ideale është çfarë premton. Në tetë rastet në vazhdim, hulumton «20 Minuten» në një bashkëbisedim me një psikolog pune, është më mirë të refuzoni:

1)Të dhëna të gabuara ose të pasakta. Nuk shkon fare nëse përshkrimi i punës në shpallje nuk korrespondon me punën që duhet kryer. Aplikanti ka nevojë për informata të sakta. Shpalljet e gabuara konsiderohen skajshmërisht joprofesionale.

2)Vendi i punës është shpallur prej kohësh. Nëse një ndërmarrje të njëjtin vend pune e mban të hapur me muaj të tërë, duhet të ketë një arsye më të thellë. Sidomos duhet patur kujdes nëse punëdhënësi nuk e din se çfarë kërkon. Apo firma ka kërkesa jorealiste dhe është skajshmërisht fleksible.

3)Mungesë e formaliteteve. Ju nuk duhet të prisni pafundsisht në një përgjigje pasi të keni aplikuar. Në rast të pranimit të një aplikimi, ndërmarrja duhet që brenda dy ditëve të paraqitet, së paku me një konfirmim të pranimit të aplikimit. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, keni arsye për të dyshuar. Kjo domethënë që ndërmarrja është e organizuar keq.

4) Bashkëbisedues të papërgatitur. Kjo shihet kur në një intervistë pune konstatoni se bashkëbiseduesi as që e ka parë dosjen tuaj. Gjëra të tilla ndodhin kur ndërmarrja i fton kandidatët për ta vlerësuar vetëm anën e tyre të jashtme.

5)S’ka perspektivë. Në një intevistë pune nuk është vetëm kandidati që duhet t’i ndënshtrohet pyetje-përgjigjeve – edhe firma e ka për detyrë ta informojë aplikantin. Pritjet duhen komunikuar qartë, sikurse edhe mundësitë e zhvillimit. Nëse nuk shihni perspektivë, atëherë duhet ta mendoni dy herë angazhimin në një ndërmarrje të tillë.

6)Pyetje të papërshtatshme. Intervista e punës shërben për ta njohur njëri-tjetrin. Por aplikanti nuk duhet t’i lejojë të gjitha pyetjet. Për shembull, gratë mbi 30 vjeç shpesh pyeten nëse dëshirojnë të bëjnë fëmijë. Në këtë rast kandidatja nuk është e detyruar të japë një përgjigje të sinqertë. Si tabu konsiderohen edhe pyetjet lidhur me shëndetin psiqik dhe fizik.

7)Vlerësime, apo testime të pakuptimta. Ju keni të drejtë të përgatiteni për një situatë të tillë, për shembull nëse punëdhënësi juaj dëshiron ta vlerësojë rezistencën tuaj ndaj stresit. Vlerësime me të cilat aplikuesi duhet të konfrontohet pa paralajmërim janë joprofesionale; si të tilla ato mund të bokotohen.

8)Fluktuacion i lartë. Rekomandohet të keni kujdes me një punë, në të cilën gjatë prezantimit me ekipin e ardhëm konstatoni që pjesa më e madhe e tyre janë angazhuar vetëm para pak kohësh. Bisedoni me kolegët e punës. Ndoshta është një repart i sapokrijuar? Por, ndoshta fluktuacioni aty është jashtëzakonisht i lartë. Nëse pas tre muajsh punëtorët e braktisisn ndërmarrjen, me të diçka nuk është në rregull. ks