77 minuta hallakatje në Shtëpinë e Bardhë

Pas katër javësh në post Donald Trumpi hyri në histori – me një konferencë për shtyp.




Wolf Blitzer është një moderator me përvojë. Shikuesve në Kosovë u kujtohet që nga koha e luftës së vitit 1999. Si atëherë edhe sot Blitzer vazhdon të drejtojë në CNN emisionet kryesore politike. Një gazetar me përvojë, të cilin nuk mund ta nxjerrin nga binarët as ngjarjet më të mëdha globale. Megjithatë, pas konferencës për shtyp që presidenti amerikan Donald Trump e mbajti të enjten në mbrëmje (sipas kohës amerikane) edhe Blitzer i habitur tha: «Kjo ishte e pabesueshme». Trump doli para gazetarëve për të prezantuar ministrin e tij të ri të Punës. Kandidati i tij i preferuar ishte tërhequr nga frika se nuk do të merrte votat e mjaftueshme në Senatin e dominuar nga republikanët. Jake Tapper, korrespondent i CNN nga Washingtoni, pas konferencës për shtyp, tha: «Ky nuk është president, të cilit i interesojnë kërkesat e njerëzve në këtë vend. Për fëmijët e uritur në Appalachian Mountains. Për ushtarët në studime apo punëtorët e çelikut që kërkojnë punë».

Pas prezantimit të ministrit Trump filloi një hallakatje retorike prej 77 minutash kundër mediave, kundër kritikëve, kundër rivalëve politikë, kundër fakteve, kundër realitetit. Trump tha se Barack Obama kishte lënë pas një rrëmujë, një katastrofë, një tmerr, papunësi, mjerim. E vërteta: papunësia në SHBA nuk ka qenë më e ulët tashmë disa dekada. Trump thotë se qytetet amerikane po i shkatërron kriminaliteti, por numri i vrasjeve është më i ulëti në 40 vitet e fundit.

Shepard Smith nga televizioni Fox News, i cili e mbështet Trumpin, megjithatë, pas konferencës historike për shtyp të presidentit, tha: «Është çmenduri çfarë po shikojmë çdo ditë». Stefan Röpke, psikiatër nga Berlini, kështu e shpjegon Trumpin në gazetën «Süddeutsche Zeitung»: «Ai i plotëson madje edhe kriteret shtesë, për shembull me hidhërimin e menjëhershëm dhe shpërthimet tepër të tërbuara. Shikuar kështu ai sillet si një narcis nga doracaku». Narcisët, sipas Röpke, nuk janë të çmendur, «ata e dinë saktësisht se çfarë po bëjnë».

Gjatë konferencës për media Trump ia doli të shajë gati të gjithë gazetarët dhe të thotë se Vladimir Putini nuk do të jetë i gatshëm të bëjë një «deal» me Donald Trumpin për shkak se po e vëren se me çfarë gazetarësh ka të bëjë shefi i Shtëpisë së Bardhë. Paramendojeni: kryetari i superfuqisë botërore shqetësohet që shefi i Kremlinit po shqetësohet për problemet e Donald Trumpit.

Kur një gazetar i një magazine hebraike e pyeti Trumpin se çfarë e kishte ndërmend të ndërmerrte kundër rritjes së numrit të sulmeve antisemite, presidenti u përgjigj: «Unë jam personi më së paku antisemit». Thua se ishte pyetje personale. Kur një reportere e pyeti nëse do të takonte anëtarët zezakë të Kongresit, Trump ia ktheu stuhishëm: «A janë ata miqtë tuaj?»

Amerikanët liberalë janë të tronditur nga një president që e humb kontrollin kur kritikohet nga mediat apo nga ndonjë artiste (për shembull Meryl Streep). E si do të reagojë ky në rast të ndonjë provokimi më të madh? Më mirë të mos merret me mend ky skenar. Më mirë të shpresohet se me kalimin e kohës edhe vetë republikanët në Kongres do të pyesin veten se a duhet ta durojnë një president të tillë 4 vjet. «Trump shkarkoi ushtruesen e detyrës së ministres së Drejtësisë, mbylli telefonin në një bisedë me kryeministrin australian – bisedë që nuk rrodhi sipas dëshirës së tij, anuloi ftesën për vizitë që ia kishte bërë presidentit të Meksikës, sidoqoftë vend fqinj. Ai shau senatorin me renome John McCain, rrjetin e dyqaneve Nordstrom dhe vazhdimisht mediat», shkruan «Süddeutsche Zeitung». Ndërsa Mitch McConnel, lider i shumicës republikane në Senat, këtë javë i tha gazetës «Wall Street Journal»: «Të gjithë do ta kishim më lehtë të arrijmë sukses nëse do të kishte më pak postime në Twitter». Gjasat janë të vogla. Madje kur tërbohet dhe kjo bën vaki shpesh, Trump shkruan 140 shkronja të mëdha në Twitter. So sad. Fake news. Dishonest. Failing. Enemy. Very un-American. «Përndryshe», tha Trump në konferencën e tij për shtyp, «unë vërtet nuk jam njeri i keq».