73 mijë fëmijë të varfër në Zvicrën e pasur

Çdo të njëzeti fëmijë në Zvicër i mungojnë paratë për të jetuar. Dhe trefish më shumë janë të kërcënuar nga varfëria, konstaton një studim i qeverisë zvicerane. Kuota më e lartë e varfërisë së fëmijëve në BE është në Rumani. Jashtë BE-së varfëria e fëmijëve vazhdon të jetë e madhe në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni.

Foto: Shutterstock

Në Zvicër jetojnë 73 mijë fëmijë në varfëri, 234 mijë janë të kërcënuar nga varfëria. Në amvisëritë pa njerëz të punësuar madje çdo i dyti fëmijë është i rrezikuar nga varfëria dhe çdo i pesti është i prekur nga skamja.

Faktor kyç për pengimin e varfërisë së fëmijëve është punësimi i të rriturve, të cilët jetojnë në amvistërinë përkatëse, thuhet në një studim të Entit Federal të Statistikave të Zvicrës (BFS), të publikuar të premten. Studimi, sipas mediave zvicerane, trajton varfërinë dhe mungesat materiale të fëmijëve në Zvicër duke u bazuar në të dhënat e vitit 2014. Rreth 30 për qind e fëmijëve të kërcënuar nga varfëria jetojnë në amvisëri pa persona të punësuar. Pjesa tjetër prej 70 për qind – pak më shumë se 51 mijë fëmijë në Zvicër – jetojnë në amvisëri ku përkundër punësimit të të rriturve të ardhurat nuk mund të kalojnë pragun e varfërisë.

Fëmijët që rriten me vetëm njërin prind janë më të rrezikuar nga varfëria. Gati çdo i dyti fëmijë në këto amvisëri duhet të jetojë në skamje. Kjo domethënë se fëmija nuk mund të merret me ndonjë aktivitet të lirë, i cili kushton, dhe në shtëpi nuk ka ambient të përshtatshëm për të mësuar. Shumë nga këta fëmijë shpesh jetojnë në banesa me lagështirë apo në vende me fqinj të papërshtatshëm, ku janë të përhapura zhurma, vandalizmi apo dhuna.

Shoqata humanitare Caritas shkruan në një deklaratë se në krahasimin ndërkombëtar Zvicra investon pak në familje. Caritas kërkon që qeveria zvicerane të angazhohet më shumë në garantimin e rrogave që sigurojnë ekzistencën dhe të marrë masa për përmirësimin e kushteve familjare dhe në ushtrimin e profesionit.

Megjithatë, në krahasim në vendet europiane Zvicra prapë qëndron mirë. Njëjtë mirë apo edhe më mirë fëmijët jetojnë vetëm në vendet skandinave dhe në Holandë. Në BE mesatarisht çdo i katërti fëmijë është i rrezikuar nga varfëria apo izolimi social, ka njoftuar javën e kaluar autoriteti europian i statistikave Eurostat. Kuota më e lartë e varfërisë së fëmijëve është në Rumani. Jashtë BE-së varfëria e fëmijëve vazhdon të jetë e madhe në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni. (-lli)