70 dosje apo 70 vrasje: LDK duhet të zgjedhë

Disa krerë të LDK-së po bërtasin: s’mund të bëjmë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse i ka dorëzuar 70 dosje në prokurori kundër Isa Mustafës. Kjo s’është kurrfarë tragjedie, sepse nëse shefi i LDK-së i ka duart e pastra, s’ka përse të bëhet merak. Poterexhinjtë e LDK-së duhet të përgjigjen përse e patën më lehtë të bëjnë koalicion me PDK-në, të cilën e kanë akuzuar simbolikisht për së paku 70 vrasje.

Foto: Shutterstock



«Me ç’punë po merreni?», e pyetën zotin K. Zoti K. u përgjigj: «Jam shumë i ngarkuar, jam duke e bërë gati gabimin tim të radhës». Kështu shkruan Bertolt Brecht te tregimet për zotin Keuner. Dhe kështu po duket LDK tani: duke e bërë gati gabimin e radhës.

Natyrisht është e drejtë e LDK-së të refuzojë koalicionin me PDK-në apo me VV-në. PDK e ka poshtëruar LDK-në qe së paku një dekadë dhe, më në fund, duket se këtë e kanë kuptuar edhe shurdhmemecët dhe Nëndega e LDK-së në Shurdhan dhe Aktivi i LDK-së në Muçibabë. Lëvizja Vetëvendosje nga ana tjetër mund të ketë pasur pjesërisht të drejtë me kritikat e saj ndaj LDK-së, por sjellja arrogante, shpesh primitive e militantëve të VV-së ndaj Lidhjes Demokratike me akuza brutale dhe paushalle, me aksione të marra (sulmi me sprej ndaj Isa Mustafës, atakimi i shtëpisë së tij) e bëjnë të vështirë një bashkëpunim. Rrjedhimisht, LDK mund të mbajë qëndrim të qartë: nuk kemi partnerë për të krijuar qeveri dhe duam të shkojmë në opozitë. Ky do të ishte një qëndrim dinjitoz.

LDK, fatkeqësisht, po përgatit gabimin e radhës. Disa nga anëtarët apo funksionarët e saj kanë filluar një fushatë kundër Lëvizjes Vetëvendosje (brenda një dite kanë folur Avdullah Hoti, Sokol Havolli, Lumir Abdixhiku), duke u ankuar se Lëvizja Vetëvendosje i paskësh dorëzuar 70 dosje kundër Isa Mustafës në prokurori. Obobo, çfarë mëkati! Nëse shefi i LDK-së i ka duart e pastra (dhe me këtë duhet llogaritur deri në momentin kur të kemi një vendim të plotfuqishëm të drejtësisë për fajësi), atëherë përse të bëhet merak? Kur ka qenë kryetar i Prishtinës Isa Mustafa, drejtësia kishte arrestuar disa zyrtarë të kryeqytetit. Mustafa ishte i bindur se prapa aksionit qëndronte PDK dhe atëbotë ia kishte tërhequr vërejtjen një zëvendëskryeministri nga radhët e PDK-së që të kenë kujdes, sepse kur të vijë LDK në pushtet edhe ata mund të përfundojnë në burg.

LDK erdhi në pushtet dhe askush nga krerët e PDK-së nuk shkoi në burg. Isa Mustafa lidhi koalicion me PDK-në, të cilën funksionarë të LDK-së publikisht ose duke pëshpëritur e kanë akuzuar për së paku 70 vrasje. (Numri 70 këtu përmendet për arsye simbolike). Shumica e viktimave kanë qenë funksionarë të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tash – a më lehtë të bëhet koalicion me një partner (PDK) që e ke akuzuar për vrasje apo me një partner (VV) që ka shprehur dyshime për korrupsion në komunën e Prishtinës? Fundja, bashkëpunimi me organet e drejtësisë është obligim i çdo qytetari, edhe i qytetarit Isa Mustafa.

Avdullah Hoti, Sokol Havolli dhe Lumir Abdixhiku nuk janë përgjegjës për koalicionet e deritanishme të LDK-së me PDK-në. Andaj, ata duhet të shikojnë të ardhmen. Të kaluarën mund ta mbrojë Isa Mustafa. Është e vërtetë që VV pothuaj nuk ka zgjedhur mjete për të bërë opozitë kundër pushtetit. Nganjëherë edhe mund të ketë rënë në grackat e shefit të PDK-së (ose vullnetarisht i kanë zgjedhur ato gracka), por VV nuk mund të akuzohet për aleancë aktive me PDK-në, siç po supozon Avdullah Hoti. Se kush e ka mbajtur PDK-në në pushtet Hoti duhet ta dijë mirë. Gjenerata e re e politikanëve të LDK-së duhet të zgjedhë mes 70 dosjeve apo 70 vrasjeve. Rrugë tjetër nuk ka.

Por, edhe VV duhet të mësojë shumë. Nga këndi opozitar është lehtë të kritikohet pamëshirshëm, pa kompromis. «Kush është në qeveri duhet të fikë zjarre. Opozita mund të mendojë për përmirësimin e shërbimit të zjarrfikësve», thoshte një ministër gjerman dikur. VV duhet të zgjedhë: të fikë zjarre (lexo: të punojë për përparimin e Kosovës) ose t’ia vë zjarrin vendit me retorikë bajate, kuazipatriotike dhe me fushata kërcënuese ndaj çdokujt që s’pajtohet me mendimin totalitar të militantëve të saj.