650 milionë euro për arsimtarët e «viteve në bodrum»

Mësimdhënësit e viteve '90 mund t'i kushtojnë buxhetit deri 650 milionë euro.




Në analizën «Ndikimi buxhetor i Ligjit për punëtorët e arsimit shqip të viteve ‘90» të realizuar nga Instituti GAP thuhet se barra buxhetore e projektligjit është shumë më të madhe se sa ajo që është përllogaritur fillimisht nga Ministria e Financave (MF) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT). Sipas Institutit GAP, kostoja e ligjit në periudhën 2019 – 2020 pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro, apo për 16.1 milionë euro (114 për qind) më e lartë se sa kalkulimet që i ka bërë Ministria e Financave për të njëjtën periudhë. GAP ka paraparë se që nga vitit 2019 deri në vitin 2049 vlera e këtij projektligji do të shkojë deri në 650 milionë euro duke marrë parasysh të gjithë faktorët. Në periudha të ndryshme gjatë viteve të ‘90, sipas MAShT, kanë marrë paga deri në 23 mijë persona.

Sipas Ministrisë së Financave dhe MAShT, përfituesit e pensioneve meritore do të marrin një mbështetje shtesë financiare prej 67.75 euro, respektivisht prej 23.25 euro. Sipas përllogaritjeve të Institutit GAP, në formën aktuale se si është shkruar ky projektligj, pensionistët e kategorisë së parë, ata që kanë së paku pesë vjet përvojë pune në vitet e 90-ta, marrin pension shtesë në mes të 73.75 euro dhe 228.75 euro. Kurse pensionistët e kategorisë së dytë, ata që kanë një deri pesë vjet përvojë pune, marrin pension shtesë nga 33.25 euro deri 188.25. Sipas njërit nga skenarët e Institutit GAP, në dy vitet e para (2019-2020) kostoja buxhetore e këtij ligji pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro, apo 16.1 milionë euro (114 për qind) më e lartë se sa kalkulimet që i ka bërë Ministria e Financave.

Sipas modelit të Institutit GAP, jetëgjatësia e ligjit përllogaritet të jetë rreth 31 vjet, ku përfshin periudhën 2019-2049, nëse zbatimi i tij fillon nga vitit 2019. Jetëgjatësia e ligjit është përcaktuar duke u bazuar në vlerësimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për jetëgjatësinë mesatare (rreth 73 vjet). «Meqë si referencë për kalkulimin e pensionit është përdorur paga bazë e arsimtarëve, është vlerësuar që paga e njëjtë do të rritet në vazhdimësi mesatarisht 4 për qind në vit, në vite me rritjen e BPV-së së Kosovës», thuhet në analizën e GAP. Për të gjetur shpërndarjen e mësimdhënësve të viteve 1990-1999 në analizë është supozuar një shpërndarje normale e moshës së tyre nga mosha 22 vjeç deri në 65 vjeç, ku numri i mësimdhënësve i përfshirë në llogaritje është 23 mijë e 291.

«Sipas kalkulimit të Institutit GAP, nën supozimet se rritja e BPV-së do të jetë rreth 4 për qind; ku 10% e bashkëshortëve të përfituesve marrin pension bazik/social; 10 për qind nuk kanë përgatitje shkollore superiore; dhe 5 për qind të punëtorëve të arsimit të mos kenë përvojë pune së paku 15 vjet para vitit 1999 (Skenari II), kostoja e ligjit në periudhën 2019- 2020 pritet të jetë rreth 30.4 milionë euro, apo për 16.1 milionë euro (114%) më e lartë se sa kalkulimet që i ka bërë Ministria e Financave për të njëjtën periudhë», theksohet në analizë.

Blendi Hasaj nga Instituti GAP tha se Kuvendi duhet ta kthej prapa këtë projektligj për shkak të barrës së madhe buxhetore. «Barra buxhetore rritet për 2.7 mil euro për vitin 2019 – 2020. Ne mendojmë që projektligji ka jetëgjatësi prej 31 vjetëve, prej 2019 – 2049 nëse fillon të zbatohet nga viti 2019. Ky projektligj ka barrë më të madhe se ajo që është llogaritur. Ne vlerësojmë që vlera e këtij projektligjit deri në vitin 2049 është 650 mil euro. Kuvendi ta kthej prapa këtë projektligj», tha Hasaj.

Me 18 prill 2013 përmes një rezolute, Kuvendi i Kosovës i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës ta përgatisë një projektligj i cili rregullon statusin e mësimdhënësve gjatë viteve të ’90. Në mbledhjen e mbajtur me 11 prill 2018, Qeveria e Kosovës aprovoi Projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99. Projektligji ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës me 17 maj 2018. Projektligji e njeh të drejtën e pensionit shtesë për të gjithë ata punëtorë të arsimit të cilët janë angazhuar së paku një vit gjatë viteve 90-ta.

Sipas nenit shtatë, pensioni meritor ndahet në dy kategori: ata që janë angazhuar më shumë se pesë vite marrin pension ekuivalent me 75 për qind të pagës bazë që është tani në arsimin fillor (405 euro) dhe ata që kanë shërbyer nga një deri në pesë vite dhe marrin 65 për qind të pagës bazë në arsimin fillor. Pensioni është i transferueshëm tek partnerët në rast të vdekjes së përfituesve të pensionit, si dhe tek fëmijët deri 18 vjeç, respektivisht 26 vjeç në rastet kur fëmijët janë duke vijuar shkollimin e rregullt.

Fatmir Gashi, zëvendësministër i Financave se MF-ja vetëm ka bërë kontrollin e asaj që ka bërë MAShT dhe MSh pa kaluar në nivelin e arsyetimit për të cilin ka të drejtë GAP. «Këtë ligj e ka sponsorizuar MASHT dhe kjo është pak interesant se bartëse është dashtë me qenë Ministria e Punës se kjo është një skemë pensionale», ka thënë Gashi. Sipas llogaritjeve të MF-së deri në vitin 2031 me llogaritje del që vlera e projektligjit është 280 mil euro. «Ky ligj mund të ndikoj shumë keq në aspektin makrofiskal, po ashtu ajo hapë kutinë e pandorës se ka edhe të tjerë që kanë kontribuar në atë periudhë. Ne nuk po e kundërshtojmë arsimin por duhet të mbajmë stabilitet në vend», theksoi Gashi.

Lumir Abdixhiku, kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa gjatë tryezës tregoi që ai ka marrë dy kosto të këtij projektligji, një nga ministri i arsimit që ishte shumë më i ulët dhe nga ministri i financave që ishte shumë më i lartë. «Mos qartësimi i kostos mes dy ministrave të një qeverie të krijon një përshtypje të pasigurisë. Nëse trajtojmë arsimin e viteve të ’90 duhet të jemi të sigurt që do të jetë edhe ligji për shëndetësinë e viteve të ’90. Vendimi është populist, në seancën e Kuvendit shumica e diskutimit ka qenë populist», tha Abdixhiku. Nezir Çoçaj, përfaqësues i PDK-së nga Komisioni për Arsim tha se angazhimi i mësimdhënësve në vitet e 90-ta nuk krahasohet me kontributin e të tjerëve. «Në seancë ka pasur mbështetje pa marrë parasysh pozitë apo opozitë. Angazhimi i mësimdhënësve nuk mund të krahasohet me kontributin e mësimdhënësve në vitet e 90-ta», tha Çoçaj.

Dardan Sejdiu theksoi se ky projektligj ka implikime të jashtëzakonshme buxhetore. Ai gjithashtu tha se ka edhe shumë persona të tjerë që kanë kontribuar gjatë viteve ’90. «Me sa e di rreth 200 mijë janë largu nga puna, ata janë njerëz mund të thirren për betejën e sakrificën që e kanë bërë në vitet 90 me pushtetin serb. Diskutimi duhet të bëhet për pension të dinjitetshëm e jo për merita e sakrifica», tha Sejdiu. Ai theksoi se në Kosovë janë 26 skema të tilla pensionale duke bërë thirrje që të krijohet fondi pensional. «Duhet të bëhet integrimi i sistemit pensional në një ombrellë, krijimi i një fondi pensional. Duke ndërtuar një fond të tillë ne e lirojmë barrën ndaj buxhetit. Kjo ndoshta (ligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip) nuk ka ndonjë kosto të madhe, 30 mil euro, mbulohet kjo, por nëse hapen të tjera atëherë bëhen shumë, janë 3307 policë që e kanë dorëzuar detyrën në vitin 1990», tha Sejdiu. Ai më tej shtoi se është duke u dërguar vendi në bankrot duke u bazuar në merita e sakrifica. «Nuk ka vend ku janë 26 skema e pensionale, e këto krejt me ligje të ndryshme. Kështu po i bëjmë pensionet vegël elektorale e jo të dinjitetshme», përfundoi Sejdiu.

Në këtë tryezë ishte i pranishëm edhe Ymer Ymeri nga SBAShK-u i cili tha se vazhdimisht është tentuar që ky ligj të pengohet. «Asnjëri nga buxhetet e prezantuara nuk janë të sakta. Kemi dyshime që në çdo hap po tentohet me u pengu ligji. Është e pamundur me nxjerrë numrin e saktë të mësimdhënësve përfitues. 650 milionë euro është vetëm shumë e imagjinuar, kalkulimi prej MF është i përafërt por prapë është i fryrë», tha Ymeri. Instituti GAP rekomandon që Kuvendi i Kosovës ta kthej prapa në Qeveri projektligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 dhe të obligojë Qeverinë që të hartojë një ligj të ri për skemat pensionale të financuar nga shteti. Po ashtu në rast se Kuvendi i Kosovës vazhdon me amendamentimin e Projektligjit dhe aprovimin e tij në lexim të dytë, Instituti GAP rekomandon që të largohet pika 2 e nenit 6 i cili parasheh bartjen e pensionit tek bashkëshortët/et dhe neni 7 të ndryshohet duke mos e ndërlidhur pensionin meritor me pagën bazë, por duke vendosur kritere më të detajuara për përfituesit e pensionit meritor, bazuar në vitet e angazhimit në arsimin shqip të viteve ’90. Një ndër rekomandimet e Institutit GAP është që Kuvendi të kërkojë nga MF një vlerësim të ri të ndikimit financiar, duke përfshirë edhe të dhënat e sakta për numrin e mësimdhënësve që do të pensionohen çdo vit. (kallxo.com)