64% e punonjësve në Shqipëri dhe Kosovë janë të pakënaqur me pagat e ulëta

Një sondazh i publikuar të mërkurën zbuloi se vetëm 37 për qind e të punësuarve në Kosovë dhe Shqipëri ishin të kënaqur me punën e tyre, ndërsa paga, respektimi nga punëdhënësi dhe puna jashtë orarit ishin shqetësimet kryesore.

Panairi i Punës në Shqipëri në vitin 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN



Vetëm 37 për qind e shqiptarëve dhe kosovarëve janë të kënaqur me punën e tyre, thuhet në një sondazh mbi nivelin e kënaqësisë në punë, i realizuar për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë.

Sondazhi zbuloi gjithashtu se 53 për qind e punonjësve ishin të pakënaqur nga puna që bënin dhe 11 për qind shumë të pakënaqur.

Anketimi përfshiu 1,429 persona të marrë si shembuj studimi në qytete të ndryshme të të dy vendeve dhe u krye nga EP & Partners Consultancy shpk (EPPC).

Synimi i studimit ishte të kuptohej perceptimi i kënaqësisë nga puna e të anketuarve, ku pjesëmarrësit u pyetën sa ishin të kënaqur nga puna aktuale dhe sa shanse kishte që brenda një viti të kërkonin punë diku tjetër.

Pra, shqiptarët dhe kosovarët kanë 16 për qind më shumë pakënaqësi nga puna që bëjnë krahasuar me nivelin e pakënaqësisë në botë që është 48 për qind.

Punonjësit me përvojë dhe me paga të larta dhe të mesme përfitonin kënaqësinë më të lartë nga puna.

Të rinjtë janë më të pakënaqurit me vendet e punës, si dhe ata me paga të ulëta.

52% e të anketuarve u përgjigjën se po shqyrtonin mundësinë për të kërkuar një punë të re, ku pretendimi për një pagë më të mirë është faktori më i rëndësishëm.

Kjo shifër në shkallë botërore, është më e lartë, në 55 për qind.

Paga sipas sondazhit është arsyeja kryesore pse të anketuarit kërkojnë punë të re, ndërsa pesë aspektet më të rëndësishme të punës ishin gjithashtu: vlerësimi për punën për 71 për qind të të anketuarve; respektimi i punonjësve në punë, siguria si dhe atmosfera në vendin e punës.

Studimi i tregut të punës nga EP & Partners Consultancy shpk (EPPC) në Kosovë dhe Shqipëri zbuloi gjithashtu pretendime nga punonjësit për mosrespektim të Kodit të Punës në të dy vendet.

«Të anketuarit shprehen të pakënaqur për faktin se një numër i tyre nuk kanë kontrata pune dhe aty ku kanë, në disa raste nuk respektohen», thuhet në sondazh.

Shqiptarët dhe kosovarët janë gjithashtu të shqetësuar nga orari i zgjatur i punës (i papaguar) si dhe mungesa e pushimeve në fundjavë dhe në ditët e festave zyrtare.

(https://www.reporter.al/pagat-e-uleta-lene-te-pakenaqur-64-te-punonjesve-ne-shqiperi-dhe-kosove/)