***




Ah, po braktis Aleksandrinë
dhe gjatë nuk do ta shoh më!
Do ta shoh Qipron, hyjni e shtrenjtë,
Edhe Surin, Efesin dhe Izmirin,
dhe Athinën – ëndrrën e rinisë sime –
Korintin dhe Bizantin e largët
dhe kurorëzimin e të gjitha ëndrrave të mia,
cakun e të gjitha synimeve –
do ta shoh Romën madhështore! –
Gjithçka do të shoh, vetëm ty jo!
Ah, po të braktis ty, gëzimi im,
dhe gjatë, gjatë nuk do të shoh!
Shumë bukuri do të shoh.
në shumë sy do të kridhem,
buzë të ndryshme do të puth,
kaçurrela të ndryshme do të ledhatoj
dhe emra të ndryshëm do të pëshpërit
në pritje të një takimi në pyje të ndryshme.
Të gjitha këto do t’i shoh, por ty jo!
1905-1908

Përktheu: Enver Robelli