6 milionë qytetarë në SHBA nuk kanë të drejtë vote

Për faktin se gjinden në burg hetues ose sepse janë gjykuar, disa miliona amerikanë janë të përjashtuar nga zgjedhjet për president të Amerikës. OSZE këtu sheh një shkelje të standardeve ndërkombëtare.

Foto: 360b / Shutterstock.com

Shefi i ODIHR-it është shprehur për «faz.de» se «deri gjashtë milionë amerikanë janë të përjashtuar nga zgjedhjet». Në mesin e këtyre bëjnë pjesë rreth 3,2 milionë qytetarë që gjinden në burg hetues ose janë gjykuar për delikte penale. 2,6 milionë tanimë e kanë kryer dënimin me burg dhe megjithë atë nuk lejohen të votojnë. Një vëzhgues zyrtar gjerman thotë për gazetën tjetër gjermane «Bild» se ka nevojë për një përshtatje me standardet ndërkombëtare.

Edhe amerikanët nuk janë aq të lumtur me punën e zgjedhjeve. Sipas një ankete të re, çdo i treti amerikan beson se zgjedhjet për president mund të manipulohen. Kohëve të fundit ka pasur gjithnjë e më shumë sinjale se hakerë rusë janë përzier në fushatën zgjedhore. Për këtë është i bindur edhe Washingtoni zyrtar, se hakerët kanë vepruar sipas udhëzimeve të Moskës.

«Edhe kandidati republikan për president të SHBA-ve i ka fryrë rregullisht zjarrit të dyshimeve ndaj sistemit politik», shkruan «spiegel.de». Në Twitter ai është shprehur që zgjedhjet janë falsifikuar që tani. Trump i ka akuzuar mediat se po publikojnë numra të rremë. Sigurisht që ai e ka akuzuar rivalen e tij Hillary Clinton, që po manipulon gjithashtu. Simpatizantët e Trumpit i akuzojnë demokratët për manipulim sistematik të zgjedhjeve dhe vjedhje të votave. Por, dëshmi të sakta nuk ka.

Edhe OSZE-ja deri më tani nuk ka gjetur dëshmi për të gjitha këto akuza. Mirëpo shefi i ODIHR-it përmend që në shumicën e shteteve të Amerikës po qeverisin guvernatorë republikanë. Me këtë, ata do t’i emërojnë edhe udhëheqësit e zgjedhjeve. ks