Vera e shkurtër e anarkisë

Hitleri i shkatërruar, Europa e çliruar, kontinenti një fushë rrënojash: javët pas 8 majit 1945 ishin një festë para sfondit të katastrofës së njerëzimit: Për një çast gjithçka dukej e mundshme, nga rrënojat u ringrit ëndrra për një botë të re. Çfarë ka mbetur?

Foto: Kujtim SHABANI



Lufta nuk përfundon kurrë pastër. Madje edhe luftërat e drejta – dhe që fitorja mbi «Rajhun e Tretë» të Hitlerit ishte plotësisht e arsyeshme këtë e vënë pak veta në dyshim – përfundojnë në kaos të tmerrshëm. Këtë e harrojnë me dëshirë gjeneratat pas vitit 1945. Shumica e mbështetësve të marshimit amerikan në Irak apo të ndërhyrjes perëndimore në Libi nuk kishin përvojë personale me konflikte ushtarake. Mendimi ishte se vetëm duhet të rrëzohet diktatori dhe pastaj gjithçka bëhet mirë. Por asgjë nuk është mirë kur njëherë shpërthen dhuna. I lindur më 1951 në Holandë, edhe unë u rrita me përfytyrimin se maji i vitit 1945 ishte një festë e madhe, gjatë së cilës njerëzit vallëzonin në rrugë dhe këndonin dhe vajzat shëtisnin mbi tanket e çlirimtarëve kanadezë, avionët bombardues të Royal Air hidhnin ushqim për popullsinë e uritur dhe mbretëronte një ekstazë e përgjithshme seksuale, rezultat i së cilës ishte një «babyboom», një seri lindjesh.

Sigurisht për disa ka qenë kështu, para së gjithash në vende si Holanda, të cilat kishin relativisht fat – një festë që zgjati disa muaj të lumtur derisa filloi detyra tepër e rëndë siç është rindërtimi i një shoqërie të dëmtuar. Nuk ishte fare festë për të mbijetuarit e uritur të Bergen-Belsenit, të cilët edhe pas çlirimit vdiqën masivisht, sepse barqet e tyre të rrudhura nuk ia dilnin me pranimin e menjëhershëm të ushqimit; as për hebrenjtë polakë, të cilët kishin shpëtuar nga nazistët, por pastaj përndiqeshin nga fqinjët e tyre, dhe as për miliona kinezë, të cilët vuanin nga uria në rrënoja, pasi Ushtria Perandorake Japoneze i kishte bërë hi e pluhur qytetet e tyre; as për grekët që u involvuan në një luftë të tmerrshme civile dhe as për punëtorët skllave sovjetikë në Gjermani, të cilët u dërguan në shtëpi dhe sapo arritën atje menjëherë u deportuan nga Stalini në Gullagun siberian, sepse ai nuk i besonte askujt, që ishte kthyer nga bota e jashtme, madje as atij që vinte nga kampet shfarosëse gjermane.

Deri më tani përmend vetëm njerëz që gjendeshin në anën e fituesve, të cilët në maj u çliruan nga sundimi nazist përkatësisht në gusht nga militarizmi japonez. Sigurisht edhe shumë gjermanë e japonezë qenë të lumtur që lufta mbaroi. Tani fëmijë të vegjël dhe pleq nuk vareshin si «defetistë» nga nazistët fanatikë, nuk binin më bomba në qytete, të cilat edhe ashtu ishin bërë rrafsh me tokë. Por miliona njerëz mjerimi më i keq i priste akoma: dhunime në rrënojat e ftohta të Berlinit, uri dhe sëmundje në gërmadhat e Tokios dhe Hiroshimës, prostitucion fëmijësh, tregje ilegale në duar të kriminelëve, perspektiva e urisë së madhe në muajt e acartë të dimrit dhe kështu me radhë.

Shkrimtari Stephen Spender kishte udhëtuar nëpër Gjermani në vitin 1945 për të shkruar një raport për qeverinë britanike. Për qytetin e Kölnit ai shkroi: «Shkatërrimi i qytetit pasqyrohet në shkatërrimin e brendshëm të qytetarëve të tij, mungesa e fuqisë së të cilëve nuk lejon të shërohen plagët e qytetit; ata më tepër janë parazitë që thithin një cofëtinë, kërkojnë ushqim të fshehur në rrënoja dhe bëjnë pazaret në tregun ilegal afër Katedrales – kjo është forma e ekonomisë së shkatërrimit në vend të prodhimit». Si shtetas gjerman në Shlezi apo në trevën e sudetëve të godiste hakmarrja e polakëve dhe çekëve: një raund i ri tmerrit në historinë e rrënimit. Por tani ishte populli i dikurshëm i «padronëve» që poshtërohej, familjet e mjekëve gjermanë, avokatëve, profesorëve, administratorëve dhe tregtarëve. Disa ishin nazistë të zjarrtë, të tjerët jo. Por dallime të tilla janë të parëndësishme, kur cak i tërbimit është përkatësia etnike.

Sepse hakmarrja është pasojë e pashmangshme e luftës dhe pushtimit. Edhe ajo i ka rrënjët në poshtërimin kolektiv. Francezët i konsideronin turp nacional gratë që kishin shkuar me ushtarët gjermanë, dhe sapo u larguan pushtuesit duhej të ndëshkohej «kolaboracionizmi horizontal»: të rruara dhe gjysmë të zhveshura, trupin të njollosur me kryq nazist këto gra, kur kishin fat, duhej të defilonin nëpër qytet dhe pështyheshin nga bashkëqytetarët e tyre; të tjerat torturoheshin dhe vriteshin. Barrierat e vjetra shoqërore dhe politike instrumentalizohen nga lufta dhe ashpërsohen. Armiqësia mes luftëtarëve të rezistencës në Francë dhe Itali, shpeshherë nën udhëheqjen komuniste, dhe kolaboracionistëve me regjimin nacionalsocialist dhe fashist lehtë ka mundur të përfundojë në luftë civile – si në Greqi. Por edhe kështu mijëra njerëz ranë viktima të aksioneve të përgjakshme, pjesërisht spontane, pjesërisht të organizuara, dhe jo të gjitha viktimat ishin fajtor për tradhti. Mitin se të gjithë shtetasit francezë kanë qenë patriotë, të cilët luftuan për «Francën e përjetshme», e propagandoi gjenerali de Gaulle para së gjithash për arsye se Franca në vitin 1945 ishte afër të copëtohet.

Në rastet e hakmarrjes shpesh luan rol një element revolucionar. Jo pak viktima të«spastrimeve të egra», të cilat u kryen në Francë në fund të vitit 1944, ishin «armiqtë klasorë» ata që me gjasë ia zinin rrugën revolucionit komunist. Fakti që nuk ndodhi Revolucioni i dytë francez kishte të bënte në pjesën më të madhe me Stalinin, i cili refuzoi ta përkrahë atë; e njëjta bëri vaki në Greqi. Stalini ishte dakord t’ua lë Europën perëndimore dhe jugore aleatëve të tij, nëse do t’i kishte duart e lira në Europën lindore dhe të mesme, ku përkatësia etnike dhe klasa përputheshin pjesërisht. Në Poloni, Çekosllovaki, Rumani dhe Hungari e mori pushtetin një klasë e re nën udhëheqjen e partive komuniste dhe me mbështetjen e Stalinit. Borgjezia gjermane duhej të dëbohej jo vetëm për shkak se ishte bashkëpunëtore e vërtetë apo e supozuar e krimeve naziste, por edhe si armike klasore. Nganjëherë në shënjestër u gjendën edhe hebrenjtë polakë, sepse atyre u mveshej si kishin shumë pasuri.

Sot flasim për «spastrim etnik». Edhe sot dëbimet i përjetojmë si pasojë të luftërave, në Afrikë, në Lindjen e Afërt apo në Ballkan. Në rastin e gjermanëve  në Europën lindore aleatët nuk kishin problem me këtë. Në Konferencën e Jaltës në shkurt 1945 Churchilli i tha Stalinit se shpërngulja e dhunshme e miliona njerëzve nuk ishte fare e tmerrshme.

Me këtë Churchilli nuk ishte i vetmuar. Pikëpamja e përhapur ishte se gjermanët e kishin merituar atë që po përjetonin tani, pa marrë parasysh nëse dëboheshin nga Shlezia apo vuanin nga uria në qytetet e tyre të bombarduara. Fundja ata i kishin brohoritur Hitlerit. Ata e kishin filluar luftën. Ata kishin bombarduar Varshavën, Roterdamin, Londrën dhe Coventry-në. Ata kishin vrarë miliona hebrenj. Ata vetë i kishin fajet për këtë.

Shkrimtari etnocentrist Ernst Jünger, të cilit lehtë i shpëtonte nga goja krahasimi mes atmosferës antigjermane më 1945 dhe përndjekjes së hebrenjve nga nazistët, fliste për «kampet shfarosëse» sovjetike. Krahasimet e tilla janë groteske. Pa marrë parasysh sa kanë vuajtur gjermanët pas luftës nën armiqtë e tyre – krahasuar me atë që gjermanët u kishin shkaktuar të tjerëve, sidomos hebrenjve, agresioni që tani drejtohej kundër tyre ishte relativisht i moderuar. Trajtimi që Ushtria e Kuqe sovjetike ua bëri gjermanëve ishte brutal, por sjellja e gjermanëve me qytetarët sovjetikë ishte edhe më brutale. Modelet e ndryshme të ndëshkimit kolektiv, siç ishte plani i ministrit amerikan të financave Henry Morgenthau që Gjermania të shndërrohet në shtet agrar, u lanë anash në heshtje.

Po, aleatët perëndimorë i kishin mësuar mirë leksionet e aleatëve të vitit 1918. Nëse një armik i mposhtur ndëshkohet së tepërmi, atëherë pasojë e kësaj është revizionizmi dhe rreziku i luftërave të ardhshme rritet. Por kishte edhe arsye praktike përse aleatët vendosën t’u ndihmojnë gjermanë dhe më vonë japonezëve në rindërtimin e shteteve të tyre të shkatërruara. Nëse ata do t’ua kishin refuzuar gjermanëve ushqimin dhe mbështetjen gjatë rindërtimit të ekonomisë së tyre, kaosi social mbase do të kishte qenë i pakontrollueshëm dhe në fund kishin përfituar komunistët (Lufta e Ftohtë  nuk ishte larg). Po këtë problem më vonë dhe në kontekst me Irakun e solli si formulë ministri i atëhershëm i jashtëm i SHBA-ve Colin Powell: «Atë që e shkatërron – e jotja është» – dhe për këtë ti je përgjegjës.

Një titull në gazetën majtiste britanike «Daily Mirror» e formuloi problemin si pyetje: «T’i ushqejmë përbindëshat?» Përgjigja ishte, po, për fat të keq, duhet të ushqehen, por jo nga dhembja për popullin gjerman, por sepse «nxjerrja e Europës nga moçali do të zgjas edhe më tepër sa më shumë që i lëmë të mbesin aty – dhe edhe më shumë duhet do të zgjas pushtimi». Dhe për këtë arsye britanikët, të cilët tashmë jetonin me racione të reduktuara ushqimi, duhej të ngushtonin edhe më shumë rripin në mënyrë që më shumë artikuj ushqimorë të dërgoheshin në Gjermani.

Shumë gjermanë, ashtu si japonezët, nuk kishin nevojë për shumë inkurajim që të ngritën në këmbë. Nëse njeriu e njeh instinktin fatal të shkatërrimit, atëherë ai e njeh edhe të kundërtën e tij, instinktin e rindërtimit. Romansieri i madh Alfred Döblin, i cili në vitin 1946 ishte kthyer nga ekzili amerikan për disa vite në atdheun e tij, jetoi një kohë në Baden-Baden dhe në librin e tij «Udhëtimi i fatit» raporton: «Përshtypja kryesore në vend (…) është se njerëzit këtu vrapojnë andej-këndej si thneglat në një grumbull të shkatërruar, të ngacmuar dhe të tërbuar pas punës mes gërmadhave, dhe shqetësimi i tyre i vetëm është se nuk mund t’ia fillojnë menjëherë (…). Shkatërrimi nuk ka ndikim zhgënjyes ndaj tyre, por është joshje intensive për punë». Shtytja dëshpëruese për të rindërtuar atë që është shkatërruar ishte pjesërisht çështje mbijetese; duhej pasur kulm mbi kokë, ushqim në tryezë, shkolla për fëmijë. Ishte edhe injorim i të kaluarës së fundit dhe regjimit, në krimet e tmerrshme të të cilit ishin involvuar pak ose shumë aq shumë gjermanë. Por njeriu gjendet edhe para domosdoshmërisë biologjike për t’u rinuar, sidomos pas viteve në mes të vdekjes dhe shkatërrimit. Tipari më elementar i kësaj domosdoshmërie është instinkti seksual.

Kur kujtojmë qytetet europiane në vitin 1945, ne ndoshta paramendojmë dhunime nga ana e ushtarëve sovjetikë apo gra që për një palë çorapë, një çokollatë, një pako cigare (të cilat në tregun e zi kishin shumë vlerë) ose thjeshtë për një shujtë ushqim shisnin trupin. Por kishte edhe vajza mbi tanket e aleatëve, të cilat iu hodhën në qafë çlirimtarëve të uniformuar – nganjëherë ato e bënin këtë për disa çorapë mëndafshi dhe cigare nga tregu ilegal, por shpeshherë edhe me qejfi që pas pesë viteve mjerim më në fund të merrnin frymë dhe të jenë të gëzuara.

Bashkëshortët – dhe kjo vlente për vendet më parë të pushtuara po aq sa edhe për mposhturat – ose nuk ishin këtu ose ishin të demoralizuar, të këputur, të ushqyer keq. Ata nuk ishin në gjendje të dëfrehen. Kjo nganjëherë ngjallte aversion të madh, madje edhe atje ku ushtarët e huaj fillimisht ishin pritur si heronj. Autori italian Curzio Malaparte për shembull i quajti «murtajë» marrëdhëniet seksuale mes italianeve dhe ushtareve amerikanë. Ai shkroi se në vaktin e gjermanëve vetëm prostitutat kishin shkuar me ushtarët e huaj. Pas çlirimit, tha ai, ishte bërë shumë më keq, sepse italianet vullnetarisht ishin dorëzuar dhe e kishin turpëruar mbarë kombin. Natyrisht kjo ishte një pikëpamje shumë mashkullore. Dhe Malaparte – ndonëse këtë e kishte mohuar më vonë – kishte mbajtur anën e fashistëve.

Rastet më të shënuara të regjenerimit seksuale ndodhën atje ku pak më parë kishte sunduar vdekja, në kampet e shfarosjes si Bergen-Belsen. Para përfundimit zyrtar të luftës trupat gjermane u lejuan nga autoritetet gjermane të hyjnë në kamp, sepse ekzistonte frika e përhapjes së epidemive në popullsinë lokale. Çfarë hasën britanikët atje tejkalonte çdo përfytyrim: grumbuj kufomash, figura të dobësuara si skelete, që ngordhnin në jashtëqitjet e veta, njerëz që hanin lëkurë lisi, dhe pranë tyre një kooperativë bujqësore me derra të trashë si ushqim për oficerët nazistë.

Për t’i kthyer në jetë të mbijetuarit më së shumti kërkoheshin ilaçe, krahas artikujve ushqimorë. Por asnjë administrator ushtarak nuk është i pagabueshëm. Nga Anglia njëherë mbërrin arka në të cilat nuk kishte ilaçe, por një dërgesë me buzëkuq. U dëshmua se ishte një dërgesë e mbarë. Gra të dobësuara, të cilat nuk kishin në trup gjë tjetër përveç se rrobe të shqyera të kampit apo batanije të holla, lyenin buzët flakë të kuqe dhe buzëqeshnin për herë të parë prej vitesh. Ato nuk ishin më skllave duke vdekur me numra tatuazh. Një oficer britanik tha: «Ky buzëkuq nisi t’i bëjë ato sërish njerëz».  Sapo të mbijetuarit mund të ecnin filluan të organizohen mbrëmje vallëzimi. Dhe seks. Disa punëtorë të Kryqit të Kuq dhe të organizatave të tjera humanitare këtë e konsideronin të pahijshme, një shenjë e zvetënimit moral si pasojë e keqtrajtimit shumëvjeçar. Ishte një vlerësim i gabuar i natyrës njerëzore: megjithatë njerëzit dëshironin ngrohtësi njerëzore, lidhje, fëmijë. Shumë të përhapura ishin dasmat e ngutshme në kampe pak pas çlirimit. Organizatat sioniste, të cilat luanin një rol të rëndësishëm në kampet e personave të përndjekur, inkurajonin dasmat dhe lidhjet seksuale në mesin e të mbijetuarve hebraikë; përdorimi i kontraceptivëve përbuzej. Pas kërcënimit të shfarosjes totale dhe pas viteve të mizorisë kërkesa për fëmijë ishte një reagim i vetëkuptueshëm. Natyrisht përfytyrimet për rilindje, për ndërtimin e një bote të re nga hiri i luftës nuk qenë vetëm trupore: përtëritja do të thoshte edhe ndryshim politik. Një ngjarje spektakulare në verë të vitit 1945, para disfatës në Japonisë, ishte humbja e kryeministrit Winston Churchill në zgjedhjet e para të përgjithshme në Britaninë e Madhe nga viti 1935. Rezultati i zgjedhjeve i la shumë njerëz pa fjalë, në Britani dhe në botën e jashtme. Si mund të ndodhte që britanikët mosmirënjohës të mos e donin më kryeministrin e tyre të nderuar, i cili u kishte prirë atyre gjatë luftës? Arsyeja ishte e dukshme: klasa punëtore, burra e gra, ishte mobilizuar për të luftuar për vendin. Shumë kishin vdekur. Shtëpitë e tyre ishin shkatërruar nga bombat. Ata ishin të uritur dhe të rraskapitur. Dhe ata as që mendonin ta rikthejnë gjendjen e paraluftës dhe t’i pranojnë barrierat e vjetra të klasave, të cilat ndikonin që arsimi i lartë dhe kujdesi i pranueshëm shëndetësor të jetë i rezervuar vetëm për disa të privilegjuar. Churchilli ishte hero lufte, natyrisht, por ai përfaqësonte shtetin e shtresave, botën e vjetër, e cila nuk ishte më e dëshirueshme. Dhe kështu ndodhi që socialisti Clement Attlee në zgjedhje të korrë një fitore me përmasa tërmeti.

Lufta është një niveluese e madhe sociale. Zonja e shtresës së lartë punojnë në zyrë, punëtorët bëhen oficerë. Gratë pranojnë vende pune që më parë ishin të parapara vetëm për burra. Pjesëtarët zezakë të armatës amerikane protestonin kundër diskriminimit racor. Robërit në koloni ngriheshin në këmbë kundër sundimit të huaj. Në shumë vende ishte dashur të ndodhte lufta derisa gratë fituan të drejtën e votës.

Kërkesa për barazi shoqërore dhe politike ishte një fenomen mbarë botëror. Kjo ishte po ashtu pjesë e historisë së vitit 1945 si uria, tregu ilegal, hakmarrja dhe lufta civile. Shpresa e shumë njerëzve ishte që nga gërmadhat të lindte një botë e re, në të cilën nuk do të ishin të mundshme më luftërat botërore.

Në vendet që gjendeshin në zonën e ndikimit të Bashkimit Sovjetik atmosfera revolucionare çoi në marrjen e pushtetit nganjëherë në stil të puçit, nganjëherë dalëngadalë nëpërmjet të qeverive komuniste. Por edhe në pjesët e tjera të Europës idealizmi majtist ishte normë. Konservatorët shpeshherë ishin diskredituar përmes bashkëpunimit me regjimet nacionalsocialiste dhe fashiste. Rezistencë kishin bërë kryesisht majtistët, të prirë nga komunistët. Kjo nxiti tensione të dukshme: grupet kryengritëse komuniste pas luftës pretendonin pushtetin politik si të drejtë e tyre e vetëkuptueshme. Në disa raste, për shembull në Itali, ata refuzonin t’i dorëzonin armët. Gjenerali de Gaulle, një njeri nga miljeu konservator, i konsideronte komunistët francezë si armiq të tij. Por edhe ai ishte i shtyrë që t’i pranonte ata në qeverinë e tij të parë të pasluftës.

Gjetiu, për shembull në Greqi, konfliktet e pasluftës mes të majtës dhe të djathtës përfunduan në një ironi të tmerrshme. Aleatët perëndimorë në fund i mbështetën konservatorët, të cilët shpeshherë kishin qenë kolaboracionistë të nazistëve, dhe u pozicionuan kundër komunistëve, të cilët pak më herët kishin luftuar kundër gjermanëve në krah të aleatëve. Por jo vetëm mes të djathtës dhe të majtës kishte përleshje: edhe socialdemokratët si Clement Attlee ishin kundërshtarë të komunistëve. Dhe për komunistët socialdemokratët shpeshherë ishin armiqtë më të rrezikshëm.

Megjithatë, rrëshqitja nga e majta ishte një fenomen mbarë botëror. Yank, revista e armatës amerikane, e cila shkruaj nga ushtarët për ushtarët, ishte larg më majtiste se demokratët e sotëm. Ky fenomen nuk vërehej vetëm në vitin 1945. Në Britaninë e Madhe që nga fillimi i luftës u kërkuan më shumë ndërtime të banesave publike, një sistem shtetëror shëndetësor dhe shkolla më të mira. Dhe në shtypin ilegal të kryengritjes në vendet e pushtuara zhvillohej një debat këmbëngulës mbi drejtësinë sociale dhe pavarësinë e ardhshme të kolonive. Pra, idetë ekzistonin; por duhej të ndodhte fundi destruktiv i luftës së llahtarshme para së të fillonte zbatimi i tyre.

Ajo që e bën imazhin më të ndërlikuar është natyra hibride e fashizmit. Sepse jo vetëm nacionalsocializmi, por edhe format e tjera të fashizmit kishin përvetësuar ide socialiste: Kujdesi social shtetëror dhe planifikimi urban për shembull i përkisnin Gjermanisë së Hitlerit po aq sa Britanisë së Madhe të Attleesit, ndonëse synimet politike dallonin. Kështu bënte vaki që teknokratët gjermanë (të cilët nuk ishin të gjithë nazistë) në vendet nën pushtimin nazist takonin inxhinierë dhe planifikues të një mendjeje (të cilët nuk ishin të gjithë kolaboracionistë) dhe me projektet e tyre për rendin ekonomik dhe shoqëror diskutonin në rrafshin paneuropian.

Gjithsesi, uniteti europian ishte ideal nazist. Përfytyrimet e Hitlerit për një Europë si perandori «ariane» nën sundimin gjerman ishin në fakt tamam e kundërta e asaj që synonin Jean Monnet dhe Robert Schuman, kundërshtarët e bindur të nazizmit dhe ata që shtruan rrugën e Europës së bashkuar. Megjithatë, marrëveshjet suprashtetërore i takonin patjetër «Zeitgeistit» (shpirtit të kohës), i cili përcaktonte konsensusin e vitit 1945. Këtu hynte edhe bindja se duhet një qeveri botërore për të garantuar paqen e përhershme.

Kombet e Bashkuara u krijuan në pranverë të vitit 1945 me nënshkrimin e Kartës së OKB-së nga fuqitë aleate në San Francisco, gjë që shumëkush atëbotë e shihte si fillim të qeverisë botërore. Por ky mbante në vetvete një kundërthënie, e cila ishte dukur vite më parë. Kartës së OKB-së i kishte paraprirë Karta e Atlantikut, të cilën e kishin nënshkruar Churchilli dhe presidenti i SHBA-ve Franklin D. Roosevelt në gusht të vitit 1941. Aty ishte përcaktuar të respektoheshin synimi dhe caku që «të rivendoseshin të drejtat sovrane dhe qeveritë autonome të të gjithë popujve, të cilët ishin privuar prej tyre» dhe «e drejta e të gjithë popujve që t’i japin vetes atë formë të qeverisjes nën të cilën duan të jetojnë».

Churchilli menjëherë nënvizoi se këto të drejta assesi nuk vlejnë për kolonitë evropiane dhe Roosevelt e pranoi këtë që të mos e zemërojë aleatin e tij më të rëndësishëm, ndonëse ai në thelb nuk ishte mirëkuptim për imperializmin e Churchillit. Pra, lëvizjet kombëtare për pavarësi që nga fillimi ndesheshin me idenë e qeverisë botërore. Kësaj duhet shtuar edhe faktin se kombet e vogla frikësoheshin se një qeveri botërore në fund të fundit nuk do të çonte në asgjë tjetër përveç se në një perandori botërore nën sundimin amerikan dhe sovjetik.

Siç dihet, ndodhi e kundërta: së paku tensionet mes SHBA-ve dhe Bashkimit Sovjetik e bënë të paqenë këtë shqetësim. Së shpejti bota ishte e ndarë në një bllok kapitalist dhe në një komunist dhe ëndrrat për një qeveri botërore u shuan. Por derisa kujtimet për luftën ishin të freskëta konsensusi i vitit 1945 vazhdonte të ekzistonte. Kolonitë e dikurshme europiane fituan pavarësinë njëra pas tjetrës, shpesh me mbështetje të Kombeve të Bashkuara. Dhe idealet socialdemokrate, të cilave u ishin përkushtuar në pjesën më të madhe demokristianët – shteti i fuqishëm social dhe drejtësia sociale -, mbetën normë në Europën perëndimore. E njëjta vlen për përpjekjet e SHBA-ve, të cilat kishin zanafillën në «New Deal-in» (marrëveshjen e re) e Roseveltit. Madje edhe vetë konservatorët në Britaninë e Madhe ishin shumë më të majtë se sot. Dhe besimi në një Europë të bashkuar ishte, para së gjithash në Gjermani, aq i madh, saqë ata që dyshonin viheshin në shënjestër si reaksionarë të pashpresë apo nacionalistë ksenofobë.

Në shumë aspekte Lufta e Ftohtë kontribuoi që konsensusi i vitit 1945 të mbetet i gjallë. E forcuar nga prestigji antifashist i kohës së luftës, ideologjia komuniste tërhiqte ende shumë intelektualë europianë. Andaj premtimi për drejtësi sociale, garant i së cilës është shteti i fortë, duhej të ishte pjesë përbërëse e mendësisë politike. Ishte koha e lulëzimit të socialdemokracisë në Europë: ajo ishte kundërhelmi ndaj joshjeve të komunizmit.

Por fillimi i Luftës së Ftohtë kishte edhe pasoja krejt tjera. Një parakusht themelor për rivendosjen e demokracisë në Gjermani, në lindje dhe perëndim, ishte që ish-nazistët të merren në përgjegjësi për krimet e tyre. Për këtë bëhej fjalë në proceset e Nürnbergut nga vitit 1945 deri më 1949: duhej vendosur drejtësia. Por këtë kërkesë politika së shpejti e la anash, kur në perëndim më e rëndësishme u bë lufta kundër komunizmit se sa ndjekja penale e ish-nazistëve. Entuziazmi i amerikanëve dhe britanikëve për ndëshkimin e kriminelëve të luftës nisi të dobësohej pak vite pas luftës.

Politikani i CDU-së Kondrad Adenauer, i cili ishte i panjollosur, që nga fillimi ishte kundër «denacifikimit» dhe tribunaleve të krimeve të luftës. Kur u bë kancelar më 1949 ai e kushtëzoi politikën e tij të integrimit në aleancën perëndimore me mosprekjen e nazistëve – jo për shkak se kishte simpati për nacionalsocializmin, por i shtyrë nga pragmatizmi, siç e shihte ai: rruga më e mirë që elita e vjetër konservatore të përfitohej për përkrahjen e demokracisë liberale ishte që të lihej e qetë e kaluara e errët.

Në një mënyrë ai kishte të drejtë. Shumë avokatë, profesorë, diplomatë dhe burokratë ishin anëtarësuar në partinë naziste (NSDAP) nga oportunizmi apo etja për karrierë apo iu kishin përshtatur regjimit. Po ky oportunizëm tani ata i bëri shtylla të Republikës Federale të Adenauerit. Për gjeneratën e pasluftës në Gjermani (natyrisht edhe në Japoni dhe Itali) duhet të ketë qenë e hidhur që të zgjohen me aq shumë josinqeritet të mjerueshëm dhe heshtje prej fajtori mbi krimet e prindërve. Jo rastësisht grupet më radikale dhe më brutale majtiste dhe revolucionare në vitet shtatëdhjetë vinin nga Gjermania, Italia dhe Japonia. Ekstremistët, të mbështetur në heshtje prej shumë njerëzve, të cilët ankoheshin për dhunën e tyre, vepronin nga bindja se fashizmi nuk ishte zhdukur asnjëherë tamam nga shoqëria.

Megjithatë, konsensusi i vitit 1945 qëndroi. Kur Fraksioni i Armatës së Kuqe rrëmbeu industrialistë, vrau bankierë dhe kidnapoi avionë, Republika Federale e Gjermanisë nuk po qeverisej nga ish-nazistët kryeneç, por nga Helmut Schmidti i Partisë Socialdemokrate (SPD). Idealet e unitetit europian ende ishin në pjesën më të madhe të pakontestueshme. Pak europianë dyshonin seriozisht në shtetin social.

Tek në vitet tetëdhjetë, në kohën e shkëlqimit të presidentit të SHBA-ve Ronald Reagan dhe të kryeministres britanike Margaret Thatcher, konsensusi liberal u gjend nën presion. Neoliberalët, të cilët thirreshin në Shkollën Austriake të Ekonomisë Nacionale, e konsideronin shtetin socialdemokrat tepër dominues, të shtrenjtë, joefikas dhe të korruptuar nga interesat partikulare të sindikatave. Ndërkohë ideologjia e majtë, sidomos në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, ishte përqendruar në tema të tjera dhe nga ekonomia ishte kthyer nga çështjet e botës së vendeve të pazhvilluara dhe nga sektori kulturor. Vendin e politikës së vjetër klasore e zunë interesat e veçanta të pakicave etnike dhe seksuale.

Pastaj erdhi viti 1989, një ndër vitet më madhështore të historisë europiane, viti i rënies së Murit të Berlinit. Unë isha në masën e madhe të njerëzve, e cila festonte në Portën e Brandenburgut me fishekzjarrë dhe shampanjë. Në atë çast shumë prej nesh kishin përshtypjen se gjithçka që nga viti 1945 kishte mbetur e papërfunduar tani po merrte fund si duhet. Lufta e Ftohtë do të mbaronte së shpejti dhe tërë Europa do të ishte e lirë. Presidenti George Bush i Vjetri foli për «rendin e ri botëror». Dukej se fundi i historisë ishte arritur.

Dhe pikërisht ky ishte çasti kur filloi të shkapërderdhej konsensusi i vitit 1945. Një arsye për këtë ishte shpërbërja e brendshme e Bashkimit Sovjetik. Tani s’kishte më armik, të cilit duhej kundërvënë një ideologji më atraktive. E majta socialdemokrate kishte humbur arsyen e saj historike të ekzistencës. Komunizmi që po fundosej mori me vete në greminë edhe forma të tjera të të menduarit majtist. Çdo gjëje që të kujtonte ideologjinë e majtë i vinte era e keqe e utopisë, e cila do të çonte në Gullag të një apo forme tjetër.

Shumëçka nga bota e ndërtuar prej vitit 1945 sot nuk ekziston më. Natyrisht disa copëza ekzistojnë ende, ca prej tyre në formë fosile, ta zëmë rregullat e ngurta të etatizmit francez apo interesat veçanërisht burokratike të Brukselit dhe Strasburgut. Por kolapsi i së majtës, e cila ishte në qendër të konsensusit të vitit 1945, la pas një vakum ideologjik. Pritja mbresëlënëse e librit «Kapitali i shekullit 21» i Thomas Piketty – i cili zgjoi një reagim thua se po vinte Mesia – tregon se sa i dhimbshëm përjetohet ky vakum. Besimi në Kombet e Bashkuara si hap drejt një qeveri botërore është avulluar para një kohe të gjatë. Tani projekti i Europës përballet me skepticizëm në rritje – jo vetëm te konservatorët britanikë apo popullistët e djathtë.

Ndoshta është mrekulli që pikërisht Gjermania po këmbëngulë në modelin e mirëkuptimit të pasluftës. Krahasuar me shumicën e të tjerëve gjermanët janë ende relativisht të përzemërt ndaj Europës. Socialdemokracia ekziston ende, edhe nën kancelaren kristiandemokratke, dhe kujtimi për Rajhun e Tretë e mban deri diku të izoluar popullizmin e djathtë.

Për vendet e tjera kjo nuk mund të thuhet patjetër. Japonezët, për shembull, kanë pasur dhe kanë ende një raport të çrregullt ndaj historisë së tyre të re. Që nga shkrimi i një Kushtetute pacifiste për Japoninë nga ana e pushtuesve amerikanë historia është objekt i një debati polarizues politik në vend. Shumica e japonezëve – e majta madje tërësisht – e pranojnë Kushtetutën përherë si përgjigje të drejtë dhe të bazuar ndaj militarizmit gjatë luftës. Por nacionalistët konservatorë kurrë nuk janë pajtuar dhe thonë pa u lodhur se japonezët jo patjetër duhet të ndihen fajtorë, por të jetë krenarë që kanë bashkëluftuar në një luftë për çlirimin e Azisë. Kjo është pak a shumë edhe bindja e kryeministrit të tanishëm Shinzo Abe. Me shkatërrimin e të majtës japoneze kjo pikëpamje, e cila me dekada ishte periferike, tani gjen mbështetje shumë të madhe.

Edhe në Europë po kthehen fantazmat e të kaluarës. Sot racizmi shprehet hapur, tani kryesisht si diskriminim i myslimanëve. Retorika populliste, e cila me dekada ishte groposur nën kujtimet e dhimbshme për katastrofën e fundit europiane, po rikthehet. Elitat politike po akuzohen se po e minojnë apo tradhtojnë sërish «ndjeshmërinë e shëndoshë të popullit».

Natyrisht historia nuk përsëritet ashtu thjeshtë. 2015 nuk është 1933 apo 1938. Popullizmi i ri në Europë nuk ka çuar në dhunë të organizuar; nuk ka këmishazinj apo këmishabojëkafe që marshojnë në rrugë. Por prej se është shpërbërë konsensusi i vitit 1945, duket se ne e kemi humbur kompasin tonë politik: përfytyrimin e përbashkët mbi atë se ku duan të shkojmë (dhe ku jo). Neoliberalizmi mund të ketë qenë një korrektues i domosdoshëm për rendin e pasluftës, i cili dikur ishte tepër i ngarkuar me vetveten. Por ai nuk mund të paraqes ideal kolektiv. Historia e vitit 1945 na ka mësuar se nga një katastrofë mund të krijohet një kreativitet i madh. Por përballë aftësisë sonë aktuale për vetëshkatërrim total ne nuk mund të presim së pari një luftë botërore derisa të na kujtohet vullneti ynë për ta bërë botën sërish më të mirë.

*Autori është publicist dhe shkrimtar holandez. Jeton në New York.

Përktheu nga gjermanishtja: Enver ROBELLI