Selaniku – një metropol kozmopolit në duar të hebrenjve, Manastiri – «çelësi i Shqipërisë»

Ballkani ndryshe: para më shumë se një shekulli shumë qytete mes Sarajevës dhe Stambollit ishin qendra të rëndësishme ekonomike dhe kulturore me lidhje të ngushta me botën perëndimore. Dy shembuj në afërsi të Kosovës dhe Shqipërisë së sotme shquheshin veçanërisht: Selaniku me 14 konsullata dhe Manastiri me 2’482 dyqane dhe me një popullsi, e cila, siç shprehte keqardhje Sami Frashëri, nuk e zotëronte turqishten

Foto: Nagip Ismaili - Nagi



Asnjë politikan i Turqisë moderne nuk madhërohet aq shumë sa Mustafa Kemal Ataturku. Në kuadër të kultit të tij hyjnë edhe dy shtëpi të lindjes: shtëpia origjinale gjendet në Selanik, aty ku u lind Mustafa Kemali, dhe një kopje e shtëpisë e ndërtuar në periferi të Ankarasë. Për dallim nga Ankaraja që ishte një çerdhe provinciale, Selaniku në fund të shekullit 19-të, kur lindi Mustafa Kemali, ishte tashmë një qendër e rëndësishme rajonale – falë lidhjeve me botën përmes detit dhe hekurudhës. Pronarët e tokave në rrethinën e Selanikut ishin kryesisht myslimanë. Nga ky qytet eksportohej duhan, pambuk, lesh dhe pemë. Selaniku ishte i lidhur me vija detare me Pireun, Napolin, Triestën, Marsejën, Odesën, Port Saidin dhe Izmirin.

Sipas historianit gjerman Klaus Kreiser, kur pronarët e anijeve nga Londra llogaritën se lidhja nga Selaniku në Kanalin e Suezit është më e shkurtër se nga Brindizi në Port Said, u mor vendim që posta për në Indi të transportohej përmes Selanikut. Për të lehtësuar bartjen e udhëtarëve drejt Europës së Mesme dhe Perëndimore, por edhe në drejtim të Stambollit në fund të shekullit 19-të u ndërtuan disa vija hekurudhore: më 1888 u lëshua në përdorim hekurudha për në Beograd, më 1894 për në Manastir dhe më 1896 për në Stamboll.

Një statistikë osmane e vitit 1890 tregon se Selaniku kishte gjithsej 98’938 banorë. Prej tyre gati gjysma (46’789) ishin hebrenj, 10’613 grekë ortodoksë, 24’129 myslimanë turq, 15’500 të huaj (pjesëtarë të grupeve të ndryshme etnike) dhe 1’898 shtetas të tjerë osmanë, me gjasë kryesisht armenë. Në rubrikën «myslimanë turq» hynin edhe shqiptarët dhe sllavët myslimanë. Qyteti ishte i rëndësishëm edhe për bullgarët: në Selanik funksiononte gjimnazi bullgar, të cilin e kishte ndjekur Goce Delçevi, më vonë themelues dhe funksionar prijetar i «Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase».

Ardhja e hebrenjve në Selanik nisi në Mesjetë. Pas vitit 1492 Sulltan Pajaziti i II-të i kishte pranuar mijëra hebrenj nga Spanja, të cilëve atje u kanosej rreziku nga sundimtarët fanatikë kristianë. Në Selanik hebrenjtë u shquan si tregtarë të shkathtë dhe akumuluan kapital të madh, i cili ishte i dobishëm edhe për qytetin. Nën guvernatorin Mehmed Sadri, i cili më parë e kishte modernizuar Izmirin, qyteti u reformua gati plotësisht dhe pas mandatit të tij banorët e Selanikut më 1890 përjetuan ndriçimn publik me gaz, ujësjellësi u fut në përdorim më 1891, tramvajët e parë nisën të ecin më 1893. Në qytet kishte 14 konsullata të shteteve të mëdha e të vogla, zyra telegrafi, përfaqësi tregtare, hekurudhore dhe postare, firma anijesh etj. Në Selanik botoheshin disa gazeta, njëra prej tyre në frëngjisht: «ournal de Selanique, Politique, commerciale et literaire».

Në kozmosin multietnik dhe liberal të Selanikut u themeluan edhe disa lozha masonësh, të cilat qenë pararendëse të grupeve politike si «Hürriyet ve Itilaf». Anëtarë të lozhave ishin tregtarët e mëdhenj, bankierët, spekulantët e bursës dhe drejtorët e shkollave franceze dhe gjermane, shkruan Kreiser në biografinë e Ataturkut. Pas mësimeve elementare në Selanik lideri i ardhshëm i Turqisë moderne u kthye 220 kilometra prapa në brendi të Ballkanit për të vijuar mësimet në shkollën e kadetëve në Manastir. Ky qytet që gjendet në Maqedoninë e sotme nuk mund të krahasohej atëbotë me Selanikun kozmopolit, por prapë luante një rol të rëndësishëm në rajon. Ciceroni turistik gjerman «Baedekers Reiseführer» shkruante se Manastiri ishte një «kryeqytet i pasur Vilajeti (…) rrëzë vargmaleve të larta (…) dhe i shtrirë bukur në të dy anët e përroit të Dragorit».

Në leksikonin historiko-topografik të Sami Frashërit, në Perandorinë Osmane i njohur si Shemsedin Sami, nënvizohej se në fund të shekulli 19-të Manastiri kishte 31’347 banorë, 24 xhami, 5 kisha, 9 sinagoga, 9 medrese, një shkollë misionarësh protestantë, 2 kazerma të mëdha, 1 spital ushtarak, 2’482 dyqane. Sami Frashëri e quante Manastirin «çelës të Shqipërisë» për të nënvizuar rëndësinë rajonale të qytetit. Sipas tij në Manastir si «gjuhë e përgjithshme» flitej turqishtja, por banorët flisnin edhe shqip, bullgarisht, vllahisht, greqisht dhe «spaniolisht» (një gjuhë mikse e hebrenjve të ardhur dikur nga Spanja). Në shënimet e tij Sami Frashëri shprehte keqardhje që shumica e myslimanëve të krahinës së Manastirit nuk e zotërojnë turqishten – një shenjë e qartë se shumica e banorëve ishin shqiptarë që përkundër pushtimit shumëshekullor osman nuk kishin mësuar turqisht.

Derisa në vitet 1830-të udhëpërshkruesi i njohur francez Ami Boué e kishte cilësuar Manastirin si «njërin prej qyteteve më të ndotura të Turqisë», më vonë situata ndryshoi: Manastiri u bë i rëndësishëm për shkak të afërsisë me vatrat e krizës në Shqipëri dhe gjetiu në Ballkan, që gjithnjë e më shumë kundërshtonin administratën e Portës së Lartë. Sulltani ndërtoi një sahatkullë gjigante dhe e bëri Manastirin qendër për pushtimin e zonave të rebeluara të Shqipërisë. Për të frikësuar shqiptarët gjithkund të Ballkan guvernatori i Manastirit Mehmed Reshid Pasha i ftoi më 26 gusht 1830 në një banket në rezidencën e tij krerët e fiseve shqiptare. Në fund asnjëri prej tyre nuk shpëtoi i gjallë: në një akt të pashembullt të mashtrimit dhe keqpërdorimit të mirëbesimit ushtarët e Mehmed Reshid Pashës masakruan të gjithë pjesëmarrësit e banketit. Kjo ngjarje do të inspironte gati një shekull e gjysmë më vonë shkrimtarin Ismail Kadare për të shkruar novelën «Komisioni i festës».

Kur Sami Frashëri ankohej se banorët e trevës së Manastirit nuk e zotëronin turqishten, ai me gjasë nuk e kishte parandier se po në këtë qytet, më 1908, do të takoheshin intelektualë dhe krerë fetarë shqiptarë për të marrë njërin prej vendimeve më të rëndësishme në historinë shqiptare: Kongresi i Alfabetit vendosi që gjuha shqipe të shkruhej me shkronja latine dhe jo me shkronja arabe, siç shkruhej osmanishtja. Më vonë shembullin e shqiptarëve do ta ndiqte edhe Mustafa Kemal Ataturku, i cili sapo mori drejtimin e Turqisë ndaloi alfabetin arab dhe urdhëroi popullin që tani e tutje të shkruajë me shkronja latine. Në Manastir ishte botuar edhe gazeta e parë turke me shkronja latine (Esas, «themeli», «parimi»).

Kur Mustafa Kemali në fund të shekulli të 19-të vijonte mësimet në Manastir për t’u bërë oficer i ushtrisë osmane, ai me siguri nuk ka mundur ta marrë me mend se në verën e vitit 1908 do të dërgohej në Maqedoni si i ngarkuar për të kontrolluar vijën hekurudhore mes Selanikut dhe Shkupit, e cila ishte e rrezikuar nga sulmet e kryengritësve maqedonas. Shpërthimi i luftës së parë ballkanike e gjeti Mustafa Kemalin në Libi. Përkundër thirrjes që të vijë për të shërbyer në «zonën operative të Maqedonisë», kjo s’ndodhi, sepse ai u vonua të kthehej nga Bengazi i Libisë në Ballkan. Lufta e parë dhe e dytë ballkanike qenë të shkurtra dhe pafund të përgjakshme: për herë të parë u përdorën armët më moderne, të cilat lanë pas 380 mijë njerëz të vrarë dhe të plagosur.

Në shekullin e 20-të ideologjitë brutale shkatërruan qytetet si Manastirin dhe Selanikun. Në Luftën e Dytë Botërore nazistët shfarosën pothuaj plotësisht popullsinë hebraike të Selanikut, pasi vite më parë Turqia dhe Greqia me Marrëveshjen e Lausannes ishin marrë vesh për shkëmbimin e popullsisë: mijëra grekë braktisën Turqinë, mijëra myslimanë lanë vatrat e tyre në Greqinë e sotme për t’u shpërngulur në Turqinë e re të Ataturkut.

Kjo shprishje etnike e shndërroi Selanikun në «qytet grek», i cili s’kishte qenë i tillë kurrë gjatë historisë. Në Manastir qeveria e Republikës së Maqedonisë nën obrellën mbrojtëse të komunizmit jugosllav shtypi elementin shqiptar, duke e reduktuar në minimum numrin e banorëve shqiptarë në këtë qytet që në historinë shqiptare është po aq i rëndësishëm sa Prizreni, Vlora apo Shkupi. Sa është harruar Manastiri tregon edhe një fakt i dhimbshëm: në jo pak media në Shqipëri ky qytet quhet Bitola – tamam ashtu siç e quajnë sllavët. Dikur Manastiri quhej «çelësi i Shqipërisë», ndërsa sot s’është më shumë se një portë e ndryshkur nëpër të cilën kanë marrë rrugën e mërgimit mijëra shqiptarë të shtyrë nga represioni politik dhe gjendja e keqe ekonomike.