500 mijë…

Rumunët po japin një shembull: nuk duan ta lënë shtetin në duar të hajdutëve.

Protestat kundër korrupsionit në Rumani.



Qeveria rumune kishte një synim: me një dekret ajo legalizoi keqpëdorimin e pushtetit dhe korrupsionin. Nëse një zyrtar vjedh nga arka e shtetit rreth 44 mijë euro, ai nuk do të dënohet. 44 mijë euro janë rreth 100 rroga mesatare në Rumani. Qeveria rumune e quan veten socialdemokrate, në të vërtetë bëhet fjalë për një turmë politikanësh trashëgimtarë të komunistëve të Nikolae Çausheskut, të cilët falë lidhjeve të mira me shërbimin sekret të asaj kohe futën në grusht degët kryesore të ekonomisë. Partia Socialdemokrate e Rumanisë (PSD) drejtohet nga teknokratët e rinj të oligarkisë postkomuniste, të cilët që nga rrëzimi i regjimit komunist më 1989 kanë zgjeruar rrjetin e tyre të nepotizmit.

Dekreti i fundit për legalizimin e korrupsionit ishte dëshmi e arrogancës së kësaj klase politike ndaj popullit rumun, i cili duket se nuk është më i gatshëm të gjunjëzohet para pushtetarëve të korruptuar. Ndonëse qeveria gjatë fundjavës u detyrua të tërheq dekretin skandaloz për shkak të protestave të pandërprera, rumunët nuk braktisën sheshet. Të dielën në mbrëmje rreth 500 mijë qytetarë morën pjesë në protesta anekënd vendit për të shtuar presionin kundër qeverisë, të cilës po i besojnë gjithnjë e më pak qytetarë. Tërheqja e dekretit ishte vetëm një gjysmë-fitore, sepse kabineti qeveritar ka paralajmëruar se do të gjejë mënyra për të amnistuar keqbërësit. Rumunët po japin një shembull: nuk duan ta lënë shtetin në duar të hajdutëve.

Këtë e kuptoi, për shembull, ministri i Tregtisë Florian Jianu. Ai tha dorëheqje të enjten e kaluar. «Kështu po më thotë ndërgjegjja», shkroi Jiani në Facebook. Dhe shtoi se po largohej nga qeveria në mënyrë që një ditë të mos i thotë fëmijës së tij se «babai yt ishte një burracak që pranoi gjëra me të cilat nuk pajtohej». Jianu përbën një përjashtim në qeverinë rumune. Anëtarët e tjerë të kabinetit, përfshirë kryeministrin Sorin Grindeanu, nuk treguan ndershmëri të tillë.

Ishte presidenti Klaus Johannis, i cili iu bashkua popullit. Ai doli në rrugë për të protestuar kundër dekretit, e quajti qeverinë «një bandë», paralajmëroi referendum kundër mbrapshtisë së fundit. Pas fitores së socialdemokratëve në zgjedhjet e dhjetorit Johannis së pari refuzoi t’ia jap mandatin për kryeministre politikanes së PSD-së, Sevil Shaideh, e cila është myslimane, pjesëtare e pakices tatare dhe e martuar me një sirian mbështetës të regjimit të Bashar al-Asadit. Por arsyeja përse ajo nuk e mori mandatin për shefe të qeverisë ishte afërsia me klikën e korruptuar të PSD-së. Pastaj PSD propozoi shefin e partisë Liviu Dragnea për kryeministër. Johanis tha: jo! Dragnea është dënuar për manipulim zgjedhjesh dhe po hetohet për keqpërdorime financiare. Dekreti i fundit i qeverisë kishte për qëllim ta shpëtojë edhe atë nga ndjekja e mëtutjeshme.

Rezistenca kundër politikanëve të korruptuar është rritur në vitet e fundit në Rumani – falë veprimeve të pakompromis të drejtësisë, një shoqërie civile të vetëdijshme për rolin e saj dhe diasporës së madhe rumune, e cila në vitin 2014 kishte dhënë kontribut të çmuar në zgjedhjen e Klaus Johannis në postin e presidentit. Para ambasadave dhe konsullatave rumune në Europën perëndimore e krijuan radhë të gjata në pritje për të zgjedhur presidentin. Në raundin e dytë Johannis e mposhti kundërkandidatin dhe ish-kryeministrin Victor Ponta, i cili për shkak të aftësive të tij për manipulime politike bart nofkën «Miki Maus». Andaj një ndër parullat e rinisë rumune ishte kjo: «Klaus, Klaus na shpëto nga ky Miki Maus!» Edhe Victor Ponta i përket PSD-së.

Presidenti Johannis është politikan konseravtor dhe gëzon reputacionin e një teknokrati modest, të pakorruptuar dhe të orientuar nga përmirësimi i jetës së qytetarëve. Siç e tregojnë emri e mbiemri Klaus Johannis është pasardhës i fisit gjerman të sasëve, të cilët para 800 vjetësh u vendosën në Europën Juglindore, madje edhe në Kosovë. Për këtë ka disa dëshmi nga periudha e artë e Novobërdës, që gjermanët e atëhershëm e quanin Neuberg – dhe për çudi në Kosovë ky lokalitet tani me modën e re të toponimeve po quhet Artanë, në vend se t’i kthehej emri i vjetër: Neuberg.

Në librin e tij «Hap pas hapi» fizikani Johannis tregon se si fëmijë kishte mbledhur sanë dhe kishte punuar në ara dhe si i ri kishte pritur në rend për të blerë qumësht. Me këtë ai ua bënte me dije zgjedhësve se e njihte mirë mjerimin e së kaluarës, mjerimin e kohës së komunizmit. Para së të bëhej president i Rumanisë Johannis ishte kryetar i qytetit Sibiu (Hermannstadt). Në këtë funksion ai krijoi kushte aq të volitshme për investime, saqë në Sibiu dhe rrethinë hapën filialet e tyre rreth 800 ndërmarrje gjermane dhe austriake – mes tyre gjigantë ekonomikë si Siemens, Continental, Thyssen-Krupp.