40 vjet vetmi!

Ramadan Syla nga Kosova e kërkoi fatin në Zvicër. Pas 40 vjetëve, ai është penduar për emigrimin e tij. Mirëpo, tani nuk e lëshon Zvicrën edhe sikur të dojë.




Ramadan Syla qëndron në një tavolinë para banesës së tij rreth rrugës Olten-Aarau. Shoqëri i bëjnë dy shishe me ujë mineral. Ai i vrojton veturat që kalojnë atypari dhe shkund cigaren në një kënaçe kikirikësh, që e ka shndërruar në taketuke. Rrudhat e thella në ballë, Ramadan Syla nuk i ka nga uji i gazuar që pi. Ishin mu veturat e bukura të kurbetçinjve nga fshati i tij, të cilat para rreth 40 vjetëve e joshën bujkun e ri në Perëndim. Kështu u rrokullis jeta e tij në mërgim. Dy-tre vjet në Gjermani dhe 37 të tjera në Zvicër. Një veturë nuk e pati kurrë, Syla gjithë kohën ka punuar si shofer kamioni në sektorin e ndërtimit në Zvicër. Së fundmi, për arsye shëndetësore, ai e humbi edhe patentëshoferin.

Ambicie më të mëdha

Një grumbull njerëzish i kishin varur shpresat te Ramadan Syla. «Ne nuk e kishim gjendjen keq, për të ngrënë e për të pirë kishim sa të duash», rrëfen ai. «Po mund të kishim edhe ndonjë gjë më shumë», thotë Syla. Një shkollim më të mirë, që do t’i siguronte një standard jete më të lartë dhe më shumë prestigj social, nuk kishte kushte ta kryente. Kështu hodhi Syla të gjitha zaret për Zvicrën dhe iu përvol mirë punës. Rrugën për në punë e bënte në këmbë. Gjithë ditën e kalonte në kamion. Mallin e shtëpisë ia kalonin këngët me çifteli në radion e kabinës. Gjashtë ditë në javë. Për çdo vit. Një jetë të tërë.

Në fillim, Ramadan Syla kujdesej për gjithë familjen e gjerë. Ata ishin katër vëllezër dhe tri motra. Një vëlla tjetër mërgoi gjithashtu. Më pas i duhej ta mbante vetëm familjen e ngushtë. Zoti ia fali katër djem: më i madhi tani është 38, më i vogli – 26 vjeç. Për katër javë pushim mesatarisht i binte t’i shihte nga javë në vit. Kabina e telefonit iu bë streha e tij e tretë, pas banesës dhe kamionit.

Ose, ose…

Kurbetçiu nuk mendonte të rrinte gjatë në Zvicër. «E shumta tre-katër vjet – thosha me vete», tregon Ramadan Syla. Jeta në Zvicër nuk i doli ashtu siç e kishte menduar në Kosovë. Si stinor, ai kishte të drejtë të punonte vetëm nëntë muaj në Zvicër. Pas tre muajsh në vendlindje, qëndrimi atje bëhej i mërzitshëm. Endja ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës jetës së tij i sillte një freskim.

Megjithatë, Ramadan Syla nuk i merrte fëmijët e tij në Zvicër. «Nuk doja që edhe ata t’i përjetonin të njëjtat gjëra si unë, e të treten në mërgim», thekson ai. Por, Ramadan Syla nuk gjeti qetësi. Me kohë, ai filloi të gjente ngushëllim në raki. Ajo ia plotësonte gjërat e ngelura peng – pasurinë, familjen, vendlindjen dhe shumëçka tjetër. Edhe atë në mënyrë kronike: sa më shumë, aq më i lumtur!

Kur Ramadan Syla e braktisi alkoolin dhe vendosi ta sillte familjen në Zvicër, u bind se kishin kaluar shumë vite: Dy djem tanimë ishin të moshuar për këtë punë, letrat e Zvicrës mund t’i fitonin vetëm dy më të vegjlit. Atëherë Syla e la këtë punë komplet: «Ose të gjithë, ose asnjëri!», ishte vendimi i burrit nga Ballkani.

As i mërzitur, as i lumtur

«Djemtë më mallkojnë edhe sot e kësaj ditë që nuk i tërhoqa në Zvicër», rrëfen Ramadan Syla. Megjithëse, përveç mungesës sime, ata nuk kanë pasur ndonjë jetë të keqe. Në fakt, shtëpinë që e kishte ndërtuar Syla me punën e tij në Zvicër e kishin djegur forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, por për fat njerëzit nuk e kishin pësuar. Në fshatin e tij Celinë, në afërsi të Prizrenit, paramilitarët serbë kishin vrarë rreth 80 civilë.

Ndërkohë, djemtë e Sylës e kanë themeluar një ndërmarrje ndërtimi, «dhe puna nuk ecën keq», rrëfen babai. «Njëzet punëtorë i angazhojnë ata». Dhe, të parën e kanë ndërtuar shtëpinë e tyre, të humbur në luftë. Dy nga bijtë e Sylës i kanë gjetur vetë shtigjet për në mërgim. Njëri në Gjermani, tjetri në Austri. Që të dy kanë njoftuar kosovare të reja gjatë pushimeve në vendlindje dhe do të vendosen te ato. Ramadan Syla nuk e di nëse për këtë duhet të gëzohet, apo të mërzitet.

Krejt ters

Ramadan Syla është krenar që në tridhjetë vjet qëndrimi në Zvicër nuk ka munguar kurrë në punë. Ai gjithë kohën ka qenë shëndosh si molla. Si stinor, secilën herë që hynte në Zvicër, në kufi, i shikohej nga kupa në thembër nëse ishte i shëndoshë për punë. Me 60 vjet gjithçka nisi ters. Në një aksident në punë, Syla e lëndoi shpatullën dhe iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, iu desh ta hiqte tëmthin dhe t’i operonte dy herë venat e këmbëve.

Mbi bazën e këtyre pengesave, atij iu nda një pension në shkallën 35 për qind. Të ardhurat e tij nga participimi në fondet e sigurimeve shoqërore shkojnë në më pak se 3’000 franga në muaj. Për banesë, Syla paguan 800 franga në muaj. Ai vazhdon ta pijë fort cigaren, por me alkoolin është përshëndetur përfundimisht prej vitesh. Të dhëna të tjera pothuajse nuk ka. Ai nuk ka shokë me të cilët del, nuk ka familje…

Në tavolinën me dy shishe uji mineral, Ramadan Syla është pishman pse ka mërguar fare. Vetmia bëhet më e madhe, sa më shumë që rritet familja. Më fort e merr malli për pesë nipat dhe mbesat e tij në Kosovë. Në korrik, Ramadan Syla i mbush 65 vjet, nga 1 gushti 2015 ai del në pension të rregullt. Syla megjithatë deklaron se nuk do ta lëshojë Zvicrën. «Qëllon që brenda një nate ta thërras dy herë ambulancën», tregon ai, dhe vazhdon: «Ky shërbim nuk ekziston në Kosovë». Kurbetçiu nuk e di nëse kështu do ta çojë deri në fund. Tjetra që Ramadan Syla nuk e di, është: Atij nuk do t’i shkonte pensioni i Zvicrës në Kosovë. Kjo, sepse Zvicra e ka anuluar Marrëveshjen e trashëguar për Sigurimet Sociale me Kosovën dhe një marrëveshje e re nuk po duket askund në horizont.