4 orët vendimtare për Jugosllavinë te Genscheri: si e çuam Stipe Mesiqin fshehurazi në Bonn

Biznesmeni slloven Bozho Dimnik flet për mënyrën se si e organizoi takimin e fshehtë, në të cilin kryetari i atëhershëm i Jugosllavisë Stjepan Mesiq e bindi ministrin e Jashtëm gjerman Hans-Dietrich Genscher për domosdoshmërinë e njohjes ndërkombëtare të Kroacisë. Këtë vizitë pala serbe nuk arriti ta zbulojë. Ajo ishte shumë e bindur se Perëndimi nuk do të pranonte pavarësinë e republikave jugosllave. Atëbotë ambasador amerikan në Beograd ishte Warren Zimmermann, i cili tha se SHBA-të as për 50 vjet nuk do t’i njohin Slloveninë dhe Kroacinë. Por shumëçka ndryshoi kur një shtet i vogël, pa asnjë lidhje me Ballkanin, e pranoi pavarësinë e Kroacisë.

Angus W. Douglas, Hans-Dietrich Genscher, Stipe Mesiq dhe Bozho Dimnik në Zagreb në vitin 1992.



Bozho Dimnik, me profesion mjek, një biznesmen i shquar dhe lobist slloven, president i Shoqatës së Miqësisë Kroato-Sllovene dhe konsull kroat i Nderit në Kopër, ka luajtur një rol interesant në ato kohë të turbullta, që i paraprinë njohjes ndërkombëtare të Kroacisë më 15 janar 1992. Në një intervistë të jashtëzakonshme dhënë Deutsche Welle Dimnik hedh dritë mbi njohjen e Kroacisë dhe për rolin e Gjermanisë.

Më 15 janar u shënua 25-vjetori i njohjes ndërkombëtare të Kroacisë. Atë ditë, Kroacia e pavarur u njoh nga 12 anëtaret e atëhershme të Bashkimit Europian. Para kësaj date, njohja ndërkombëtare erdhi, ndër të tjera, edhe nga Islanda dhe Selia e Shenjtë. Në ato ditë të pranimit, ju e keni luajtur një rol të rëndësishëm.

Unë aty kam qenë vetëm si ndërmjetësues. Rolin e vërtetë e ka luajtur Stipe Mesiqi, për të cilin dihet shumë pak. Po të mos ishte ai, 90 për qind jam i sigurt se nuk do të kishte Kroaci të pavarur. Më 7 korrik 1991 isha në Berchtesgaden, në ambientet e biznesmenit dhe konsullit gjerman Bruno Schubert, në një drekë private me ministrin e atëhershëm të Jashtëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher, dhe mikun tim të mirë, Angus W. Douglas. Për pavarësinë e Kroacisë dhe të Sllovenisë kam folur plot katër orë me Genscher dhe ai më tha, si vijon: «Ne nuk mund t’i njohim Slloveninë dhe Kroacinë, sepse ky do të ishte një precedent në Europë. Tregojuni miqve tuaj në Kroaci dhe në Slloveni se kjo nuk është e mundur. Përpunojeni një tjetër zgjidhje, të tillë si një konfederatë. Në këtë mënyrë, kjo nuk mund të shkojë».

Atëbotë, ambasador amerikan në Beograd ishte Warren Zimmermann, i cili tha se SHBA-të as për 50 vjet nuk do t’i njohin Slloveninë dhe Kroacinë. As të tjerët nuk ishin në favor të kësaj, as francezët, as britanikët. E si funksionon politika, shihet në shembullin e mëposhtëm: Një ditë më parë telefonova në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe u thashë se nesër jam te Genscher dhe se do të flasim për këto çështje. Personin që më përgjigjet në telefon e pyes se çfarë t’i them atij. Ai më përgjigjet: «I thoni të na njohë». Dhe e mbyll receptorin. Unë kurrë nuk kam qenë në asnjë parti, as në politikë. Kurrë nuk më ka interesuar ajo. Kam qenë vetëm një biznesmen. Kam jetuar jashtë vendit dhe nuk e njihja pothuajse asnjë kroat jashtë Kroacisë, por më vonë, kur filloi vlimi edhe në Slloveni, e edhe në Kroaci, atëherë kam filluar të lëviz nëpër ato qarqe në diasporë. Atëherë papritmas filluan të më kontaktojnë të gjithë emigrantët, të cilët ishin nëpër pozita të ndryshme biznesore, nga të gjitha kontinentet. Në këtë mënyrë, në Kanada i kam njohur Franjo Tugjmanin dhe Gojko Shushakun, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme. Kështu, ngjarjet në Slloveni dhe në Kroaci më preokupuan aq shumë sa në atë kohë merresha vetëm me to. Dhe, të gjithë punonim vetëm në këtë. Dhe, në këtë mënyrë filluam të bashkëpunojnë ne sllovenët dhe kroatët, që nga Zelanda e Re e deri në Amerikë. Nëpërmjet këtyre kroatëve rastësisht e njoha edhe Stipe Mesiqin. Ai më thirri në tetor 1991, pas bombardimit të selisë së qeverisë në Zagreb. E kuptoi se kam lidhje me politikanët gjermanë dhe më pyeti nëse mund t’ia aranzhoj një takim me Genscher, por ashtu që të mos e dinte askush, sepse ai atëherë ishte kryetar i Kryesisë së Jugosllavisë. Dhe, unë me të vërtetë e kreva këtë.

Në jetën tuaj të pasur ju keni përjetuar shumëçka, por vetë e thoni se rrëfimi më i çmuar është ai i fundit të vitit 1991, kur kryetarin e atëhershëm të Kryesisë së Jugosllavisë, Mesiq, në fshehtësi të madhe e dërguat te ministri i Jashtëm gjerman, Gensher. A mund të na i tregoni detajet?

I vetmi që dinte në lidhje me këtë ishte Janez Dërnovshek, ish-anëtar slloven i Kryesisë së RSFJ-së. E kishim rregulluar çdo gjë me shërbimet sekrete në Gjermani dhe në Austri, sepse rrugëtimi i Mesiqit duhej të ishte fshehtësi. Dërnovsheku e ftoi zyrtarisht Mesiqin për ta vizituar Medijske toplice, në vendin Izlake në Slloveni. Çdokush mendonte që Mesiqi do ta kalonte vetëm natën aty dhe të nesërmen do të kthehej. Në mbrëmje, Mesiqi u përshëndet me të tjerët sikur të shkonte për të fjetur në dhomën e tij të hotelit. Por, unë e prita dhe e mora me vete në shtëpi, në Lubjanë. Ai fjeti aty dhe të nesërmen shkuam me automobil për në Bonn. Në kufirin slloven të gjithë e dinin, sepse këtë e kishte rregulluar Dërnovsheku, por e dinin edhe austriakët, e dinin edhe gjermanët. Sllovenët dhe austriakët na lëshuan menjëherë, sepse kishin marrë informacione në lidhje me numrin e regjistrimit të automobilit dhe për emrin e shoferit, por në kufirin gjerman na ndaluan. Kisha frikë se do të kishim problem. E ula xhamin në dritare dhe fillova në gjuhën gjermane: «Ju e dini…?», Por, ai m’u përgjigj: «Ne të gjitha i dimë». Dhe, atëherë na lëshoi. Dhe, ashtu arritëm deri në Bonn. Genscher na priti me përtesë, sepse e kishte lutur miku ynë i përbashkët, Douglas. Sipas programit, i kishim në dispozicion vetëm rreth 40 minuta për drekë. Ishim Mesiq, Genscher, përkthyesi dhe unë.

Në fillim, na shërbyen supë. Genscher gjithmonë hante shpejt dhe fitohej përshtypja se nuk na dëgjonte fare. E pastaj filloi të hante gjithnjë e më ngadalë. Ata 40 minuta u shndërruan në më tepër se katër orë. Në fund, Genscher tha: «E dini, ju më bindët, dhe kjo është diçka e pabesueshme. Por, ne do ta kemi vështirë të ju mbështetim dhe të ju njohim, sepse ne kemi bashkëpunuar me ju në Luftën e Dytë Botërore. Por, ju vazhdoni me këtë propozim te Papa në Romë, te Vaclav Haveli në Pragë dhe në Islandë. E gjithë këtë ne do ta shtyjmë nga prapavija.

Pse bash në këto vende?

Genscher vlerësoi se ka shumë të ngjarë që ata do ta njohin Kroacinë dhe Slloveninë dhe se kjo çështje ashtu do të ndërkombëtarizohej. E Islanda ishte neutrale në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Kjo ndodhi më 14 nëntor 1991. Mesiqi foli para Genscher për atë që do të ndodhte në Jugosllavi nëse nuk ndodh njohja dhe tha se do të rrjedhin lumenj gjaku. Në gjysmën e bisedës, Genscher më pyeti në gjuhën gjermane: «Mos është duke e tepruar?» As unë nuk isha i sigurt nëse e tepronte apo jo, prandaj për këtë e pyeta Mesiqin kur u kthyem. Por, më vonë kjo vërtet ndodhi në masën 90 për qind. Pas asaj bisede me Genscher, vetëm Havel nuk na pranoi. Nuk e di pse, edhe pse e kishim njeriun tonë atje, e më vonë nuk kemi insistuar, sepse shumë shpejt e krijuam kontaktin me Vatikanin. Mesiqi ishte atje më 6 dhjetor. Genscher, por natyrisht edhe ish-kancelari gjerman Helmut Kohl më pas ishin në kontakt me të gjithë. Në Islandë, Tugjman e dërgoi ministrin e Jashtëm, Zvonimir Sheparoviq.

Të gjitha këto përpjekje diplomatike shumë shpejt dhanë fryt. Si ndodhi kështu?

Vetëm për shkak se për këtë nuk dinte askush. Sikur serbët të kishin imagjinuar diçka, sikur Milosheviqi të dyshonte, kjo do të parandalohej. Serbët i kishin kontaktet më të mira diplomatike. Duhet thënë se fëmijët e ambasadorit të atëhershëm të Jugosllavisë në Londër luanin me fëmijët e princit Charles. Por, ata ishin të bindur në bazën e deklaratave të politikanëve amerikanë se nuk do të ndodhte shpërbërja e Jugosllavisë. Sikur ta dinin atëherë se çfarë punonte Mesiq, do ta akuzonin për tradhti. Askush nuk e di se Mesiqi atëbotë vërtet e kishte kokën në torbë. Ai njeri është tepër i talentuar dhe nuk e kam të qartë pse kjo nuk kuptohet. Përveç kësaj, ai është politikani më i ndershëm që kam takuar ndonjëherë. Ai ka mundur të ketë shumë më tepër se që ka.

Në dhjetëvjetorin e njohjes ndërkombëtare Genscher qëndroi në Kroaci.

Po, e kemi ftuar në Zagreb. Banoi në vilën Weiss. Një ditë, duke ngrënë mëngjes, ai na tha: «Mesiqi është meritor 80 për qind për këtë njohje. Por, mos i harroni edhe të gjithë bashkatdhetarët tuaj në diasporë. Të gjithë ata njerëz, sllovenët dhe kroatët, të gjitha kanalet dhe lidhjet e tyre ndikuan mbi njerëzit kyç në udhëheqjet politike të vendeve në të cilat ata jetonin». Përndryshe, asnjëri prej këtyre emigrantëve tanë, të cilët vërtet kanë bërë diçka të madhe dhe kanë dhënë shumë para, nuk ka pritur as nuk ka kërkuar asgjë. E të gjithë ata që nuk kanë dhënë pothuajse asgjë, por vetëm kanë folur shumë, kanë pasur përfitime të mëdha. As Mesiqi kurrë nuk ka dashur të flasë shumë për këtë, prandaj kam vendosur që unë tani ta sqaroj këtë. Përveç kësaj, është e rëndësishme të theksohet se në këtë kanë marrë pjesë një slloven dhe një kroat, që është dëshmi e madhe që ne vërtet kemi bashkëpunuar.

Sllovenia dhe Kroacia në ato kohë të turbullta kanë bashkëpunuar, por kjo shumë shpejt filloi të ndryshojë.

Po, dhe prandaj një vit pas atyre ngjarjeve rreth njohjeve, kur e vërejta sesi miqësia sllovene-kroate po shkatërrohet në dëmin tonë, në dhjetor të vitit 1992 e themelova Shoqatën e Miqësisë Slloveno-Kroate. Ajo është shumë aktive, vitin e kaluar i kishim 128 ngjarje, dhe ato jo të vogla. Këto, në rend të parë, janë takime të biznesmenëve, si dhe shfaqje kulturore dhe sportive.

Bozho Dimnik është slloven i lindur më 1932 në Beograd, ku i ati i tij punonte në Oborrin e Mbretit Aleksandër. Mjek me profesion, ai bëri një karrierë të rëndësishme profesionale në botën e jashtme. Falë lidhjeve të tij të ndryshme biznesore arriti të njoh shumë personalitete nga politika, ekonomia dhe kultura. Dimnik jeton në Lubjanë.