35 mijë mërgimtarë nga Maqedonia mund të fshihen nga lista e votuesve

Rreziqet për uljen e numrit të votuesve shqiptarë në Maqedoni nuk kanë të ndalur. Përveç largimit të dhjetëra mijëra mërgimtarëve në listën plotësuese, LSDM kërkon që edhe 42 mijë votues të kontestueshëm të fshihen nga lista e votuesve. Nga PDSH thonë se 35 mijë prej tyre janë mërgimtarë shqiptarë dhe nuk pranojnë fshierjen e tyre.

Foto: Mile Atanasov / Shutterstock.com

Përpos dhjetëra mijëra votuesve shqiptarë të cilët do të mbeten në listën rezervë të votuesve në Maqedoni, së fundmi 35 mijë të tjerë të cilët kanë qëndruar në diasporë për një kohë më të gjatë rrezikojnë të fshihen krejtësisht. Vendosja e 107 mijë votuesve në listën plotësuese, me ç’rast vetë ata do të zgjedhin nëse do të votojnë brenda Maqedonisë ose jashtë vendit, shumica e të cilëve janë shqiptarë, tanimë është thuajse punë e kryer. Për këtë kanë dhënë pëlqim thuajse të gjithë anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni si dhe përfaqësuesit e partive politike – vendimi vetëm sa nuk është hedhur në letër.

Përveç tyre, grupi punues për pastrimin e listës së votuesve tani është duke diskutuar për gati 42 mijë votues të tjerë, për të cilët LSDM-ja opozitare kërkon që të fshihen nga lista e votuesve, ndërsa VMRO-DPMNE përlqimin e saj e ka dhënë në heshtje. «Është arritur përparim në çështjen e listës së votuesve. Pra për 41’788 votues të kontestueshëm do të realizohet ndryshim plotësues i metodologjisë për kontroll të listës, me çka këta votues nuk do të regjistrohen me automatizëm në listën e votuesve, por do të publikohen dhe do të kenë mundësi që nëse është bërë ndonjë gabim eventual ajo të përmirësohet», deklaroi Damjan Mançevski, përfaqësues i LSDM-së në grupin për pastrimin e listës së votuesve. Por nga Partia Demokratike Shqiptare thanë se 35 mijë prej tyre janë mërgimtarë shqiptarë, andaj kjo parti ka kërkuar edhe një herë të shqyrtohen të gjitha emrat e personave të kontestuar nga LSDM. «Gjatë diskutimit të sotëm përfaqësues të KSHZ-së dolën me shifra se bëhet fjalë jo për 42 mijë, por për mbi 50 mijë votues të dyshimtë. Prej tyre u tha se 35 mijë janë shqiptarë. Neve na shqetëson kjo tendencë që pastrimi i listës të bëhet në kurriz të votuesve shqiptarë, kur dihej se deri dje i gjithë debati ishte për votues fiktiv maqedonas të cilët i manipulonte VMRO. Andaj ne kërkuam që të na jepen të gjitha emrat dhe vendbanimet e këtyre votuesve dhe nëse rezulton se janë mërgimtarë shqiptarë, nuk do të pranojmë që ata të fshihen», thanë nga Partia Demokratike Shqiptare.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim ndërkaq thanë se nuk bëhet fjalë për fshirje të votuesve, por se sot kanë vendosur që anëtarët e KSHZ-së brenda disa ditëve të propozojnë metodologji për kontrollin dhe verifikimin e këtyre votuesve. «Kishim një takim shumë konstruktiv me KSHZ-në në lidhje me propozimet e opozitës për pastrimin e listës zgjedhore dhe kontestimet që ata u bëjnë disa kategorive të listës zgjedhore, në veçanti të 40 mijë votuesve të cilët ata konsiderojnë se duhet të fshihen nga regjistri votues. Ne kërkojmë që KSHZ të propozojë një metodologji për verifikimin e këtyre votuesve», deklaroi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Ndryshe i gjithë debati për pastrimin e listës së votuesve u ngjall pas publikimit të bombave të opozitës, kur LSDM akuzonte VMRO-DPMNE-në se ka pajisur me letërnjoftime në kundërshtim me ligjin persona të cilët i ka përdorur në zgjedhje. Të gjitha dyshimet fillestare ishin se bëhet fjalë për votues maqedonas ku bënin pjesë edhe votuesit nga Komuna e Pustecit të Shqipërisë. Por gjatë bisedimeve në Përzhino mes përfaqësuesve të partive nënshkruese të Marrëveshjes së 2 Qershorit dhe 15 korrikut të vitit 2015, kërkesat për fshirje ose largim në listën plotësuese shkonin në adresë të votuesve shqiptarë. Për këtë rrezik më herët pati paralajmëruar edhe BDI, ndërsa PDSH ishte më e zëshme duke akuzuar drejtëpërdrejtë se kjo është tendenca e partive maqedonase për të ulur numrin e votuesve shqiptarë.