35 këshilltarë dhe gati dy milionë vdekatarë

Kjo qeveri mund t’i emërojë edhe 3500 këshilltarë, 88 ministra, 888 zëvendësministra. Sepse shqiptarët janë popull i durueshëm. Më parë pranojnë të poshtërohen vazhdimisht se sa të lëvizin për të dalë nga moçali.

Foto: Shutterstock



Një kryeministër që thotë se nëse Serbia nuk e heq Kosovën nga Kushtetuta, Nishin do ta fusim në hartën e Kosovës, nuk e ka problem të dyfishojë numrin e këshilltarëve. Do t’i ketë tani 35 këshilltarë. Një zot në qiell e di se çka e këshillojnë këta mendjendritur. Shumica prej tyre do të marrin rrogë mujore në vlerë prej 1340 euro. 32 mijë euro do të digjen në muaj për rrogat e këshilltarëve. 386 mijë në vit. Mbi një çerek milioni euro! Jo pak për Kosovën, ku rroga minimale për punëtorët nën moshën 35-vjeçare është 130 euro. 170 është për punëtorët mes moshës 35-65 vjet. Shpenzimet minimale për të mbetur gjallë një familje treanëtarëshe në Kosovë janë rreth 315 euro. Kjo qeveri mund t’i emërojë edhe 3500 këshilltarë, 88 ministra, 888 zëvendësministra. Sepse shqiptarët janë popull i durueshëm.

Andaj me durim sot e lexojmë edhe deklaratën e Ardian Gjinit, i cili në fund të prillit të vitit 2014 thoshte: «Rrogën mesatare po dojmë me e ba një mijë euro. Nuk po dojmë me e ba as 25 për qind as 50 për qind. Nuk po e përmendim vetëm ne 100 ditëshin, e kanë përmendur edhe burrështetas tjerë. Është një këmbëngulje për ta mbajtur fjalën. Te Ramushi ka këmbëngulje ekstreme për ta mbajtur fjalën». E vërtetë: «Te Ramushi» ka këmbëngulje për ta mbajtur fjalën. Vetëm se fjalën ai e mbajti vetëm për 35 këshilltarë, dhjetëra zëvendësministra që nuk i njeh fare e i ngatërron në mbledhje të qeverisë, fjalën e mbajti për mrekulli, andaj Kosova ka disa ministra me aktakuza. Dhe gati dy milionë vdekatarë, gati dy milionë shqiptarë heshtin, durojnë, durojnë, durojnë. Dhe mendojnë si të largohen nga ky vend. Një vend ku ëndrra e vetme e shumë të rinjve është të ikin diku në Gjermani për të fituar pak para si argat në punët më të rënda. Përveç rrogës prej 1000 euro kryeministri i 35 këshilltarëve premtonte se papunësinë do ta ulë në 10 për qind. Sa i përket përqindjes: në fillim të këtij viti një anketë e Gallupit tregoi se 46 për qind e popullatës së Kosovës dëshiron të largohet nga vendi (nga parajsa e Edi Ramës duan të largohen 60 për qind e banorëve). Kosova dhe Shqipëria janë në shoqëri me vende të pashpresa si Haiti, Liberia dhe Sierra Leone – vende të prekura nga epidemitë, tërmeti apo konfliktet e përgjakshme. Kosova qe 20 vjet jeton në liri. Dhe prapë gati gjysma e popullsisë dëshiron të ikë. Duan të ikin njerëzit nga këshilltarët e kryeministrit, i cili para një viti pushoi në një hotel të shtrenjtë në Zvicër dhe kurrë nuk tregoi si e pagoi apo kush ia pagoi suitën. Rritjen e rrogës e arsyetoi me domosdoshmërinë për të blerë këmisha e kravata. Tha se rrogën ia rriti vetes për pikë të qejfit.

Mesatarisht, siç ka njoftuar Agron Demi në një tekst para disa muajsh, çdo ministri ka katër zëvendësministra. Pastaj u shpikën postet e koordinatorëve nacionalë. Kur e pyetën gazetarët se përse u kishte falur miliona borxhe kompanive ambalazhuese të ujit, ai – kryeministri! – u përgjigj: «Veç pse mu ka tekë». Gati 300 mijë euro për familjet e personave të dënuar për marrëzinë terroriste të Kumanovës, dhëndri i zgjedhur në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, rrahja e gjoksit se të shtiesh me armë nëpër oda është diçka normale, 53,1 milionë euro shtesë për kompaninë «Bechtel & Enka» (autostrada nuk është ndërtuar ende!), kërcënimet ndaj prokurorit Elez Blakaj, mbrojtja e numrit të fryrë të veteranëve dhe shumë e shumë skandale të tjera. Kjo, pra, është qeverisja aktuale.

Të gjitha këto skandale janë të njohura. Janë numëruar e stërnumëruar nga mediat. Dhe asgjë nuk ka ndodhur. Andaj vazhdon qeverisja me avaz të vjetër. Me mentalitet grabitqar. Me arbitraritet të paparë. «Korrupsioni është vetëm një fjalë fyese për vjeshtën e një populli», thotë Friedrich Nietzsche te «Shkenca gazmore». Kosova, kjo republikë bananesh, qëmoti ka hyrë në dimrin e saj të madh.