300 mijë turistë në Tiranë vetëm në muajt e parë të 2018

Kryeqyteti i Shqipërisë po bëhet destinacion i rëndësishëm turistik – me vizitorë të shumë jo vetëm nga Europa, por edhe nga Azia.

Tirana.



Ndërsa kryeqyteti shqiptar po përmendet çdo ditë e më shumë nga mediet e huaja si destinacion turistik, vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, Tiranën e kanë vizituar 300 mijë turistë të huaj, që tashmë ndalojnë për një periudhë kohore më të madhe se vitet e kaluara. Mirela Koçollari, drejtore pranë Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit në bashkinë e Tiranës, ka bërë të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare disa nga pikat kyçe që vizitojnë në Tiranë dhe nga cilat vende vijnë. «Numri i turistëve të huaj që vizitojnë Tiranën është rritur vitet e fundit. Numri i turistëve në 2016 ka qenë rreth 300-400 mijë dhe në 2017 pothuajse shkoi në 600 mijë e më shumë. Në 6-mujorin e parë kemi 300 mijë turistë. Sheshi Skenderbej është një nga pikënisjet e këtyre itinerareve ndjekur nga Pazari i Ri’ si një pol i ri jo vetëm për vendasit, por edhe për të huaj. Është edhe bulevardi, pjesa kryesore e qytetit që është një muze nën qiell të hapur», tha Koçollari.

Më tej, ajo tha se një vëmendje të veçantë për turistët kanë edhe simbolet e së kaluarës. «Ajo që ka tërhequr vëmendje të madhe është edhe Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe si një memorie historike të një regjimi për të cilën të huajt janë shumë kuriozë». Koçollari thotë që dominojnë vizitorët europianë, ndjekur nga ata aziatikë dhe kohët e fundit nga Australia e Largët. «Sigurisht dominon Europa për një sërë arsyesh. Jemi më afër, qasja me linjat ajrore është më e shpejt dhe më e drejtpërdrejtë. Më pas vjen kontinenti aziatik, ka shumë kinezë dhe japonezë dhe më pas vjen Australia. Nëse deri dje turistët qëndronin vetëm 2 ditë në Tiranë, tashmë qëndrojnë deri në 5 ditë», tha Koçollari. (ATSH)