24 vjet!

Jetët e Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj nuk kthehen më, por dënimi me 24 vjet burg i vrasësit Pjetër Nrecaj brenda një kohe të shkurtër tregon: presioni publik kundër dhunës familjare në Kosovë po ka efekt edhe ndaj drejtësisë.

Ilustrimi: Shutterstock



Më 7 gusht 2018 Pjetër Nrecaj vrau gruan e tij Valbonën dhe vajzën e tyre të përbashkët. Ky krim i rëndë tronditi opinionin kosovar dhe ngjalli protesta nga aktivistë të shoqërisë civile, mediat, aty-këtu edhe nga politikanët. Ishte një reagim me të drejtë me shumë mllef kundër një vrasjeje që u rendit në mesin e krimeve që shpesh ndodhin brenda familjeve kosovare. Dhe shpesh deri më tani kriminelët kanë mundur të llogarisin me mëshirën e gjyqësorit.

Pothuaj tre muaj pas vrasjes në një fshat të Gjakovës, sot, më 2 nëntor 2018, u bë e ditur se Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur fajtor Pjetër Nrecajn për vrasjen e dyfishtë, duke e dënuar me 23 vite për vrasje dhe 2 vite për armëmbajtje pa leje. Dënimi i përgjithshëm, sipas gjykatës, është 24 vjet burg.

Pas këtij verdikti mund të thuhet: jetët e Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj nuk kthehen më, por dënimi me 24 vjet burg i Pjetër Nrecajt brenda një kohe të shkurtër tregon se presioni publik kundër dhunës familjare në Kosovë po ka efekt edhe ndaj drejtësisë.

Ky dënim është sinjal tepër i rëndësishëm. Së pari: gjyqësia tregoi se është në gjendje të trajtojë krimet e rënda me shpejtësi dhe të marrë vendime brenda një kohe racionale. Së dyti: dënimi është mesazh për të gjithë ata që mendojnë se problemet familjare mund t’i zgjidhin duke përdorur dhunën, sidomos kundër kategorisë më të pambrojtur në Kosovë – grave dhe fëmijëve. Së treti: dënimi është mesazh edhe për policinë dhe drejtësinë se duhet t’i marrin shumë seriozisht njoftimet e viktimave mbi kërcënimet që marrin nga familjarët e tyre.

Në rastin e Valbona Nrecajt ka pasur shumë akuza ndaj autoriteteve. Arsyetimi i policisë në Gjakovë ka qenë skandaloz. Drejtori i policisë rajonale kishte thënë se Valbona Nrecaj e kishte njoftuar policinë se ishte kërcënuar, por nuk ajo nuk paskësh kërkuar mbrojtje. Prokuroria është fajësuar se nuk i ka marrë seriozisht njoftimet e Valbona Nrecajt se ishte përdhunuar nga burri i saj. Dështime të tilla të autoriteteve nuk guxojnë të ndodhin. Dhe që të mos ndodhin në të ardhmen, është e domosdoshme vigjilenca e mediave, shoqërisë civile, politikës, autoriteteve lokale dhe nacionale. Kush përdorë armën apo grushtin kundër familjarëve, duhet të marrë mesazhin e qartë nga shteti. Një mesazh u dha sot. 24 vjet burg.