24 orë në Lyon mes gëzimit dhe dilemave të fansave shqiptarë

Të çaraveshur, të lumtur dhe të ardhur nga mbarë Europa, nga Australia dhe nga Amerika në Lyon për të përkrahur reprezentacionin e Shqipërisë. Një reportazh për një fundjavë të paharrueshme.

Duke iu gëzuar fitores në Lyon. Foto: UEFA

Grumbullimi i tifozëve shqiptarë në Lyon ka qenë më i madhi deri më tani në Euro2016 dhe festa më kuptimplotë pas fitores së arritur kundër Rumanisë (1:0). Ardhja e tifozëve është shënuar qysh një natë më herët, kur grupe të caktuara të rinjsh vëreheshin në stacionin e trenit Lyon Part Dieu, të çaraveshur, pa gjumë, por me krenari ata tërhiqnin valixhet ose bartnin çanta në shpinë.

Të ardhur nuk janë vetëm nga Evropa, por në mesin e tyre kishte edhe nga SHBA-të e deri te Australia e largët, si puna e Benit. «Kam ardhur në këtë festë, sepse kjo kombëtare është ajo që na ka bërë krenar kudo që jemi, sidomos mua që jetoj për futbollin», thotë ky 30-vjeçar nga Melbourne, i cili kishte udhëtuar mbi 20 orë për të përkrahur Kombëtaren. Një natë para lojës është shënuar një incident i vogël në një stacion treni në Lyon, kur një grup i të rinjve serbë kanë provokuar tifozët shqiptarë me flamurin e tyre. Serbia nuk është pjesëmarrëse në Kampionat, kurse në kujtimet e tifozëve shqiptarë mbeten sjelljet çnjerëzore të huliganëve, policëve dhe futbollistëve serbë në Beograd.

Genti, një djalosh tjetër, kishte udhëtuar nga Chigaco enkas për këtë lojë. «Kam 25 vite që jetoj në SHBA, atje kam krijuar edhe familjen, por prej kur u kualifikua Kombëtarja kam bërë të gjitha planet të jam këtu, nuk dëshiroja të humbas shansin për dynjanë».

Të dielën, Lyoni ka qenë i mbuluar me ngjyrat kuqezi, kuptohet shoqëruar me ritet e zakonshme të këngës, valleve e thirrjeve të pandalshme. Deri kur filloi loja, njerëzit kishin emocione dhe shpresë besimi, askush nuk dëshironte të mendonte më gjatë. Policia franceze ndonëse në gjendje gatishmërie, dukej shumë më e relaksuar në vëzhgim të situatës, madje kishte ndër ata që bënin «selfie» me tifozët shqiptarë, disa të tjerë kryqëzonin duart për të formuar simbolin e shqiponjës.

Disa kishin vënë në bast bindjen se po humbën edhe sonte «më nuk do t’i shikojmë», sikur Agroni i ardhur nga Berna, kryeqyteti i Zvicrës. «Nëse edhe sonte humbin më nuk do t’i shohim, mjaft stres pritet të na japë në të ardhmen edhe Kosova», tha ai. Por, a do ta përcjellin këta tifozë vetëm Shqipërinë apo edhe Kosovën në të ardhmen? Përgjigjet e tyre janë të ndryshme. «Unë do ta përcjell vetëm Kombëtaren e Shqipërisë, ne jemi një», tha Beni nga Australia. «Është sikur të kërkosh të ndash njërën dorë nga tjetra», thotë Genti. «Do të jetë një ndarje e vështirë, Kombëtarja shqiptare do të jetë në zemrat tona gjithmonë, por edhe Kosovën do ta përcjellim sepse është toka e jonë», tregon Fatmiri.

Fitorja dhe emocionet pas lojës, bënë që festa të vazhdojë deri në orët e vona. Askush nuk dukej i lodhur, të gjithë kishin energji, sikur të kishin marr ndonjë doping të veçantë. Vajza me shqiponja të vizatuara në faqe, djem me brohoritje frenetike kishin lënë gojëhapur edhe francezët, tek të cilët fituan simpatinë me tifozërinë e qetë dhe përkrahje reale të ekipit.

Ahmeti dhe disa shokë të tij kishin ardhur nga Londra për të përcjellë lojën. «Kemi bërë të gjitha rezervimet vetëm për takimet e para, tani duhet të bëjmë ndryshimet e duhura për të qëndruar më shumë. Nuk e kemi hallin e shefave të punës, por shpresojmë në leje të grave», tha ai buzagaz deri sa po pinte birrë në orët e pasmesnatës në stacionin e trenit në Lyonit.

Miku i tij Arbeni thotë se fitorja është gëzimi më i madh ndër vite. «Pas pavarësisë së Kosovës, ky është gëzimi më i madh. Kemi dëshmuar sjellje dhe kulturë europiane, besoj se edhe Bashkimi Europian do të mendojë ndryshe kur janë në pyetje shqiptarët tash e tutje. Nuk është çudi që vetë do të na kërkojnë të anëtarësohemi në Bashkimin Europian», thotë ai me buzëqeshjen të papërmbajtshme. Natyrisht këtë s’e mendon bash seriozisht, por kush pyet për seriozitet në këtë çast gëzimi.

Kënga dhe boritë nuk janë ndalë nga tifozët që jetojnë në shtete afër Francës si Zvicra, Italia apo Gjermania; shumica e fansave pas ndeshjes kanë nxituar të lëshojnë Lyonin duke u ngutur të arrijnë në vendet e punës. «Festa jonë nuk ka të ndalur, nesër jemi në punë, por edhe shefi na ka uruar për fitoren», tha Sandri me banim  në Milano. Për ata nuk ishte me rëndësi se ku po flinin atë natë, kush rrugëve, disa nëpër sheshe e automobila, apo edhe ulëse publike të mbuluar me flamurin kuqezi dhe ëndrrën e realizuar të fitores.

Tifozë të tjerë e pranojnë se do të rrinë me vesh e sy nga përfundimi i takimeve të tjera, pasi që Shqipëria zë vendin e tretë në grupin A dhe vetëm katër ekipet më të mira nga gjashtë vendet e treta do të sigurojnë kualifikimin më tutje. Shumë prej tyre nuk i kishin bërë këto llogari dhe tani mendojnë për aranzhmane të reja. «Nuk e kemi pritur kualifikimin, besojmë se do të ndodh, por edhe nëse ne nuk jemi këtu, jam i bindur se do të ketë mjaft shqiptarë këtu, jemi 10 milionë dhe shumë do të kërkojnë të vijnë, e rëndësishme është që kombëtarja nuk do të ndjejë mungesën e përkrahjes, ata e dinë se çdo familje është një stadium dhe një zemër që do t’i përkrah», tha Gazmendi nga Kosova me banim në München.