21 të vdekur, dhjetëra të lënduar, qindra të evakuar nga përmbytjet

Një vit nga vërshimet e 1 gushtit të vitit të kaluar, të cilat morën jetët e pesë njerëzve në fshatrat e Tetovës, një tragjedi me katërfish më shumë viktima e ka goditur Shkupin. Nga rreshjet e shiut natën mes së shtunës dhe të dielës humbën jetën 21 persona, dhjetëra mbetën të lënduar dhe qindra të tjerë kanë lëshuar shtëpitë e pabanueshme për shkak të prurjeve të mëdha që sollën vërshimet

21 të vdekur, qindra të evakuuar dhe shumë persona të lënduar, kanë lënë pas vetes vërshimet që natën ndërmjet së shtunës dhe së dielën kapluan rajonin e Shkupit, gjeqësisht fshatrat Straçincë, Creshevë, Stajkovc, Hasanbeg dhe Haraçinë. Hasanbegu dhe Stajkovci kaluan me pasoja më të rënda materiale dhe me numrin më të madh të viktimave. Rrugët kryesore ishin në gjendje të rëndë, ndërsa ato lokale dhe rrugicat – të pakalueshme.

Një ditë pas shkatërrimeve më të mëdha, uji ende ndodhet në rrugë, ndërsa shtëpitë e prekura nga vërshimet akoma nën baltë dhe shumë prej tyre ende me podrume të mbushura me ujë. Qeveria e Shkupit dhe institucionet kompetente formuan shtabin e emergjencës dhe aktivizuan të gjitha mekanizmat, por banorët u shprehën të pakënaqur nga ndihma institucionale. Shumë prej tyre, të cilët i vizitoi edhe ekipi i «dialogplus»-it situatën e menaxhonin vetë.

«Ja siç na shihni vetë, mundohemi me kova ta pastrojmë shtëpinë dhe ta heqim ujin. Familjen e kam larguar, sepse këtu më nuk mund të jetojmë. Na duhen muaj që të pastrojmë dhe ta rregullojmë shtëpinë. Ndihmë s’kemi nga askush, ushtria merret vetëm me rrugët kryesore, askush nuk na ndihmon nëpër shtëpi», u shpreh një banor i lagjes Hasanbeg të Shkupit. Disa banorë të tjerë thonë poashtu se edhe shtabin lokal e kanë gjetur të mbyllur, ndërsa vërehet mungesë e madhe e mjeteve për pastrimin e ujërave dhe të baltës që lanë pas vërshimet.

Rreshjet e natës së të shtunës në të diel shkaktuan vërshime edhe në rajonin e Tetovës, por ky rajon kaloi me dëme më të vogla materiale dhe pa viktima në njerëz. Probleme u paraqitën vetëm në rrugët që lidhin fshatrat e malësisë së Sharrit, por me angazhim të makinerisë së rëndë dhe institucioneve kompetente, deri në mëngjesin e sotëm, rrugët janë liruar.

Qeveria e Maqedonisë mbajti mbledhje urgjente, ajo vendosi që ditën e hënë ta shpallë ditë zie, ndërsa shpalli edhe 15 ditë gjendje të jashtëzakonshme në Tetovë dhe Shkup. Në mënyrë plotësuese do të formohet edhe një komision për verifikim dhe vlerësim të dëmeve, të cilat më pas do të kompensohen. Ndërkohë një mbledhje të jashtëzakonshme ka mbajtur edhe qyteti i Shkupit. Në këtë mbledhje është vendosur që një shumë prej 3’000 euro dëmshpërblim do t’u jepet familjeve të të vdekurve.

Presidenti i viziton vetëm maqedonasit, autoritetet tjera dëbohen nga popullata, partitë shprehin ngushëllime

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka angazhuar 400 ushtarë për t’ju dalë në ndihmë zonave të përmbytura nga rreshjet e shiut. Ai personalisht gjatë një vizite që ju bëri këtyre zonave, ndaloi vetëm në fshatin Stajkovcë të banuar kryesisht me maqedonas, nuk e vizitoi lagjen tjetër ngjitur me të, Hasanbegun, të dominuar me shqiptarë. Në një deklaratë për media, Ivanov shprehi keqardhje për të gjitha viktimat, ndërsa siguroi se dëmet materiale do të kompenzohen. «Deri tani kësi lloj fatkeqësie nuk ka ndodhur. Dëmet janë të mëdha, por ata do të kompensohen. Nuk mund të kthehen vetëm jetët e humbura. I bëj thirrje të gjithë qytetarët që të ndihmojnë, ngase kjo është më se e nevojshme. Është ofruar ndihma mjekësore, si dhe ndihmë nga të gjitha institucionet. Në vendet më të prekura, ku për momentin gjendemi, janë shkatërruar shumë shtëpi si dhe infrastrukture», ka deklaruar Ivanov.

Ndërkohë edhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë kanë vizituar nga afër zonat e përmbysura. Zëvendës kryeministri Festim Halili, ka qëndruar në rajonin e Tetovës dhe vendbanimet e vërshuara në rajonin e Shkupit. Në dy qytetet zonat i kanë vizituar edhe drejtues të pushtetit lokal, kryetarët e komunave si dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Ky i fundit, një delegacion i Komunës së Çairit dhe zyrtarë të tjerë të partisë shqiptare në pushtet nuk janë mirëpritur në Hasanbeg të Shkupit. Gjatë vizitës së tyre ata janë sharë dhe fyer nga banorët lokal, duke i akuzuar si fajtorë për fatkeqësinë e tyre. «Tash iu kujtua të na vizitojnë, kur kërkonim kanalizime s’ishin askund», tha njëri nga banorët e shumtë të revoltuar të cilët dëbuan Trajanovskin dhe zyrtarët e BDI-së, Izet Mexhiti, Safet Neziri, Rafiz Aliti dhe Bekim Neziri.

Ngushëllime për jetët e humbura dhe pasojat nga vërshimet kanë shprehur edhe liderë të partive politike në vend. «Më lejoni që të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave nga vërshimet e mbrëmshme në Shkup me të cilët ndaj dhimbjen për humbjen e më të dashurve të tyre. Njëkohësisht siguroj të gjithë të dëmtuarit që do t’ju qëndrojmë pranë për çdo nevojë të tyre dhe do t’i mbështesim tërësisht me të gjitha kapacitetet institucionale dhe njerëzore», ka shkruar kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në rrjetin social facebook. Përveç ngushllimeve për familjarët e viktimave, lider i LSDM-së, Zoran Zaev ka apeluar që t’i ndihmohet Shkupit dhe vendeve përrreth, t’u ndihmohet njerëzve të cilët janë të prekur nga fatkeqësia që goditi vendin. Ai ka ftuar qytetarët që në këto momente të rënda të përmbahen nga konfrontimet nëpër rrjete sociale dhe kërkimin e fajtorëve.

Drejtori i Entit Hidrometeorologjik, Oliver Romevski, si shkak për fatkeqësinë e fundit në Shkup ka adresuar kushtet natyrore dhe klimatike, duke thënë se ka ndodhur një fenomen i cili ka sjellë pasoja katastrofale. «Në Majën Zajçev kemi matur 95 litra, ndërsa në Petrovec ka pasur 5 litra. Pra hapësira është rrethuar dhe natyra e bëri të veten që solli deri tek një katastrofë të tillë. Më pas nisi të kthehet në trajektoren e njëjtë, por përsëri në mënyrë jologjike u kthye dhe kjo ishte ajo pjesa e dytë pas orës 10.30 dhe 11, e cila bëri që situata të përkeqësohet», ka deklaruar Romevski.

Frika te banorët nga rajonet e rrezikuara mbetet edhe më tej për shkak të paralajmërimeve të sinoptikanëve për rreshje të rrëmbyeshme të shiut, sidomos në pjesën perëndimore të vendit gjatë ditëve në vazhdim. «Maqedonia edhe më tej mbetet nën ndikimin e masës së lagësht ajrore dhe motit të paqëndrueshëm, që pasdite dhe në mbrëmje përsëri do të sjellë mot të paqëndrueshëm me shi të rrëmbyeshëm lokal. Fillimisht nga moti i keq me shi dhe erëra të rrëmbyeshme do të kaplohen pjesët perëndimore, ndërsa më vonë gjatë mbrëmjes, do të zgjerohet në pjesët qendrore dhe verilindore. Shirat pritet të vazhdojnë edhe gjatë gjithë natës së të hënës. Në rajonin e Shkupit do të mbajë mot i ndryshueshëm me rreshje të rrëmbyeshme të shiut. Ato pritet të jetë më intensive në fund të ditës dhe në orët e mbrëmjes», njoftojnë nga qendra meteorologjike e Maqedonisë.

Diplomatët solidarizohen me Shkupin

Diplomatët dërkombëtarë dhe Brukseli zyrtarë ka shprehur keqardhje për tragjedinë që u mori jetën 21 personave në rajonin e Shkupit dhe që la pas dëme materiale edhe në Tetovë. Komesioneri Johanes Hahn, nëpërmjet rrjetiti social Twitter, është solidarizuar me familjet që pësuan nga vërshimet e përmasave katastrofike që kanë goditur Shkupin dhe Tetovën. «Ngushëllimet e mia për familajrët e viktimave nga vërshimet në Shkup dhe Tetovë. BE është e gatshme të ndihmojë», ka shkruar Johanes Hahn. Ambasada e SHBA-së në Shkup ndjehet e pikëlluar nga humbja e jetëve në vendbanimet e përmbysura të Shkupit. «Ne jemi thellë të pikëlluar nga humbja e jetëve gjatë reshjeve të rrëmbyeshme të natës së mbrëmshme. Lutemi që të shpëtojnë personat e zhdukur si dhe të shërohen të lënduarit. Përshëndesim qytetarët të cilët janë organizuar për të mbledhur ushqim dhe se gjësende tjera të nevojshme për të prekurit», thuhet në postimin e ambasadës së SHBA-së, në facebook. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup Çarls Gareth poashtu ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e humbura gjatë vërshimeve që kapluan Shkupin ditën e djeshme. «Vërshim i tmerrshëm në Shkup dhe rrethinë. Ngushëllime për familjarët e viktimave dhe për të gjithë ata që janë prekur nga këto vërshime», ka shkruar Gareth në rrjetin social facebook.

Tirana dhe Prishtina të gatshme të ndihmojnë Shkupin

Ngushëllime dhe gadishmëri për të ndihmuar zonat e përmbytura në Shkup kanë ardhur edhe nga Tirana zyrtare dhe Prishtina. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas vërshimeve të djeshme në Shkup ka reaguar duke shprehur solidaritet dhe gatishmëri për t’i ndihmuar, siç shprehet ai, vëllezërit, motrat dhe fqinjët tanë. «Ndjekim me dhimbje e shqetësim zhvillimet tragjike në Maqedoni! Gati për çdo gjë që mundemi për të ndihmuar vëllezërit, motrat dhe fqinjët tanë!», ka shkruar në profiling e tij në Twitter kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë njofton se ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim situatën e krijuar në Maqedoni, si pasojë e rreshjeve të pazakonta, që përmbytën Shkupin dhe Tetovën, duke shkaktuar një numër viktimash dhe dëme të mëdha materiale. Në emër të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama, ministri Bushati ka shprehur  ngushëllimet më të ndjera për familjet e viktimave dhe përcolli solidaritetin e Shqipërisë në këto momente të vështira. «Shprehim gatishmërinë e plotë për të mbështetur autoritetet qendrore dhe vendore të Maqedonisë për tejkalimin e kësaj situate të rëndë humanitare», ka theksuar ministri Bushati.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është i tronditur nga humbjet e jetëve dhe pasojat vërshimeve në Maqedoninë, një natë më parë. «Jam i tronditur nga humbjet e jetëve nga pasojat e rrebeshit të madh të shiut në Maqedoni. Ngushëllime të gjithëve që janë prekur. Institucionet e Kosovës janë të gatshme të ndihmojnë», ka shkruar Thaçi në Facebook.