1967: Vdekja e një ikone – vritet Che Guevara

Përvjetorët e vitit 2017: trajtesa e pestë ka të bëjë me revolucionarin Ernesto «Che» Guevara, i cili u vra para 50 vitesh nga një nënoficer i dehur.

Ernesto «Che» Guevara jeton si mit edhe sot - «forever young».



Kur më 9 tetor 1967 ai vdiq në xhunglën boliviane, i ekzekutuar me një pushkë automatike nga një nënoficer i dehur, filloi pavdekësia e tij. Edhe fotografit Freddy Alborta, i cili e fotografoi në spital kufomën e larë, Che Guevara ia kujtonte Jezu Krishtin, ndërsa John Berger e krahasoi fotografinë e trupit të shtrirë me pikturën e Rembrandtit «Anatomia e dr. Tulpit». Por fotografia që e bëri ikonë shokun e Fidel Castros ishte realizuar më 5 mars 1960 në një tubim masiv në Havanë: një shkrepje nga Alberto Diaz Guzierrez, i quajtur Korda, i cili punonte për magazinën «Revolucion» dhe dhjetë metra larg tribunës u koncentrua nga Fideli, Simone de Beauvoir dhe Jean-Paul Sartre. Kur «Che» eci para, Korda shtypi dy herë sustën e aparatit Leica. Portreti tregon mjekun e lindur më 1928 në Argjentinë, atëbotë drejtor i Bankës Nacionale të Kubës, si hero melankolik: me shikim intensiv, flokë të shprishura dhe një baret, në të cilin shkëlqen një yll i kuq. Dy pamje të këtij portreti fotografi ia dhuron Giangiacomo Feltrinellit, kur a e vizitoi më 1967 në studion e tij, dhe botuesi italian e botoi atë së pari në «Paris Match» dhe pas vdekjes së luftëtarit të gueriles e publikoi si poster, i cili vërshoi banesa studentësh dhe salla tubimesh dhe u bë posteri më i shitur i të gjitha kohërave. Motivi u zhvendos në fanella dhe gota çaji, orë dhe çakmakë, Diego Maradona e bëri tatuazh në krahun e tij, Giselle Bündchen e shtypi në bikini. Honorar Korda nuk mori kurrë, por ai i ishte mirënjohës Feltrinellit, që e kishte bërë të famshme këtë fotografi. Portreti u shkëput nga i portretuari, imazhi u pavarësua dhe e tejkaloi revolucionarin, i cili ishte atraktiv dhe karizmatik, madhëronte Stalinin dhe denoncuesit e mundshëm i ekzekutonte, duke e shndërruar në figurë kulti. Ndonëse ai ka vdekur moti, më 2017 do të mbushen 50 vjet, Ernesto «Che» Guevara jeton si mit edhe sot – «forever young».

(Frankfurter Allgemeine Zeitung)

© për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet rreptësishtë botimi i këtij teksti nga mediat tjera.