1867: Një vepër e madhe – Karl Marxi boton «Kapitalin»

Përvjetorët e vitit 2017: trajtesa e parë ka të bëjë me 150-vjetorin e botimit të «Kapitalit» të Karl Marxit. Pse kjo vepër është e rëndësishme edhe sot?

Karl Marx.



Ka libra – dhe ka vepra. Në mesin e veprave ekziston «Opus magnumi». Fillimisht ky nocion i përkiste alkimisë mesjetare. Si «vepër e madhe» përshkruhej shndërrimi i një materiali të vrazhdë në ar nëpërmjet Gurit të të Urtit (Lapis philosophorum). Kjo ishte marrëzi, por përfytyrimi se kuptimi i vetive sekrete të gjërave mundësuaka shndërrimin e çdo gjëje, mbeti diçka atraktive për intelektualët.

Kur Karl Marxi në vjeshtën e vitit 1867 botoi vëllimin e parë të kryeveprës së tij «Kapitali», çdo kapitull i kësaj vepre bën me dije: çfarë kuptohet s’mund të mbetet pastaj si ka qenë deri më tani. Shoqëria, sipas tij, bazohet në material të vrazhdë: punën e detyruar, e cila prodhon gjëra, të cilat si mallra – «si kristale që këto e kanë substancë të përbashkët» – kanë një vlerë këmbimi. Të kuptosh proceset e përvetësimit të këtyre vlerave është e njëjta gjë si kur je duke e vëzhguar shoqërinë gjatë pezullimit të vetvetes me anën e konflikteve ekonomike.

Këto hulumtime nuk kishin të bënin asgjë më pak se me alkimi. Marxi vazhdoi dijen ekonomike dhe historike të kohës së tij për të kuptuar tregun botëror, i cili për të ishte fryma e botës. Për dallim nga «teorikët kritikë» të mëvonshëm ai u interesua për atë që atij i dukej qendra e shoqërisë. Fryma keqdashëse e botës, i cili shkëlqimin e tij e arrinte në dëm të rrogëtarëve dhe fëmijëve të tyre, për të ishte njëkohësisht një frymë botërore ndihmëse, sepse ndikonte në grumbullimin e gjithnjë e më shumë kapitali te gjithnjë e më pak njerëz, gjë që lehtësonte shpronësimin e tyre nga ana e punëtorëve të mllefosur të të gjitha vendeve.

Kjo ishte fantazi, por përbente vetëm dy faqe e gjysmë të veprës 800-faqëshe. Fundja, vepra quhet «Kapitali», jo «Socializmi». Si përpjekje për të kuptuar shoqërinë në të cilën jetojmë, kjo vepër ka mbetur pa pasardhës. Që Marxi gjoja kishte marrë fund pas vitit 1989, mbetet një budallallëk. (-lli)

(Frankfurter Allgemeine Zeitung)

© për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet rreptësishtë botimi i këtij teksti nga mediat tjera.