18 vjet

Ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi pasues i Kosovës është ngjarja më e madhe në historinë e shqiptarëve kosovarë. 18 vjet më vonë madhështinë e kësaj ngjarjeje e ka zbehur paaftësia dhe pafuqia e shoqërisë kosovare për të ndërtuar një shtet funksional.

Ilustrimi: Shutterstock



Kanë kaluar 18 vjet nga lufta e Kosovës. Kur thuhet lufta e Kosovës mendohet në radhë të parë në intervenimin e NATO-s, pa e minimizuar sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës për liri. Që nga atëherë disa luftëra të tjera kanë ndikuar që lufta e Kosovës të harrohet nga politikanët perëndimorë. Iraku, Afganistani, Siria, Libia kanë larguar vëmendjen nga pranvera kosovare e vitit 1999. Ndërkohë kancelari i atëhershëm gjerman Gerhard Schröder e arsyeton aneksimin e Krimesë nga Rusia duke thënë se «edhe ne e kemi shkelur të drejtën ndërkombëtare» me rastin e intervenimit në Kosovë. Tony Blair ka pranuar të jetë këshilltar i Aleksandër Vuçiqit, i cili gjatë luftës së Kosovës ishte ministër i informacionit në qeverinë e regjimit të Slobodan Millosheviqit. Ish-kryeministri i Francës François Fillon në garën për president përdor të njëjtat argumente si Vladimir Putini kur bëhet fjalë për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Rusët, sipas Fillon, bënë në Krime atë që bëri Perëndimi në Kosovë: nuk respektuan të drejtën ndërkombëtare dhe ndryshuan me dhunë kufijtë.

Kjo logjikë është e mbrapshtë, sepse injoron historitë krejtësisht të ndryshme të Kosovës dhe Krimesë. Në Kosovë Serbia shtypi dy milionë shqiptarë gjatë një dekade, vrau mijëra civilë, dëboi qindra-mijëra të tjerë. Në Krime autoritetet e Ukrainës nuk vranë asnjë civil rus. Por për detaje të tilla nuk interesohen politikanë si Gerhard Schröder, i cili së fundi dha një intervistë për një televizion serb – bashkë me Vuçiqin.

Siç ndryshojnë stinët, siç ndryshon moti ashtu ndryshojnë edhe rrethanat gjeopolitike. Nga perspektiva e sotme NATO vështirë se do të intervenonte në Kosovë. Si do të kishte përfunduar rezistenca shqiptare? A do të ishte Kosova një lloj Kurdistani ballkanik? Një arenë islamistësh? Gjithçka do të ishte e mundshme pa ndërhyrjen e NATO-s.

Ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi pasues i Kosovës është ngjarja më e madhe në historinë e shqiptarëve kosovarë. 18 vjet më vonë madhështinë e kësaj ngjarjeje e ka zbehur paaftësia dhe pafuqia e shoqërisë kosovare për të ndërtuar një shtet funksional. Kjo shihet te gjërat e vogla dhe të mëdha. Si e kemi sot sistemin shëndetësor? Sistemin e drejtësisë? Ekonominë? Arsimin? Një dështim kolosal.

Kosova sot është një ndër vendet më të varfra në Europë, po të mos ishin paratë e diasporës do të ishte streha më e madhe e varfërisë në kontinentin e vjetër. Nga liria e Kosovës po ikin mijëra njerëz, vetëm në dy-tri vitet e fundit mbi 100 mijë. Shumë prej tyre po detyrohen të kthehen nga vendet perëndimore dhe në të ardhmen do të jenë bomba sociale.

Njëkohësisht ka ndodhur ajo që në vitin 1999 as nuk e kemi ëndërruar: disa shqiptarë po shndërrohen në zagarë të luftërave fetare. Numërojmë kufoma të shqiptarëve të vrarë në frontet e Sirisë dhe Irakut për llogari të fanatikëve fetarë. Shohim politikanë që në çdo shtet do të gjendeshin në burg dhe në Kosovë prezantohen si e ardhmja e këtij vendi. Mashtrues ordinerë flasin për ndershmëri. Ndërkohë gati çdo i dyti kosovar jeton në mjerim, në xhepin e tij ka pak para për të jetuar dhe shumë për të vdekur.

Eksportojmë rininë e pakualifikuar, hamajtë e shekullit 21, dhe ndonjë ngarkesë me hekurishte të vjetra. Resurset kryesore të shtetit përfundojnë në duart e firmave turke të lidhura me regjimin e Ankarasë, ndërsa qeveritë tona nuk kanë arritur të sjellin asnjë investitor të madh gjerman në vend.

Më 24 mars 1999 filloi një kapitull i ri i Kosovës. Para shoqërisë kosovare gjendej një perspektivë e mirë: një popullsi vitale, një diasporë e gatshme të lë edhe markën, frangun dhe (më vonë) euron e fundit në atdhe, një bashkësi ndërkombëtare parimisht proshqiptare. Sot, në vitin 2017, shoqëria kosovare gjendet para hirit të shanseve të djegura. Ajo është e lirë, por jo e çliruar nga vetvetja, nga e keqja që ia zë frymën, nga grykësia dhe mujshia, nga papërgjegjësia e dashakeqësia.