1717: Maria Sibylla Merian, shkencëtarja e fluturave

Përvjetorët e vitit 2017: trajtesa e dytë ka të bëjë me 300-vjetorin e vdekjes së hulumtueses gjermane të fluturave Maria Sibylla Merian.

Foto: Shutterstock



Në vitin 1699 artistja e divorcuar, 52-vjeçare, dhe shkencëtarja e fluturave Maria Sibylla Merian shiti gjënë më të vlefshme që kishte: koleksionet e saj nga dituria e natyrës dhe veprat e artit, shkroi një testament dhe me vajzën e saj Dorothea lundroi në Surinam. Asaj i thanë se atje mban vapë e lagështi, ia tërhoqën vërejtjen se një udhëtim e tillë për të ishte me të vërtetë i mundimshëm, gjithashtu ajo ishte damë e moshuar dhe po merrte udhë pa qenë e shoqëruar nga ndonjë burrë. Por të gjitha paralajmërimet nuk bën punë: zonja Merian ishte e mendimit se niveli i hulumtimit sa i përket stadit të vemjes dhe krizalidjes të fluturave që jetonin atje ishte shumë i mangët dhe vendosi – kokë më vete – të ndryshojë këtë. Qyteti i Amsterdamit, ku ajo jetonte tashmë, e dha pak para, pastaj puna filloi, nëpër oqean dhe nga kryeqyteti Paramaribo çdo ditë, e pajisur me mjete vizatimi, depërtoi në xhungël, e shoqëruar nga disa indianë, të cilëve u thoshte t’i vinin emrin florës dhe faunës. Këto gra konstatuan se ekzistojnë dy grupe të fluturave, të ditës dhe të natës. Një zbulim tjetër i ri ishte se ato kanë nevojë për bimë të caktuara ushqimore. Nënë e bijë vëzhguan, mblodhën dhe vizatuan dy vjet me radhë, pastaj Maria mblodhi rraqet dhe mori udhën drejt shtëpisë. Kryetari i qytetit i hapi një ekspozitë, e cila hasi në jehonë të madhe te publiku, dhe gravuristët e bakrit punuan tri vite në kryeveprën e Merianit, «Metamorphosis insectorum Surinamensum». Prej saj ajo s’mund të jetonte. Kur vdiq para 300 viteve, më 1717, ajo u varros në një varr të të varfërve, i cili deri më sot nuk është identifikuar. Tani qyteti i saj i lindjes, Frankfurti, kujton bijën e famshme: në janar do të fillojë ndërtimi i Shtëpisë së Maria Sibylla Merian në Kopshtin e Palmave, ku në të ardhmen, gjatë muajve të dimrit, fluturat tropikë do të lundrojnë nën qelq mbi gonxhet shumëngjyrëshe. Çfarë përmendore e bukur!

(Frankfurter Allgemeine Zeitung)

© për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet rreptësishtë botimi i këtij teksti nga mediat tjera.