15 shkurt 1909-2017 – ditëlindja e gazetës «Dielli»

«Dielli» është cilësuar si një «kandil kombëtar» që u ndez më 15 shkurt 1909 dhe është mbajtur ndezur deri më sot. 29 numrat e parë të «Diellit» i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra.

Ballinë e gazetës «Dielli».



Sot është ditëlindja e gazetës «Dielli», gazeta e vetme që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në SHBA. Më 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së gazetës «Kombi»,  nisi të botohej «Dielli» i shqiptarëve të Amerikës. Gazeta «Dielli» ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare Besën-Besën, e themeluar më 6 janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli. Botimi i Programit të «Dielli» në numrin e parë të tij nuk ishte thjesht një program gazete, por një program i një lëvizjeje programatike mbarëkombëtare. «Dielli» është cilësuar si një «kandil kombëtar» që u ndez më 15 shkurt 1909 dhe është mbajtur ndezur deri më sot. 29 numrat e parë të «Diellit» i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra.

Përveç Nolit dhe Konicës, «Diellin» e kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme (7 nëntor 1914), Andon Frashëri, Bahri Omari (1916-1919), Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari, Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr. Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.
Prej 8 vitesh «Dielli» drejtohet nga kryeredaktori Dalip Greca, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print dhe në online, ndërkohë që çdo 28 nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe. Gazeta «Dielli» është regjistri më i vjetër i shqiptarëve të Amerikës me një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar.

Gazeta u kthye në një shkollë për shqiptarët e Amerikës dhe mbajti ndezur idealet kombëtare, ruajti gjuhën shqipe, traditat dhe kulturën kombëtare, promovoi arritjet e shqiptarëve në SHBA, dhe ndërtoi ura miqësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kombit shqiptar.

«Dielli» është vlerësuar si gazetë serioze e komuniteteve në Amerikën e Veriut, madje është edhe fituese çmimesh, siç ishte çmimi i fituar në konkursin «Common Council For American Unite», ku morën pjesë njëmijë gazeta në gjuhë të huaja që botoheshin në SHBA në fillim vitet ’50, shkruan Dalip Greca ndër të tjera sot në një artikull kushtuar këtij përvjetori.
«Dielli» ka merita të mëdha edhe në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare; në faqet e tij u botuan përkthimet e para nga klasikët e huaj, dhe u stimulua krijimtaria letrare. Gazeta «Dielli» mbetet zëdhënësja dhe misionarja më e respektuar dhe më e çmuar e shqiptarizmit në SHBA.
«Dielli» u predikoi mërgimtarëve detyrën kundrejt atdheut. Gazeta u kthye në ushqim mendor dhe shpirtëror i domosdoshëm për shqiptarët e Amerikës, të cilët i mëkoi me dashurinë ndaj atdheut.

Vatra dhe gazeta e saj «Dielli» përbëjnë një binom të pandashëm, që i lidh e i mbanë bashkë çështja kombëtare. Kanë thënë shpesh se «Dielli» dhe «Vatra» do të shuheshin, por jo – ato e kaluan shekullin dhe përjetojnë shekullin e dytë. Jetëgjatësia e «Vatrës» dhe e «Diellit», sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. «Vatra» dhe «Dielli» kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi janë të lidhura ngushtë me shqiptarinë, duke ju referuar shkrimit të Grecës botuar në ditëlindjen e gazetës «Dielli». (ATSH)